Lajm22 Sep 2020

Apeli lë në fuqi fajësin për qjytarët e “El Classicos”, por u pezullon burgimin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të deklarojë fajtorë për korrupsion tre gjyqtarët e Apelit Durrës, Petraq Dhimitri, Kliton Spahiu, Petrit Çeno dhe biznesmenin Namik Sadik, por, me shumicë votash ka pezulluar ekzekutimin e vendimit me burg dhe ka caktuar afat prove për secilin.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Tre gjyqtarët e Apelit, Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën, më datë 21 shtator 2020 lënien në fuqi të vendimit të datës 29 tetor 2019 të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për shpalljen fajtor dhe dënimin e tre gjyqtarëve të Apelit Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri e Petrit Çeno, si dhe të biznesmenit Namik Sadik, të akuzuar për korrupsion.

Por, ndryshe nga Shkalla e Parë që i dënoi tre gjyqtarët me nga 2 vjet burg secilin dhe biznesmenin Sadik me një vit heqje lirie, Gjykata e Posaçme e Apelit, me shumicë votash, ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg për të katër të pandehurit duke i vendosur në afat prove, me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Gjykata e Posaçme e Apelit bëri me dije se, për tre gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për një afat prove 4-vjeçare, ndërsa biznesmeni Namik Sadik është vendosur në provë për një afat 2-vjeçar. Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur gjithashtu ndreqjen e një gabimi material dhe lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë për pjesët e tjera.

Trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit që dha vendimin përbëhej nga gjyqtarja Nertina Kosova kryesuese dhe gjyqtarët Saida Dollani e Sokol Binaj anëtarë. Në pakicë lidhur me pjesën e vendimit për pezullimin e dënimit me burgim, ka dalë gjyqtarja Saida Dollani. Në procesin e zhvilluar në Apel, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK u përfaqësua nga prokurori Altin Dumani.

Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për veprën penale të korrupsionit dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili. Ndërsa biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg. Më herët këtë, Petrit Çeno një prej të dënuarve, u shkarkua nga posti si gjyqtarë pas vendimit të Kolegjit të Posaccëm të Apelimit.

Tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe sipas Prokurorisë, udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’u heqë tre gjyqtarëve të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Të pandehurit përfituan ulje me 1/3 e dënimit për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se dy nga gjyqtarët, u mikpritën në shtëpinë e një eksponenti të mafies napolitane gjatë një vizite në Itali.

Gjatë hetimeve të kryera për aferën koruptive të gjyqtarëve, prokuroria pyeti edhe shtetasin Italian Ferdinando Muollo, i cili kishte deklaruar se kishte pritur në shtëpinë e tij në Napoli “Gjyqtarin Petraq Dhimitri dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i njihte, por njëri ishte prezantuar si gjyqtar”.

Sipas një kërkese të Prokurorisë së Durrësit për sekuestron e pasurive të Ferdinando Muollo në Shqipëri, ky i fundit rezulton të jetë pjesë e familjeve mafioze të Napolit dhe i dënuar për urdhërimin e një vrasjeje për llogari të njërit prej grupeve kriminale në Scafati, një qytet në provincën e Salernos në jug të Italisë.

Lexo edhe:

KPA largon përfundimisht nga sistemi i drejtësisë Petrit Çenon

Ndërpritet rivlerësimi për Petraq Dhimitrin, gjyqtarin e çështjes “el-classico”

Gjyqtarët e Apelit Durrës ‘bujtën’ në shtëpinë e eksponentit të Kamorrës

Gjyqtarët e derbit ” El Classico ” dënohen me nga 2 vjet burg për korrupsion

Çelet gjykimi për  ‘El Classico’, Prokuroria: Akuza e provuar, gjyqtarët s’paguan asnjë faturë

Gjyqtarët e “ El Classico ” kërkojnë pafajësi ndaj akuzave për korrupsion