Lajm27 Mar 2020

Arrest me burg për 1,200 lekë, kërkohet ndëshkim për gjyqtarët dhe prokuroren

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i kërkojnë Inspektorit të Drejtësisë Artur Metani të hetojë tre gjyqtarë të apelit të Tiranës një të shkallës së parë si dhe një prokurore pasi gjykohet se kanë shkelur të drejtat e një të pandehuri, i cili, pavarësisht se akuzohej për vjedhjen e një portofoli me vlerë 1,200 lekë, u vendos në masë sigurie arrest me burg. I pandehuri më vonë kreu vetëvrasje në burg.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Burgu 325 në Tiranë | Foto ilustruese nga : LSA

Disa organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut vlerësuan se masa e sigurisë Arrest me Burg për një të pandehur të akuzuar për vjedhje dhe që më pas vrau veten në qelitë e paraburgimit, është dhënë në shkelje të Kodit të Procedurës Penale dhe duke cënuar të drejtat themelore të të pandehurit, i cili ishte me aftësi të kufizuara.

Organizatat i dërguan një letër publike inspektorit të drejtësisë Artur Metani, të cilit i kërkuan të hetojë gjyqtarët Maria Qirjazi, Elona Toro dhe Artur Kalaja të Gjykatës së Apelit, gjyqtarin Ardian Kalia të shkallës së parë dhe prokuroren Elina Kombi. Sipas konkluzioneve të nxjerra nga shqyrtimi i rastit nga juristët e Komitetit të Helsinkit në Tiranë, këta persona dhanë masë sigurie arrest me burg duke i mohuar të pandehurit të drejtën për avokat mbrojtës si dhe duke përdorur me tepri këtë masë sigurie ndërkohë që kishin dijeni se i pandehuri ishte me aftësi të kufizuara.

Shtetasi Bilal Hasani vari veten në njësinë e paraburgimit në Tiranë njohur si burgu 313 “Jordan Misja” në Tiranë më 21 shkurt 2020. Ai ishte 43 vjeç.

Vendimi për masë sigurie për të u denoncua fillimisht nga emisioni Stop në TV Klan, ku familjarët argumentuan se Hasani nuk duhej të gjykohej me masë sigurie arrest me burg për shkak se vuante nga skizofrenia.

Regjistrimi audio i seancës gjyqësore u publikuar në media duket se mbështet pretendimet e familjarëve.

“Nga materiali i publikuar në media rezulton se gjendja shëndetësore e personit nën hetim, të ndjerit Bilbil Hasani, është anashkaluar edhe nga ana e prokurores znj.Elina Kombi,” shkruhet në letrën e firmosur nga nëntëmbëdhjetë organizata.

“Rezulton se gjyqtari i gjykatës së shkallës së parë Z. Ardian Kalia, i cili ka realizuar vleftësimin e masës arrest në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ka qenë në dijeni të gjendjes shëndetësore, për shkak se 3 (tre) epikriza janë depozituar nga ana e mbrojtëses së zgjedhur dhe janë bërë pjesë e fashikullit gjyqësor,” vijon më tej letra.

Gjykatat shqiptare janë të njohura për përdorim me shumicë të masës së sigurisë arrest me burg, një tregues ky që sipas studiuesve, përbën një neglizhencë të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe brendësim instuticional të prezumimit se kushdo që përfundon në gjykatë duhet me doemos të jetë fajtor.

“Caktimi i masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’ mund të shmangej ndaj shtetasit Bilal Hasani dhe të zbatoheshin alternativa më të lehta të kësaj mase,” shkruhet në letër.

“Përveç se nuk ka kryer një vepër penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, izolimi i këtij shtetasi të diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor në paraburgim solli pasoja tragjike në jetën e tij,” vijon më tej letra.

Organizatat i bëjnë gjithashtu thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të “kontribuojnë në ndërgjegjësimin e aktorëve të sistemit të drejtësisë që masa e sigurimit “arrest në burg” të zbatohet në mënyrë përjashtimore si masë e fundit, konform standarteve ndërkombëtare por dhe kërkesave të Kodit tonë të Procedurës Penale.”