Lajm13 Mar 2019

Arrest shtëpie për protestuesin e akuzuar se goditi efektivin e FNSH-së në Fier

Gjykata e Fierit caktoi masë sigurie “arrest në shtëpi” për një 56-vjeçar të akuzuar se qëlloi me gur një efektiv të policisë gjatë protestës së opozitës në Fier. Policia e Shtetit lajmëron kallëzim penal për gjykatësin. 

Autor: Fatmira Barjami BIRN Fier
Printo

Protesta e opozitës në Fier gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama në qytet. Foto:Fatmira Barjami

Gjykata e Fierit caktoi masë sigurie “arrest në shtëpi” për një 56-vjeçar të akuzuar se qëlloi me gur një efektiv të policisë gjatë protestës së opozitës në Fier. Dy persona të tjerë të arrestuar po për këtë protestë u lanë me masë sigurie detyrim paraqitje.

Pas tre orësh seancë nën masa shtesë sigurie prej policisë, gjykatësi Pirro Sota vendosi të mërkurën masën e sigurisë arrest shtëpie për 56 vjeçarin nga Ballshi Pëllumb Isufaj. Isufaj dyshohet se goditi me gurë në kokë një efektiv të policisë. Ndërkohë për dy protestuesit nga Fieri Enkeled K. 37 vjeç dhe Lavdimir Z. 42 vjeç u dha masë sigurimi detyrim paraqitje.

Katër të arrestuar të tjerë për bllokimin e rrugës mes Tiranës dhe Fierit më 9 mars u lanë me masë detyrim paraqitje të martën nga Gjykata e Fierit. Mbrojtësit e të akuzuarve për “Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë” dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, nuk bënë komente pas njoftimit të vendimeve.

Protestuesit tentuan të bllokonin rrugën mes Tiranës dhe Fierit dhe u përplasën me policinë pranë vendit ku kryeministri Edi Rama zhvilloi një tubim elektoral me banorë të Fierit për të konfirmuar kryebashkiakun aktual Armando Subashi.

Protesta ishte pjesë e përshkallëzimit të protestave të opozitës në vend. Protestuesit u larguan pas ndërhyrjes së policisë, por një punonjës i kësaj të fundit mbeti i lënduar nga një gur gjatë përplasjeve dhe u dërgua në spital.

Policia pretendon se ka identifikuar personi që qëlloi me gurë ndaj efektivit të saj. Sipas policisë nga pamjet filmike rezultoi se 56 vjeçari Pëllumb Isufaj, me detyrë inspektor i mjedisit në Bashkinë Ballsh, ishte personi që kishte qëlluar ndaj efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Policia raportoi shoqërimin e disa dhjetra personave gjatë protestave dhe bllokimeve të rrugës, përfshi drejtues lokal të Partisë Demokratike, por akuza janë ngritur ndaj 7 personave për të cilët u kërkua masë sigurie.

Policia e Shtetit reagoi menjëherë pas vendimit të Gjykatësit së Shkallës së Parë Fier, Pirro Sota, për të liruar nëpunësin e Bashkisë Mallakastër. Duke akuzuar gjykatësin për arrogancë dhe “shpërfillje ekstreme të ligjit dhe injorimi flagrant i provave të pakundërshtueshme”, Policia e Shtetit bëri me dije se do ta kallëzonte atë penalisht. “Rreziku për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit, shtohet jo vetëm nga papërgjegjshmëria e elementëve kriminalë, por edhe e gjyqtarëve të lidhur me krimin”, thuhet në një njoftim të policisë.