Interviste10 Oct 2016

Artan Rama: Emisioni “Públicus” tregonte çfarë ndodhi në Landfillin e Sharrës

Producenti i emisionit “Públicus”, Artan Rama, shpjegon arsyet e bllokimit të transmetimit në Vizion Plus.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Regjisori Artan Rama.

Regjisori Artan Rama.

Artan Rama, regjizor dhe producent, ka një histori të gjatë bashkëpunimi me televizonin Vizion Plus. Projekti i fundit ishte “Públicus”, një emision investigativ, i cili nisi transmetimin tre javë më parë.

Emisioni ishte një post-produksion televiziv i fokusuar mbi çështjet e menaxhimit të pasurive publike, të pasurive natyrore dhe korrupsionit. Pas tri emisioneve të transmetuara, “Públicus” u bllokua të djelën e 9 tetorit, ku do të flitej për vdekjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në Landfillin e Sharrës, më 6 Gusht në rrethana ende të pa zbardhura nga prokuroria.

Producenti i emisionit, në një intervistë për BIRN tregon arsyet e konfliktit, i cili ka nisur sapo gazetarët janë interesuar në Bashkinë e Tiranës për marrëveshjen që Bashkia ka me kompaninë e që operon në Landfilldin ku përpunohen mbetjet në kryeqytet.

Rama, a mund të më thoni si ka nisur bashkëpunimi juaj me Vizion Plus dhe cila ishte marrëveshja që ju kishit për realizimin e emisionit “Públicus”?

Unë kam një histori të gjatë bashkëpunimi me këtë televizion, disa vjeçare do të thoja. Por gjatë verës së këtij viti pata një bisedë me administratorin e televizonit “Vizion Plus”, që është një nga aksionerët e tij, Genc Dulakun. I propozova idenë për të realizuar një emisionin, në fokus të të cilit do të ishte pasuria publike, zbatimi i ligjit dhe korrupsioni.

Kjo do të bëhej nëpërmjet investigimit, ku puna kryesore ishte në terren. Ndaj emisioni nuk kishte pjesë transmetimi në studio, por ishte konceptuar si një produksion në terren.

Me z. Dulaku ramë dakort dhe u krijua një ekip, i cili do të ndiqte çështje të caktuara. Grupi i punës përbëhej nga tre gazetarë, një kamaraman dhe një montazhier, ku unë isha producenti dhe regjisori i emisionit. Kishim dy muaj që punonim dhe deri në emisionin e tretë çdo gjë shkonte mirë.

Por cila ishte marrëdhënia juaj kontraktuale me Vizion Plus?

Nuk ishte një marrëdhënie klasike bashkëpunimi, që do të thotë se ne nuk ishim të punësuar dhe në vartësinë direkte të drejtuesve të Vizionit. Unë isha producent ekzekutiv dhe ofroja idenë dhe televizioni ofronte mundësinë e realizmit dhe transmetimit.

Kur filluan problemet me transmetimin e emisionit?

Në emisionet e para, problematikë të vetme kishim institucionet publike, të cilat nuk ofronin informacione dhe pse ne dërgonim dhjetëra shkresa, bazuar mbi ligjin për të drejtën e informimit.

Konflikti nisi që kur gazetarë të emisionit trokitën në dyert e Bashkisë së Tiranës për të kërkuar informacion mbi Landfillin e Sharrës.

Ditën e mërkurë, më kërkuan të raportoja për emisionin e radhës. Kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë dhe as nuk ishte pjesë e marrëveshjes që unë kisha më z. Dulaku. Zakonisht, të premteve unë në programacion raportoja vetëm temën e emisionit dhe kjo ishte normale, por jo përmbajtjen dhe sidomos që në nisje të javës.

Konkretisht kur e dërguat gazetarin e emisionit tek Bashkia e Tiranës dhe pse?

Ne kishim vendosur që emisioni i radhës të ishte i fokusuar mbi Landfillin e Sharrës, ku një minoren humbi jetën në rrethana ende misterioze.

Në fokus të emisionit ishte përgjegjësia e institucioneve shtetërore me këtë ngjarje. Ndaj dhe gazetari Jetmir Olldashi shkoi në Ndërmarrjen Nr. 1 të Bashkisë së Tiranës e cila ka marrëdhënie dhe kontakte direkte me kompaninë që përpunonte mbetjet në Sharrë, ku dhe humbi jetën Arditi. Kishim të dhëna se ndërmarrja e Bashkisë nuk ishte bashkëpunuese me hetimin që po kryen prokuroria. Prokurorët kërkojnë marrëveshjen që Bashkia ka me kompaninë dhe sidomos manualin e sigurisë së punonjësve. Ne nuk e dimë ende çfarë ka në atë manual, por nisur nga interesi që ka prokuroria për këtë manual, kuptojmë arsyen pse Bashkia ngurron të jetë bashkëpunuese aq sa sorollatin me javë oficerët e policisë gjyqësore.

Unë nuk e di çfarë ka ka ndodhur më pas, por fill pas kësaj, drejtori i televizionit ka kërkuar të njihte përmbajtjen e emisionit të radhës dhe më ka kërkuar takim në zyrë.

Kur e takova dhe më tha si ka mundësi që po realizoja dy emisione me të njëjtën çështje. I shpjegoj se nuk është aspak e vërtetë. Emisioni paraardhës kishte të bënte me ligjin e importit të plehrave ndërsa emisioni i së dielës kishte të bënte me fatkeqësinë e një të mituri. I shpjegova se kemi folur me familjarët e tij. E pashë që nuk i pëlqeu. “Mirë” – më tha- “do flas me aksionerët e tjerë e do të të kthej përgjigje”.

Çfarë ndodhi më pas?

Të premten i çoj s.m.s. z. Dulaku për të ditur se çdo të bëhej se duhet të transmetohej promoja e emisionit që ne e kishim titulluar “Kodra e vdekjes”. Nuk më ktheu përgjigje. Të shtunën i vajta në zyrë dhe i thashë që ne punën e kemi mbyllur. Më tha shkurt se emisioni nuk do e transmetohej. Nuk dha arsye për këtë.

Bëhej fjalë për mos transmetimin e një emisioni apo edhe për vijimësinë e bashkëpunimit tuaj?

Pasi nuk u lejua të transmetohej emisioni i radhës unë nuk mund të vazhdoja më bashkëpunimin. Nuk kishte më bashkëpunim, të paktën jo në kushtet për të cilat kishim rënë dakord.

Kontrata jonë ishte që ne të transmetonim të dielën “Kodrinën e vdekjes” dhe në momentin që ata nuk pranojnë ta transmetojnë s’ka më marrëveshje.

A ka qenë e shkruar kjo marrëveshje e juaja?

Nuk kemi asnjë kontratë të shkruar. Ka qenë një marrëveshje që ne kishim rënë dakord me fjalë.

Po pjesa tjetër e stafit kishte kontratë pune?

Për momentin asnjë prej tyre nuk ka dhe të gjithë janë të papunë.

Sipas jush, kush ishte kundër transmetimit të këtij emisioni?

Unë nuk kam një provë që ta vërtetoj sepse nuk e di, por besoj se deputetë që kanë iniciuar ligjin e mbetjeve. Ishin ata që telefonuan personazhet që ne kishim intervistuar. Shumë e çuditshme është që kjo ndodh menjëherë sapo trokasim në dyert e Bashkisë së Tiranës, por unë mendoj se e gjithë fryma e programit, e cila ishte e fokusuar tek çështjet e menaxhimit të fondeve publike, mund t’i ketë trembur pronarët të cilët, në fund të fundit varen nga fondet publike, marrin fonde nga qeveria.

Pyetja që shtroj është se çfarë problemesh kanë këto biznese që frikësohen nga presionet e drejtuesve publikë? Mendoj se vendimmarrja për të bllokuar këtë emisionin nuk lidhet vetëm me Bashkinë e Tiranës por edhe institucionet më të larta të qeverisjes.

Kjo qeveri nuk e ka problem raportimin apo dhe ato çka thuhet në sudio televizive. Të lënë të flasësh për të justifikuar lirinë e fjalës, për të thënë se ka demokraci, por në momentin që ti provon korrupsionin e qeveritarëve atëherë ke probleme. Dhe kjo ndodhi me emisionin “Públicus”.