Lajm15 Feb 2021

Apeli i Shkodrës dënoi me 4 vite burg të akuzuarin për dhunë në familje

Gjykata e Apelit në Shkodër rëndoi me dy vjet burg dënimin ndaj një 30-vjeçari të akuzuar për dhunë në familje. Preng Doda u dënua me 4 vjet burg, nga 2 që i kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Gjykata e Apelit Shkodër. Foto:Anila Dushi

Gjykata e Apelit në Shkodër rëndoi me dy vjet burg dënimin ndaj një 30-vjeçari të akuzuar për dhunë në familje, pasi në dhjetor 2019 hodhi një granatë jofunksionale në oborrin e vjehrrit.

Preng Doda, ishte dënuar nga Gjykata e Lezhës me 2 vjet burg për akuzën e dhunës në familje, por ishte shpallur i pafajshëm për armëmbajtje pa leje pasi granata që ai kishte përdorur kishte pasur defekt. Doda e kishte pranuar akuzën dhe kishte pretenduar se granatën e kishte hedhur pasi vjehrri kishte ndikuar keq në marrëdhëniet e tij bashkëshortore.

Por vendimi i Faktit u apelua nga prokuroria dhe familja e dëmtuar që kërkoi dënimi e tij maksimal. Një trupë e Gjykatës së Apelit të Shkodrës vendosi ta prishë pjesërisht këtë vendim të shkallës së parë dhe ka dënuar Dodën për armëmbajtje pa leje dhe për dhunë në familje me 6 vjet burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 4 vjet burg.

“Po t’i referohemi vendimit të gjykatës, çmojmë se është në kontradiktoritet kur në vlerësimin e saj arma  nuk është e rregullt teknikisht (dhe deklaron të pafajshëm të pandehurin për veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 K.Penal), ndërsa  vlerëson atë  si mjet për kanosjen serioze për jetën e  kallëzuesit Z.D dhe familjarëve të tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër.

Gjykata shprehet se në shtëpinë ku ishte hedhur granata jetonin fëmijë të mitur dhe edhe pse granata luftarake sulmuese ishte e pashpërthyer dhe pa levë shkrepje, ajo kishte qenë kanosje serioze për jetën e personave që jetonin aty.