Gjykata e Vlorës caktoi masën arrest me burg për 31 persona, kryesisht banorë të fshatrave të Vlorës, të akuzuar për kultivim kanabisi, mes të cilëve dhe një punonjës policie i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Gjykata e Vlorës caktoi të mërkurën masën arrest me burg për 31 persona të akuzuar për kultivim kanabisi, mes të cilëve dhe një punonjës policie i akuzar për “shpërdorim detyre”.
Ndërkohë 6 persona me masa sigurie arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje të proceduar në të njëjtin hetim, masat do iu komunikohen të enjten. Ish-shefi i Komisariatit të Himarës dhe 3 punonjës policie të këtij komisariati po ashtu të akuzuar për shpërdorim detyre, do të dalin para gjykatës të enjten.
Seanca u drejtua nga qjyqtarja Elona Mihali, e cila pranoi kërkesën e prokurorit Maksim Sota, duke lënë në fuqi masat arrest me burg, përveç rastit të një të akuzuari që rezultoi pozitiv me COVID-19 dhe u caktua në masë arrest shtëpie.
Avokatët pretenduan masa më të lehta sigurie dhe për një të pandehur u pretendua para gjykatës se nuk ishte i aftë mendërisht, por pretendimet nuk u pranuan.
Seanca, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pati grumbullim të madh të personave, të akuzuar, avokatë dhe punonjës policie, pavarësisht detyrimeve për të shmangur grumbullimet nga masat anti COVID-19.
Të arrestuarit janë kryesisht banorë të fshatrave të Vlorës. Nga hetimet rezultoi se ato kishin hapur parcela në zona pyjore dhe po ashtu ngritur kasolle dhe vende tharje. Dy gra që janë arrestuar në operacion dyshohet se kanë marrë pjesë në procesin e pastrimit të kanabisit. Të tjerë persona janë arrestuar më herët në shtator dhe tetor gjatë aksioneve në parcelat ku u gjet kanabis i mbjellë dhe po ashtu vende tharjeje.
Ndërkohë nga materiali hetimorë mbi të cilin prokuroria paraqiti kërkesën për masë sigurie rezulton se punonjësit e policisë nuk kishin kryer kontrollet në zonat ku u gjet kanabisi edhe pse kishin pasur denoncime. Prokurori Sota thotë në kërkesën për masë sigurie se në disa episode punonjësit e policisë kishin shkuar për verifikim, por nuk kishin raportuar parcelat edhe pse ato u kapën një muaj më pas.
Jashtë gjykatës familjarë të të arrestuarve pretenduan se ata ishin të pafajshëm dhe kërkuan lirimin e tyre. Sherife Guhaçaj, nëna e Besnik dhe Eduart Gugaçaj, jashtë gjykatës kërkoi lirimin e 3 djemve të saj. Pasi edhe djali i tretë i familjes gjendet në burg, i arrestuar në tetor kohë kur nisën hetimet dhe u bë sekuestrimi u lëndës narkotike.
Nëna e Marjus Drizës, njërit prej të arrestuarve, ka pretenduar se djali dhe kushëriri saj Dashamir Troka janë arrestuar pa të drejtë. “Im bir punonte në sherebelë (mbledhjen e çajit) në toka bujqësore në fshat. Është i pafajshëm, e di se kemi punuar bashkë!” – tha ajo.
Ndërkohë po gjatë zhvillimit të seancës teksa familjarët kanë qënë në pritje jashtë Gjykatës së Vlorës, policia lokale ka shoqëruar për marrje në pyetje disa familjarë të të ndaluarve. Të cilët kryesisht rezultojnë të kenë dijeni mbi rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve dhe rezultojnë “aktivë” në përgjimet telefonike dhe ambientale. Sakaq, disa telefona janë sekuestrestruar si dhe janë marrë të dhënat rreth numrave telefonik të tjerë në përdorim nga të akuzuarit gjatë periudhës së hetimit.
Në kërkesën e prokurorisë për masë sigurie përmenden 12 episode të kultivimit, 32 vende ku ishin parcelat me kanabis, ishin sekuestruar 12.144 bimë narkotike, 120,9 kilogramë lëndë narkotike e tharë dhe janë gjetur 7 kasolle të ndërtuara për përpunimi i bimëve narkotike dhe qëndrimin e kultivuesve.