Reportazh8 Aug 2019

Arti pa biletë; a duhet t’i japim fund koncerteve falas?

Sipas ekonomistëve nuk ekziston një gjë e tillë si ‘dreka falas’, por megjithatë, në Shqipëri rëndom ofrohen koncerte të muzikës klasike pa biletë, duke hapur një debat mes artistëve mbi marrëdhënien e tyre me spektatorin.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Tiranë
Printo

Nata përmbyllëse e bienales së muzikës klasike në amfiteatrin e ‘Durrësit’ | Foto : Gëzim Kabashi

Edicioni i nëntë i bienales “Netët e muzikës klasike” që u zhvillua në Durrës nga 1 deri në 7 gusht, veç të rejave artistike, solli një raport të ri me spektatorin artdashës.

Organizatorët për herë të parë që nga viti 2003, kur nisi rrugëtimi i bienales, njoftuan që herët se koncertet e gjashtë mbrëmjeve në hotelin “Adriatiku” do të ndiqeshin nga shikuesit kundrejt biletave me pagesë.

Vendimi për t’i dhënë fund koncerteve falas është kushtëzuar nga tema e bienales të këtij vit, “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, që bënte një kombinim midis muzikës klasike dhe traditës së prodhimit të verës.

Megjithatë, ky hap në pamje të parë aspak revolucionar i organizatorëve, ka hapur një debat mes artistëve mbi nevojën që çdo gjini arti të konsumohet kundrejt biletës, si një formë kontrate midis artistit dhe spektatorit.

“Ishte një zgjedhje, që kushtëzohej nga tema e këtij edicioni,” tha për BIRN, FlorianVlashi, themelues dhe drejtor artistik i bienales pas mbrëmjes përmbyllëse, që solli për artdashësit në amfiteatrin antik veprën madhore të Vivaldit “Katër Stinët”.

Në qytetin e Durrësit shfaqjet e filmave në festivale, koncertet me muzikë klasike e moderne apo ekspozitat e arteve figurative, që prej 30 vitesh shpesh ofrohen për publikun pa pagesë, duke u mbështetur financiarisht nga qeveria, bashkia, fondacionet private ose përfaqësitë diplomatike. Megjithatë, kjo formë e të bërit art ka krijuar një lloj distance midis artistëve dhe artdashësve.

Ndryshe nga vitet e tjera, edicioni sivjetshëm i bienales, përveç  formacioneve të ndryshme muzikore si duo, trio, kuartete apo ansamble, përfshiu dhe somelierë vendas dhe të huaj.

Bashkë me muzikën klasike, artdashësit në bienale mund të degustonin verërat e një cilësie të lartë nga kantina simbolike – shumë prej tyre të lidhura me muzikën dhe muzikantët, si Frescobaldi apo Verdi. Numri i përgjithshëm i artistëve në skenë arriti në 54, pa përfshirë grupin e padukshëm të njerëzve që përgatitën çdo shfaqje.

Verërat ishin gjithashtu protagoniste gjatë bienales “Netët e muzikës klasike,’ në Durrës | Foto : Gëzim Kabashi

Vlashi, i cili jeton dhe punon prej 27 vjetësh në Spanjë, shprehet se për të organizuar një koncert kërkohen qindra orë përgatitje – punë kjo shpesh e padukshme për publikun.

“Koncerti është vetëm maja e ajsbergut,” tha violinisti durrsak.

Akademiku kosovar Rauf Dhomi, kompozitor mjaft i njohur, i ka ndjekur të gjitha mbrëmjet e bienales dhe është i entuziazmuar nga niveli i paraqitur, por edhe nga risitë e festivalit “Netët e muzikës klasike”.

“Të porosisësh dhe të paraqesësh në premierë botërore veprat e tetë kompozitorëve shqiptarë, do të mjaftonte për t’u klasifikuar si veprimtari ndërkombëtare që njeh sukses,” tha Dhomi,

“Të gjitha formacionet orkestrale u dhanë dëgjuesve më shumë sesa kënaqësi, u dhanë cilësi të reja muzikore,” shtoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i festivalit, kompozitori Haig Zacharian, i tha BIRN se përvoja e biletës me pagesë në festival është akoma e pakonsoliduar por organizatorët  janë munduar të akomodojnë mundësitë financiare të të rinjve dhe të moshuarve.

“Ne u kujdesëm që të rinjtë nën 18 vjeç dhe të moshuarit mbi 65 vjeç t’i shijonin spektaklet pa nevojën e biletës,” tha Zacharian.

Megjithëse futja e biletës për festivale të ngjashme ka hasur vështirësi edhe në kryeqytet, Zacharian shprehet se bienalja do të vijojë të ofrojë art dhe muzikë kundrejt pagesës.

“Bileta është një lloj kontrate mes artistit dhe dëgjuesit,” tha ai. “Kjo është e vetmja mënyrë, që në fund të shfaqjes spektatori të duartrokasë apo të vërshëllejë, nëse spektakli që ndoqi nuk i pëlqen,” shtoi Zacharian.

Kompozitori Rauf Dhomi nënvizoi se biletat për koncertet e muzikës klasike janë një sfidë më vetë edhe në Prishtinë, për shkak se shumica e audiencës përbëhet nga studentë.

“Kur vjen puna për të konsumuar art kundrejt pagesës, fatkeqësisht njerëzit druhen,” tha ai.

Regjisori Haxhi Rama kujton se para disa vitesh në teatrin “Aleksandër Moisiu” u hoq praktika e ftesave për shfaqjet teatrale duke vendosur një shenjë barazie midis spektatorëve.

“Kjo duhet të ndodhë edhe me veprimtaritë e tjera artistike, të çdo lloji, pasi bileta ia shton përgjegjësinë artistëve në skenë,” tha ai, duke shtuar se të ardhurat nga shfaqjet apo koncertet duhet të shkojnë për rritjen e cilësisë artistike.

Soprano Inva Mula duke performuar gjatë bienales ‘Netët e muzikës klasike,”

Sipas Ramës edhe në galerinë e artëve pamore të qytetit bregdetar, një nga institucionet publike të artit në Durrës, duhet të aplikohet një biletë simbolike.

“Kjo do ta bëjë hapësirën e ekspozimit një vend ku nuk mund të vendosen vepra pa asnjë vlerë, siç ka ndodhur në disa raste,” përfundoi ai.

Vlashi, i cili angazhohet familjarisht në organizimin e bienales, shprehet se ky aktivitet kulturor nuk u mbështet këtë vit financiarisht nga Ministria e Kulturës.

“Ne do të synojmë që bienalja e ardhshme të jetë e pavarur nga financimi publik,” tha ai, duke nënvizuar se kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur zvarritjet dhe burokracitë e sistemit

“Kjo është një arsye më shumë, për t’iu larguar ombrellës së shtetit, duke siguruar nga individët dhe entet private paratë për ta çuar përpara nismën 16-vjeçare,” tha ai “Kjo është një arsye më shumë për të mos u kthyer pas edhe në aplikimin e biletës për spektatorët,” përfundoi Vlashi.