Lajm19 Sep 2018

Apeli jep pafajësi për ish-drejtorin e burgjeve të akuzuar për korrupsion

Pas dënimit me 5 vjet burg, më së shumti në bazë të dëshmisë së zëvëndësit bashkëpunëtor në krim nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Apeli shpalli të mërkurën pafajësi për Artur Zoton ndaj akuzave për manipulimin e tenderëve të ushqimeve.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Ish-kreu i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto. Foto:LSA

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi të mërkurën vendimin e dënimit të shkallës së parë për ish-drejtorin e drejtorisë së burgjeve Artur Zoti, i cili ishte dënuar më herët me 5 vjet burg për korrupsion dhe manipulim të tenderëve të furnizimit me ushqime.

Kryetarja e trupës gjykuese Dhurata Haveri lexoi dispozitivin duke shpallur pafajësinë, ndërsa vendimi i arsyetuar i gjykatës pritet të zbardhet pas disa javësh.

Vendimi është konsideruar si i pritshëm nga avokati i zyrtarit të lartë, pasi sipas Ardian Leka klienti i tij ishte i pafajshëm. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Apelit Artan Bajram, nuk pranoi të komentojë vendimin e pafajësisë, por tha se qëndrimi i akuzës do të vendoset pas zbardhjes së arsyetimit gjyqësor.

Prokuroria pati hetuar në korrik 2016 një skemë manipulimi tenderësh, ku sipas saj, disa pronarë kompanish binin dakord me njëri-tjetrin dhe në bashkëpunim me ish-zëvendësdrejtorin e burgjeve, Iljaz Labi, realizonin tenderë fiktivë. Sipas prokurorisë, në një rast, tender për blerje bulmeti dhe vezësh për sistemin e burgjeve me fond prej 22.6 milionë lekësh, rezultoi e provuar se katër biznesmenët i kishin paguar 2 milionë lekë ryshfet Labit.

Shtatë muaj më pas, në shkurt 2017, prokuroria arrestoi Zoton, pasi kishte bindur ish-zëvendësdrejtorin Labi të bashkëpunonte me drejtësinë. Sipas dëshmisë së Labit para prokurorisë, Zoto ishte i përfshirë drejtpërsëdrejti në skemën e manipulimit të tenderëve.

Vetë Labi u dënua me tre vjet burg. Edhe tre biznesmenët e përfshirë në skemë morën dënime të ngjashme.