Lajm14 May 2020

Apeli lë në fuqi pushimin e çështjes së lobimit të Bashës në SHBA

Gjykata e Apelit Tiranë vendosi në dhomë këshillimi të rrëzojë ankimin e Prokurorisë ndaj vendimit të Shkallës së Parë për pushimin e çështjes në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë demokratë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i PD Lulzim Basha duke folur me gazetarët më 25 shtator 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të enjten të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë lidhur me pushimin e çështjes së lobimit në Shtetet e Bashkuara për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Trupi gjykues i Apelit të Tiranës, i kryesuar nga Shpreca Beçaj dhe me anëtarë Alaudin Malaj dhe Shkëlqim Mustafa vendosën ta shqyrtojnë çështjen në dhomë këshillimi dhe më pas të lënë në fuqi vendimin nr.237, akti, datë 13.01.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas gjyqtares për mediet pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Edlira Petri, prokuroria nuk kishte depozituar ndonjë provë të re në ankim.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi u morën të pandehur në qershor të vitit 2019 për akuzuat e “pastrimit të parave” dhe “falsifikimit” në mosdeklarimin e 675 mijë USD të paguar në emër të Partisë Demokratike për një kompani lobimi, pjesë e Muzin Capitol Partners e drejtuar nga Nicolas Muzin.

Por më 13 janar, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Lazër Sallaku e rrëzoi hetimin e Prokurorisë së Tiranës.

Në vendimin e tij, gjyqtari paraprak Lazër Sallaku argumenton se Prokuroria nuk ka siguruar asnjë provë dokumentare për të mbështetur deklarimet e lobistit amerikan, Nikolas Muzin në Departamentin amerikan të Drejtësisë për përfitimin e dy pagesave prej 650 mijë dollarësh për llogari të Partisë Demokratike.

Sipas gjyqtarit Sallaku, Partia Demokratike i ka paguar me 25 mijë dollarë shërbimet e lobimit të Muzin dhe i ka deklaruar ato saktë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa akuza e “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” u pushua me argumentimin se “fakti nuk ekziston”.

Prokuroria i nisi hetimet mbi këtë çështje në janar 2018, pas një investigimi të BIRN, që gjeti se lobisti i Bashës në Shtetet e Bashkuara deklaronte pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollarë gjatë vitit 2017, ndërkohë që Partia Demokratike nuk i kishte deklaruar ato në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Njëra prej transfertave, sipas deklarimit të Muzin u bë nga kompania guackë Biniata Trade LP, e regjistruar në parajsa fiskale.

Pas një konflikti mes prokurorëve të çështjes dhe pushimit të akuzës së pastrimit të parave, Prokuroria e Tiranës u paraqit përpara gjykatës me dy qëndrime. Përballë kërkesës së prokurorit Gjergji Tako për dërgimin e çështjes në gjyq dhe asaj të prokurorit Kolë Hysenaj për kthimin e akteve për hetime të mëtejshme, gjyqtari Lazër Sallaku zgjodhi tjetër rrugë, duke e pushuar përfundimisht çështjen penale.

Prokuroria dështoi të merrte në pyetje lobistin Nick Muzin apo ndonjë nga përfaqësuesit e kompanisë guackë “Biniata Trade”. Përgjigjet e siguruara nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, bankat e nivelit të dytë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbështesin pretendimin e PD-së se pagesa në drejtim të kompanisë së Muzin, Stonington Strategies kishte qenë vetëm 25 mijë dollarë.

Lidhur me akuzën e falsifikimit, në vendim argumentohet se auditi i KQZ-së e ka konsideruar raportin financiar të PD-së në përputhje me ligjin dhe se provat mbështesin deklarimet për pagesën 25 mijë dollarë në adresë të lobistit Muzin.