Hetimi i nisur “kryesisht” pas një investigimi të BIRN solli arrestimin e Drejtorit të Burgut të Durrësit Astrit Kotaj dhe shpalljen në kërkim për juristin T.L., nën dyshimin se kanë falsifikuar dokumentet duke ndihmuar në lirimin e Lulzim Berishës.
Prokuroria e Durrësit lëshoi sot të mbrëmje (21 dhjetor) dy urdhërarreste për dy zyrtarët më të lartë të Burgut të Durrësit për shkak të hetimit mbi lirimin para kohe të Lulzim Berishës, kreut të “Bandës së Durrësit”.
Drejtori, Astrit Kotaj u arrestua nga Policia e Shtetit pas urdhërit të prokurorisë ndërsa juristi, për të cilin prokuroria dha inicialet T.L., është shpallur zyrtarisht në kërkim.
“Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se Drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulëzim Berisha”, bëri të ditur Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për shtyp.
“Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se të dënuarit Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht”, vijon më tej njoftimi.
Mbi të dy rëndojnë dyshimet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim Detyre” dhe “Falsifikim të Dokumenteve”.
BIRN raportoi javën e kaluar se Lulzim Berisha arriti të fitojë lirimin para kohe me kusht falë disa vendimeve favorizuese të gjykatave në Durrës si dhe falë një letre mbështetëse të firmosur nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.
Pas publikimit të investigimit nga Zëri i Amerikës dhe Reporter.al, Prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve “kryesisht” për procedurat administrative dhe gjyqësore që sollën lirimin e Berishës.
Lulzim Berisha është dënuar për disa vrasje dhe vepra të tjera penale fillimisht në vitin 2012 me burgim përjetë ndërsa Gjykata e Lartë në vitin 2014 vendosi që masa e dënimit të reduktohet në 25 vjet burg. Vendimi i Gjykatës së Lartë i hapi rrugën një numri vendimesh të tjera për përfitim nga amnistia si dhe për falje dënimi për sjellje të mirë, gjë që solli lirimin e tij në fillim të dhjetorit pasi pati kryer më pak se 11 vjet burg.
Prokuroria e Durrësit raporton se po vijon hetimet për zyrtarë të tjerë të dyshuar.