Një person mbeti i plagosur rëndë, ndërsa një tjetër dyshohet të jetë lënduar pas një atentati me armë zjarri në Vlorë.
41-vjeçari i identifikuar si Mikel.M është plagosur rëndë pasi dy persona kanë qëlluar me armë zjarri mbi makinën e tij një audi me targa “AA 653 VC” në qendër të qytetit të Vlorës. Një bashkëudhëtar i tij i paidentifikuar mendohet se është lënduar, por nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital.
Policia bëri me dije se antetati ndodhi pasditen e të hënës në në rrugën “Gjergj Araniti”. Dëshmitarë okularë thanë se dy persona me motor i kanë prerë rrugën makinës tip ‘Audi' me të cilën udhëtonte i plagosuri dhe një person i dytë.
Nga atentati 41-vjeçari Mikel M, ka marrë plumba në krahëror dhe në bark. Ai po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Vlorës.
“Sot rreth orës 17:40, në lagjen “Pavarësia” dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti e për pasojë ka mbetur i plagosur nje 41-vjeçar. Ai po merr ndihme mjekesore në spital” njoftoi policia.
Nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe personi i dytë që udhëtonte në mjet, por nuk dihet gjendja shëndetësore e tij pasi nuk është paraqitur në spital.
Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes duke sekuestruar dhe pamjet e sigurisë të një lokali aty pranë që dyshohet të ketë të dhëna dhe detaje që do të mund të çojnë në identifikimin e autorëve të plagosjes. Në afërsi të stacionit të trenit, Policia ka gjetur duke u djegur nje automjet “Mitsubishi”, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët për fshehjen dhe largimin e tyre.