Një person u arrestua në Kurbin pasi u gjet gjatë një kontrolli me dy mina me telekomandë të lidhura me telefona celularë.
Një 38-vjeçar u arrestua në Kurbin, pasi u kap me dy mina me telekomandë gjatë një operacioni të policisë së koduar “Miloti” nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin.
Policia njoftoi se kishte arrestuar shtetasin Besnik Osmani banues në Sukth Durrës.
“Gjatë kontrollit të ushtruar, në çantën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, një thikë që plotëson kushtet e armës së ftohtë, 1000 euro dhe aparate celularë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndalimi sipas policisë erdhi pas një hetimi 3-javor, ndërsa po hetohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në prodhimin dhe trafikimin e minave me telekomandë për shpërthim në distance.
Shpërthimet me mina në distancë dhe vendosja e sasive të eksplozivit është kthyer në trend vitet e fundit për realizimin e atentateve. Nga operacionet e policisë duket se ky aktivitet e siguron “lëndën e parë” në rajonin e Shqipërisë Qendrore.