Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku dhe Drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimaj, në dy takime të ndryshme kritikuan strukturat lokale për apati dhe ulje të zbulueshmërisë.
Gjatë analizës vjetore të Prokurorisë së Apelit në Vlorë Arta Marku veçoi Vlorës si qarkun me nivelin më të lartë të krimit, duke e krahasuar me Fierin dhe Beratin. “Ngjarjet kanë qenë nga më të dhunshmet në qytetin e Vlorës dhe një pjesë e madhe e tyre janë ende të pazbuluara”, tha Marku.
Prokurorja ishte në këtë takim në të njëjtën ditë kur KLP njoftoi hapjen e garës për Prokuror të Përgjithshëm. Marku nuk është shprehur ende nëse do të kandidojë për një mandat të plotë.
Marku po ashtu kritikoi punën e prokurorisë dhe Policisë së Shtetit duke thënë se kishte vërejtur apati. “Me keqardhje pranoj se kam vënë re një apati në veprimet qoftë të Prokurorisë, qoftë të Policisë së Shtetit”, tha ajo.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme po ashtu vuri theksin në faktin që prokurorët ishin të pavarur dhe se do mbanin vetë përgjegjësitë për dështimet.
“Ju tani jeni të pavarur në punën tuaj dhe shpejt do vijë momenti që përgjegjësinë për çdo dështim do ta mbani vetë personalisht. Është çështje kohe që disa pseudo juristë ose pseudo analistë të kuptojnë pavarësinë tuaj dhe të dinë ku t’i kërkojnë përgjegjësitë”, tha Marku duke iu referuar me gjasë sulmeve ndaj saj për vendimarrjen në prokurori.
Ndërkohë në të njëjtën ditë Drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimaj gjatë një analize të punës së task-forcës kritikoi policinë lokale për mungesë masash në kultivimin e narkotikëve. “Në të gjitha strukturat e policisë ka pasur mungesë aktiviteti në organizimin e punës operative për sigurimin e informacioneve lidhur me kultivuesit dhe organizmin e operacioneve për kapjen ne flagrancë të autorëve”, tha Brahimaj.
Ai po ashtu kritikoi mungesën e informacionit nga pushteti vendorë dhe bëri me dije se goditja e parcelave nuk do të cilësohet më një sukses, por paftësi në zbulimin e bazave të farërave.
“Në të gjitha strukturat e policisë ka pasur mungesë aktiviteti në organizimin e punës operative për sigurimin e informacioneve lidhur me kultivuesit. Strukturat e drejtorisë vendore të policisë nuk kanë bërë të mundur të sigurojnë informacione të plota për personat që sigurojnë farën e kanabisit”, tha Brahimaj.
Zyrtarët e lartë të policisë e Prokurorisë kanë kërkuar bashkëpunim ndërinstitucional. Drejtori Policisë së Vlorës, Gentjan Shehaj u largua sëfundmi nga posti që mbante. BIRN gjeti në një shkrim të publikuar sëfundmi se nga mbi 20 atentate kryesisht me tritol e zjarrvënie makinash në qytetin e Vlorës asnjë nuk ishte zbardhur.
Ndërkohë në vitin 2018 Vlora u vu në qendër të vëmendjes për një numër të madh personash të zhdukur, çështjet e të cilëve po ashtu nuk janë zbardhur edhe pse dyshohet se zhdukja ka të bëjë me kultivimin dhe trafikimin e drogës.