Lajm16 Jan 2020

Arrest shtëpie për të akuzuarin për tentativë vrasjeje

Gjykata e Apelit në Tiranë liroi nga arresti me burg dhe përcaktoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Ergys Kolaverin, të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë, për shkak se ndaj të pandehurit ka mbaruar afati 9-mujor i paraburgimit, ndërkohë që gjyqi i tij në Apelin e Krimeve të Rënda është zvarritur prej 15 muajsh pa vendim të formës së prerë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjykata e Apelit, Tiranë. Foto nga faqja zyrtare.

Ergys Kolaveri, një i dënuar në shkallën e parë të krimeve të rënda me 20 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë duke përdorur një snajper për të shënjestruar një të burgosur në burgun e Vaqarrit në Tiranë, u nxorr nga  burgu për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit, bëri të ditur Gjykata e Apelit.

Kolaveri akuzohet se ka tentuar të vrasë më 30 korrik 2016 shtetasin Gazmir Daci, i cili gjendej në burgun e Vaqarrit në pritje të gjykimit për akuzën e vrasjes së Gazmir Kolaverit dhe plagosjen e rëndë të Robert Kolaverit. Gazmir Kolaveri është vëllai i Ergysit, i cili akuzohet se tentoi të hakmerren për vrasjen e të vëllait duke zënë pritë me snajper për të goditur Dacin në orarin e “ajrosjes”, kohën kur të burgosurit lejohen të dalin në ajër të pastër në oborrin e burgut.

E shtëna e Ergys Kolaverit nuk preku shënjestrën e synuar por plagosi një person tjetër brenda burgut. Ergysi u arrestua më vonë pasi tentoi të largohej me automjet.

Në nëntor 2017, ai u dënua në Shkallën e Parë për Krimet e Rënda me 20 vjet burg, bendim të cilin ai e ka apeluar. Problemi është se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nuk ka arritur të marrë vendim mbi çështjen pavarësisht se kanë kaluar pesëmbëdhjetë muaj nga vendimi i shkallës së parë. Ndërkohë, çështja e Ergys Kolaverit është kaluar për kompetencë në Gjykatën e Apelit Tiranë pasi Apeli i Krimeve të Rënda është shpërbërë. Por ndërsa pritet të shqyrtohet çështja, afati i paraburgimit të tij ka përfunduar.

Koordinatorja për të drejtën e informimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, Lertida Balili tha: Mbrojtja e ka paraqitur kërkesën bazuar në nenin 263 të Kodit të Procedurës Penale, KPP pika 3, gërma (c), ku thuhet se “paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga dita e dhënies së vendimit të dënimit në shkallë të parë kanë kaluar afatet e mëposhtme pa u dhënë vendimi i dënimit në gjykatën e apelit: … c) nëntë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”.

Për rrjedhojë masa e sigurisë së tij u vendos ‘arrest shtëpie’, me mbikëqyrje elektronike dhe të punonjësve të policisë 24 orë në 24 orë.