Duke theksuar nevojën për mirëmbajtjen e Teatrit Kombëtar, një grup aktorësh, regjisorësh dhe skenografësh e hodhën poshtë propozimin pompoz e qeverisë duke e cilësuar atë si një “lodër e bukur por pa teatër” si dhe duke kërkuar ndërtimin e teatrit kombëtar me paratë e taksapaguesve dhe pa koncesion.
Duke e cilësuar nismën e qeverisë për të ndërtuar pallate private mbi tokën publike të zënë aktualisht nga teatri kombëtar si “arrogancë pushteti”, një grup artistësh u mblodhën të hënën në një sallë të vogël në Teatrin Kombëtar për të paraqitur nismën “Të Shpëtojmë Teatrin”, takim në të cilin plani i qeverisë për teatër me koncesion u kritikua ashpër.
Disa e cilësuan projektin e qeverisë si të tillë që synon ta kthejë teatrin në një aneks apo një hale të kullave shumëkatëshe që synohen të ndërtohen nga biznese të paidentifikuara zyrtarisht.
Aktori Arben Derhemi, në rolin e kryetarit të sindikatës së artistëve, deklaroi se mbledhja u thirr pasi aktorët që morën pjesë në prezantimin e projektit të teatrit të ri nga kryeministri Edi Rama “nuk patën mundësi të flasin”.
Rama solli në selinë e kryeministrisë një arkitekt danez më 12 mars, i cili prezantoi një maket, shfaqje që publiku i gjerë e ndoqi përmes të ashtuquajturit “ERTV”, shërbimit televiziv të zyrës së marrëdhënieve me publikun të qeverisë, për të cilin kryeministri ka deklaruar se ka “zëvendësuar nevojën për kameramanë dhe gazetarë”.
Por në çastin kur artistët pjesëmarrës në takim u ngritën për të bërë pyetje dhe vërejtje, Rama ia ndërpreu fjalën duke thënë se “nuk kishte kohë”, ndërsa programi i tij televiziv e mbylli transmetimin pa i dhënë mundësi pjesëmarrësve të jepnin opinionin e tyre.
“A punojnë këto?” pyeti aktori 76 vjeçar Robert Ndrenika në hyrje të takimit duke bërë shenjë nga mikrofonët e vendosura mbi një karrike. “Po pyes sepse në takimin në kryeministri pa dashje m’i hoqën”, shtoi ai duke iu referuar censurës së zbatuar nga ERTV në takimin e 12 marsit.
“Nuk jam mirë me shëndetin por kam ardhur të sqaroj disa gjëra që nuk i thashë dot në kryeministri sepse ‘pa dashje’ ma hoqën mikrofonin,” shtoi Ndrenika, i njohur për dhjetëra role në teatër dhe kinema.
“Projekti në përgjithësi më pëlqeu,” tha Ndrenika, “por kur pyeta për detaje, maketi që më dhanë më ngjau si lojë kalamajsh. Nuk mund të gjykoja me të.”
“Që ta dini, në një teatër, nëse salla është një e katërta, tre të katërtat janë skenë”, shpjegoi Ndrenika duke iu referuar skenës, pas-skenës dhe mjediseve ndihmëse që përbëjnë anën zakonisht të padallueshme nga publiku të një teatri.
“Por ajo që më shqetësoi atje është i ashtuquajturi partneritet privat, unë personalisht jam kundër këtij të ashtuquajturi partneritet privat, për arsye se jam i bindur dhe nuk ma heq perëndia nga mendja se teatri është një objekt që duhet ta bëjë shteti, me paret e taksapaguesve, jo me paret e shtetit se ku mund t’i gjejë kryeministri paratë,” shtoi ai.
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj thonë se qeveria nuk ka para për të ndërtuar një teatër kombëtar dhe për këtë arsye, synojnë të japin një sipërfaqe prej disa mijëra metrash katrore toke publike aktualisht të zënë nga teatri, për disa kompani të paidentifikuara private përmes të ashtuquajturave skema të partneritetit publik privat. Kritikët thonë se synimi i kryeministrit është që të përvetësojë për kompanitë private tokën fitimprurëse në qendër të Tiranës, ku teatri është një pengesë për synimin kryesor të ndërtimit të kullave dhe jo një synim në vetvete.
“Partneriteti privat është në interes të privatit, nuk është në interes të teatrit,” tha Ndrenika, i cili me kundërshtimin e tij për planin e qeverisë është bërë figura simbol e rezistencës në mbrojtje të teatrit kombëtar.
Artistët pranuan se ndërtesat ekzistuese të teatrit, të ndërtuara në kohën e Luftës së Dytë Botërore, janë në gjendje të amortizuar, por disa mendojnë se vlerat e tyre historike, përfshirë fasadat, duhet të ruhen dhe një ndërtesë e re teatri të mund të ngrihet në pjesën e pasme të dy ndërtesave aktuale. Disa mendojnë se ndërtesat aktuale duhet të mirëmbahen dhe të ruhen siç janë ndërsa një teatër i ri kombëtar mund të ndërtohet gjetkë.
Edhe në ndërtesat aktuale ka shumë mungesa, komentoi regjisori dhe skenaristi Bujar Kapexhiu. “Mungojnë mjediset për prova, për grim, për bibliotekë,” tha ai duke shtuar se ndërtesa e re duhet të plotësojë këto nevoja, jo të tkurret në një ndërtesë më të vogël të rrethuar nga kullat.
“Ne nuk duhet të prishim, duhet të rikonstruktojmë të vjetrat dhe të ndërtojmë të re,” tha ai.
Artistët u mbështetën nga shumë qytetarë në mbrojtje të teatrit.