Lajm15 Sep 2020

Arbër Çekaj përfiton gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme

I akuzuari për trafikun ndërkombëtar të 613 kilogramëve kokainë dhe dy ndihmës të tij u dënuan me 14,11 dhe 9 vite burg pasi iu njoh gjykimi i shkurtuar pa pranuar fajin. Avokati i Çekajt e konsideroi vendimin të pabazë ndërsa Çekaj është vetëdeklaruar i pafajshëm.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Foto: LSA

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën të shpallë fajtor biznesmenin Arbër Çekaj për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, si edhe dy të akuzuarit e tjerë si bashkëpunëtorë të tij, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku.

Koordinatorja për të Drejtën e Informimit pranë Gjykatës së Posaçme, Dinora Aleksi, i tha BIRN se trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Daniela Shirka vendosi dënimin përfundimtar të të pandehurit  Arbër Çekaj me 14 vjet heqje lirie; 10 vjet e 8 muaj burgim për Donald Lushajn dhe 8 vite e 8 muaj burg për Armando Pezakun.

Pas shpalljes së vendimit, përfaqësuesi ligjor i të pandehurit Arbër Çekaj, avokati Maksim Haxhia e cilësoi procesin qesharak dhe jo transparent për publikun, ndërsa vendimin të pabazuar në prova.

“Që në fillim të seancës dhe në të gjitha të tjerat në vijim kemi kërkuar mediat të jenë të pranishme dhe për çudi kjo gjykatë e rrëzoi dhe tha se ka një vendim të qeverisë dhe kjo është qesharake, se në fund e shpalli vendimin para medias. Ky është një proces qesharak, aq i dhimbshëm, aq edhe komik. Ju siguroj se kushdo profesionist do të skandalizohet me këtë vendim, për arsye se nuk pati absolutisht asnjë provë që të favorizonte akuzën dhe kërkimet e saj”, deklaroi avokati Haxhia para medieve.

Ai shtoi se në rastet kur gjendet 1 kg hashash në makinë, kjo e fundit sekuestrohet dhe kalon për llogari të shtetit. “Kurse në këtë rast…, gjykata, kur janë gjetur 613 kg kokainë, vendosi që kontenieri t’i kthehet pronarëve”, pohoi Haxhia i cili thekson së vendimi u dha i pabazuar në prova.

“…Dhe ajo që është më tragjikja në këtë proces është se nuk pati një provë. Unë i thashë gjykatës që në fillim të seancës se s’jam Zoti që të them nëse e ka bërë apo jo Arbër Cekaj këtë, sepse Zoti i sheh të gjitha, por se unë jam i zoti t’iu them se ky proces nuk provon asgjë iu thashë se nuk ka prova. Po të ishit në seancë, do të dëgjonit me prova dhe regjistrime, që provojnë katarcipërisht pafajësinë e Arbër Çekajt”, përfundoi avokati Maks Haxhia.

Policia shqiptare sekuestroi sasinë më të madhe të kapur ndonjëherë me kokainë në portin e Durrësit në 28 shkurt 2018 në një konteiner me banane që vinte nga Amerika Latine. Droga ishte e ndarë 528 në pako të ndryshme ku çdo pako kishte shënime të ndryshme dalluese, të tilla si “KE”, “020”, “CR77”, “Toni Montana”, “Molle 3”, “777” etj., duke sugjeruar praninë e një sindikate të krimit me pjesëmarrje të grupeve të ndryshme kriminale. Ajo u sekuestrua në atë që policia e shpalli se ishte një kontroll rastësor pas identifikimit të një anomalie në formën e konteinerit të vërejtur në skaner.

Sasia e kokainës së kapur ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në Shqipëri ndërsa policia deklaroi se vlera e saj tregtare në masën 180 milionë euro.

Ndërsa policia shqiptare u lavdërua për suksesin, pikëpyetje u ngritën mbi faktin se pse operacioni u ndërpre në mjediset e kompanisë Arbri Garden dhe nuk u gjurmua më tutje droga për të gjetur porositësit e saj ndërsa sasia e madhe vuri në pah shkallën e sofistikimit të krimit të organizuar shqiptar si dhe fuqinë e tij financiare pasi blerja e një sasie të tillë droge kërkon investim paraprak prej miliona eurosh.

Sipas prokurorisë, dyshohet se lënda narkotike është vendosur në fundin e modifikuar të konteinerit në Kolumbi kur konteineri i tipit frigorifer ishte dërguar për riparime. Prokuroria konsideron Arbër Çekajn, 39 vjeç, pronarin e kompanisë së importit të bananeve si “personi përgjegjës që ka marrë pjesë në organizimin e infrastrukturës për porositjen, nisjen, transportimin dhe mbërritjen e lëndës narkotike”.

Dy persona të tjerë, Donaldo Lushaj, 26 vjeç, punëtor te kompania e Çekajt si dhe Armando Pezaku, shofer në kompaninë e transportit Pelikani, si përgjegjës për ngarkesën.

Prokuroria thotë se fakti që Çekaj iku drejt Gjermanisë dy ditë para kapjes së lëndës narkotike si dhe fakti që biletën e avionit e kishte prerë vetëm vajtje, tregojnë dijeninë dhe përgjegjësinë e tij për drogën. Sipas organit të akuzës, mes Çekajt dhe të pandehurit tjetër, Donaldo Lushaj, janë kryer komunikime në Whatsapp mbi ngarkesën në fjalë.

Lushaj, i cili ka punuar me Çekajn prej disa vitesh, konsiderohet bashkëpunëtor për shkak se në kompaninë Arbri Garden njihej si drejtues dhe se ai ka udhëtuar disa herë jashtë vendit bashkë me Çekajn. Shoferi Armando Pezaku argumentohet se ka njohje të mëparshme me Donaldo Lushajn pavarësisht se ky i fundit mohon.