Reportazh19 Nov 2018

As bashkia dhe as Mitropolia: Një 77 vjeçar mban gjallë legjendën e Kishës së Sinjës

Jani Pjetri, 77 vjeç, harxhon prej vitesh pensionin dhe kursimet për të mirëmbajtur kishën monument kulture të Shën Mërisë në fshatin Sinjë. Ai përballet me mungesë vëmendjeje nga institucionet dhe me vandalizmin. 

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Jani Pjetri në kishën e Shën Merisë. Foto: Erjola Azizolli

Legjenda- thonë banorët e Sinjës së Beratit, flet për mure që ngriheshin ditën e shembeshin natën rreth 700 e kusur vite më parë, kur fshati u bë bashkë të ndërtonte një kishë, por themelet e saj nuk mbanin.

Kjo i detyroi banorët të ndryshonin herë pas here vendin e themeleve. Derisa një e moshuar-vazhdon legjenda- pa në ëndër një zjarr poshtë shkëmbit në grykë të një shpelle. Kështu, themelet u vunë aty ku ndodhet sot Kisha e Shën Mërisë në fshatin Sinjë të Beratit.

E ndërtuar në shekullin XII-XII në hyrje të një shpelle, në një terren mjaft të vështirë shkëmbor, Kisha e Shën Mërisë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe është vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë të zonës dhe më gjerë.

Megjithatë për vite me radhë, ajo ishte thuajse e harruar.

Kur u kthye nga emigracioni në vitin 2010, Jani Pjetri, sot 77 vjeç e gjeti kishën të braktisur. Në çati kishin rënë gurë, ndërkohë që mungonte elektriciteti, shkallët dhe një tualet. Ai vendosi të riparonte mesa mundej ndërtesën, që për të është një vend i shenjtë.

“Pasi u ktheva nga emigracioni, bëra pesë lekë, i hodha këtu ato pesë lekë. M’u mbaruan dhe kjo donte më shumë. Bëra një shoqatë, bashkarisht e rindërtuam,” tha Pjetri për BIRN.

Kisha e Shën Mërisë në fshatin Sinjë të Beratit. Foto:Erjola Azizolli.

Prej asaj kohe, Jani Pjetri shkon çdo javë në fshat për t’u kujdesur për godinën, ndërsa përballet jo vetëm me mungesën e fondeve nga qeverisja vendore dhe qendrore si dhe Mitropolia e Beratit, por edhe me vandalizmat.

Në një mëngjes nëntori, xha Janin [siç e thërrasin banorët] e takuam të shqetësuar në udhëtim e sipër drejt Sinjës, pasi kishin vjedhur arkën e dhurimeve dhe kabullin që furnizonte kishën me energji.

Arka në të cilën mblidhen pak para nuk e shqetëson shumë 77-vjeçarin, por kabulli që furnizonte me energji ndërtesën ishte një çështje tjetër. Ai kishte blerë vetë të parin dhe këtë herë harxhoi pjesën e mbetur të pensionit për ta zëvendësuar.

“Kur shkova herën e fundit tek kisha, pashë që ishte vjedhur dhe një pjesë e kabullit nga shtylla dhe menëjherë shkova në dyqan dhe 5 mijë lekët e fundit që më kishin ngelur nga pensioni bleva kabullin. Tani po pres të ma lidhin,” thotë Jani.

Pasi, ka njoftuar Metropolinë e Beratit, që ka nën mbikqyrje kishën, ai pret që të dërgohet një elektriçist për të bërë lidhje e kabullit.

Metropolia e Beratit ka nën administrim një numër të konsiderueshëm kishash të shpërndara në të gjithë qarkun dhe me fondet e saj mund të paguajë vetëm një person që e hap dhe e mbyll kishën çdo ditë. Jani thotë se u kishte kërkuar ndihmë atyre kur mbi çati kishin rënë gurë, por i kishin thënë se nuk kishin “mundësi ekonomike”.

Atëherë Jani Pjetri troktiti te Drejtoria Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat, ku ai është bërë i përhershëm për problemet e Kishës së Shën Mërisë. Por edhe prej këtej, ndihma nuk ka qenë e madhe.

Zyrtarë pranë kësaj drejtorie bëjnë me dije se kisha e “Shën Mërisë”  është shpallur monument kulture e kategorisë së parë në vitin 2015, dhe herë pas herë ka pasur ndërhyrje, ndonëse modeste me fonde të vetë drejtorisë.

“Vitin e kaluar është bërë ndërhyrje në çatinë e kishës, pasi mbi të ra një shkëmb,” i tha një prej tyre BIRN. Ai thotë se  Ministria e Kulturës ka premtuar investime, pasi tavani i saj është sërisht në rrezik nga rënia e shkëmbinjve, por nuk është e qartë se kur mund të fillojë restaurimi.

Punimet e realizuara fal Jani Pjetrit në kishën e Shën Mërisë. Foto: Erjola Azizolli

Tani për tani kishës i është gjendur vetëm Jani Pjetri dhe një grusht miqsh që janë listuar përkrah tij në një pllakë që tregon ata që ndihmuan për riparimet.

“Kur vendosa të bëj investimin tek kisha m’u bashkuan dhe shokët e mi: Lili Devole, Llazar Laçka, Kristaq Mjeshtri, Arqile Shyti e Nasi Ferro dhe së bashku me  shumë ish-banorë të larguar ndër vite,” thotë Pjetri.

Në qendër të fshatit Sinjë, xha Janin e ftojnë gjithmonë për kafe, ndërsa të tjerë banorë i japin qirinj apo të holla për t’i hedhur tek kisha, pasi nuk kanë kohë të shkojnë deri atje.  Për ta ai është njeriu që i riktheu kishës vëmendjen e munguar.

Ilirjan Toska është kryeplaku i fshatit dhe sa herë mundet pret dhe përcjell Jani Pjetrin, për të cilin flet me admirim.

“Ky njeri bëri atë që as komuna, as Mitropolia, askush nuk e ka bërë deri më sot,” thotë Toska, kryeplaku me besim mysliman, i cili shton se edhe për ta kisha është vend i shenjtë.

Shpesh Janit i është dashur t’u drejtohet banorëve të zonës për ndihmë dhe ata e ndihmojnë jo vetëm për respektin ndaj kishës, por dhe sepse nuk mund mos t’ia pranojnë kërkesat. “Si mund mos ta ndihmosh këtë burrë që ndonëse i moshuar, vjen deri këtu në dimër e verë, për t’u kujdesur për kishën,” thotë Fatmir Sakaj, banor i zonës.

“Kjo kishë është e shenjtë, të gjithë banorët besojnë tek legjenda e saj dhe xha Jani po e mban në këmbë. Ne do t’i jemi mirënjohës gjithë jetën,” përfundon Sakaj.