Analize20 Apr 2018

‘Asnjë rregull sigurie në Sharrë’, por faji për vdekjen e Ardit Gjoklajt mbetet jetim

Gjykata e Tiranës u dha pafajësi dy të akuzuarve të kompanisë “3R” për vdekjen e 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës në verën e vitit 2016. Prokuroria paralajmëron apelimin e vendimit, ndërkohë që avokati i njërit prej të pandehurve thotë se “fajtorët duhen kërkuar diku tjetër”.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Një grafit në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë paraqet imazhin e Ardit Gjoklajt, 17 vjeç, i cili humbi jetën në një aksident në punë në landfillin e Sharrës. Lajmi për vdekjen e tij qe një nga më të censuruarit në median shqiptare në shumë kohë: Foto: Facebook

Gjykata e Tiranës dha pafajësi në fillim të javës për dy prej të akuzuarve për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në gusht 2016 në landfillin e Sharrës. Dëfrim Hakrama, i akuzuar nga prokuroria si përgjegjës i turnit  për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, për të cilin prokuroria kishte kërkuar 9 vjet burg u shpall i pafajshëm, ndërkohë që fadromisti Edmond Kallari u dënua vetëm për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, duke u liruar me kohën e paraburgimit.

Vendimi i gjykatës për çështjen ka revoltuar të afërmit e viktimës Ardit Gjoklaj. Xhaxhai i 17-vjeçarit, Lush Gjoklaj tha në një intervistë për televizionin “Fax News”  se drejtësia “më e korruptume dhe më e keqe nuk ka qenë kurrë” si dhe akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj për vdekjen e nipit dhe pengim të drejtësisë.  Ndërkohë, prokurori i çështjes, Julian Zonja i tha BIRN se ende nuk ishte i qartë se pse gjykata i kishte rrëzuar akuzat.

“Vendimi vetëm u shpall pa ndonjë arsye, pse, qysh tek. Po pres të më vijë deri të hënën (vendimi i arsyetuar), pastaj do bëj ankimin pa tjetër,” tha prokurori në një bisedë telefonike.

Në krahun tjetër, avokati i Hakramës, Ilir Murati  e cilësoi të drejtë vendimin e gjykatës, ndërsa tha se përgjegjësia penale për vdekjen e 17-vjeçarit “duhej kërkuar diku tjetër”. Ai tha se i mbrojturi prej tij ishte njësoj punëtor si viktima dhe po ashtu i pasiguruar dhe pa kontratë pune.

“Detyrën e përgjegjësit e kishte kështu popullorçe”, tha avokati për BIRN, duke shpjeguar se i mbrojturi prej tij nuk ishte as inxhinier dhe as kishte kualifikim dhe përgjegjësi për sigurinë e punonjësve.

Ardit Gjoklaj u gjet i masakruar në landfillin e Sharrës mesditën e 7 gushtit 2016. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë. Pas ngjarjes, katër punonjës të kompanisë “3R” u arrestuan dhe u shpall formalisht në kërkim administratori Edurim Teqja, i cili nuk u arrestua asnjëherë.

Pas aksidentit që i mori jetën Ardit Gjoklajt, bashkia e Tiranës, e cila administron landfillin e pezulloi punën e kompanisë ‘3R’, ndërsa Prokuroria filloi hetimet edhe mbi përgjegjësitë e bashkisë dhe kompanisë. Gjashtë muaj pas nisjes së hetimit, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq vetëm fadromistin dhe një përgjegjës turni të kompanisë “3R”, ndërkohë që hetimi për përgjegjësitë e bashkisë Tiranë, kompanisë dhe administratorit të saj u nda më vete.

Prokurori Julian Zonja, i cili po heton edhe këtë dosje të dytë i tha BIRN se ishte në përfundim të hetimeve dhe se shumë shpejt do e dërgonte atë në gjykatë.

Në pretencën kundër Hakramës dhe Kallarit, Prokuroria akuzon kompaninë “3R” dhe administratorin e saj për bashkëfajësi në vdekjen e 17-vjeçarit.

“Subjekti “3R” sh.p.k ёshtё përgjegjёs dhe bashkëfajtor me të pandehurin Dëfrim Hakrama, i cili ka kryer detyrën e përgjegjësit të punës, gjatё turnit tё tretë ku punonte Ardit Gjoklaj. Shkeljet e kryera si bashkëfajtorë me njëri tjetrin kanё lidhje të drejtpёrdrejtё me pasojёn”, thuhet në pretencën të cilën BIRN e disponon.

Por sipas avokatit Murati, Hakrama nuk kishte kontratë punë që të përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e tij dhe ai “nuk ishte realisht përgjegjës, por vetëm shikonte kush vinte në punë dhe caktonte vendet e punës”.

Nga ana e saj, Prokuroria ka përdorur dëshminë e administratorit të 3R sh.p.k Edurim Teqja për të vërtetuar se Hakrama ishte përgjegjës i turnit. “I ishte caktuar si detyrë të kontrollonte punën e punëtorëve e të drejtonte punëtorët”, thuhet në pretencë bazuar në dëshminë e Teqjes.

Prokurori po ashtu në pretencë thotë se ishte dokumentuar që nё landfillin ku ishte i punёsuar viktima, jo vetëm ishin shkelur rregullat e sigurimit teknik  dhe te mbrojtjes në punë, por  “më saktë gjatё kryerjes sё kёsaj pune nuk ka pasur fare rregulla të sigurimit teknik në punë”.

Këtij pretendimi i ka mëshuar në mbrojtje edhe avokati, por duke ia lënë fajin kompanisë. Sipas Muratit, Hakrama ishte një punëtor i thjeshtë i cili u mbajt një vit padrejtësisht në burg, ndërsa fajtorët për mungesën e sigurisë në punë duheshin kërkuar diku tjetër.

“Nuk mund të ketë shkelur rregulla të sigurisë në punë për sa kohë rregulla të  tilla nuk kishte”, tha avokati duke lënë të kuptohet se faji binte mbi kompaninë dhe drejtuesit e saj.

BIRN gjeti në një investigim të vitit 2016 se puna në landfill u promovua nga kryebashkiaku Erjon Veliaj gjatë dy vizitave të tij atje  si e ligjshme dhe me sigurime.

Por hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se kushtet e punës në landfill ishin mjaft të këqija, nuk kishte ndriçim për punën gjatë orëve të natës dhe se praktikisht nuk kishte rregulla të sigurisë teknike. Sipas Prokurorisë, viktima Gjoklaj ishte punësuar në shkelje të ligjit.

Ndërkohë problemet e menaxhimit të mbetjeve në landfillin e Tiranës vijuan edhe pasi një kompani tjetër mori përsipër përpunimin e tyre në impiantin e riciklimit. Një investigim i BIRN në dhjetor 2017 gjeti se megjithëse kishte një kompani të re, kushtet e punës ishin thuajse të ngjashme me ato për shkak të të cilave dyshohet se gjeti vdekjen Gjoklaj.