Lajm11 Oct 2020

Atentat shefit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe

Shefi i Policisë Bashkiake i Malësisë së Madhe dhe i ati u plagosën, pasi u qëlluan nga një person me motorçikletë, ndërsa udhëtonin me makinë në periferi të Shkodrës.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Makina e Policisë Bashkiake në të cilën udhëtonte Hasanaj dhe babai. Foto:Anila Dushi

Shefi i Policisë Bashkiake i Malësisë së Madhe dhe i ati u plagosën të dielën në mesditë në një atentat, ndërsa udhëtonin me makinë në periferi të Shkodrës.

Mentor Hasanaj 39 vjeç, me detyrë shef i Policisë Bashkiake në Malësi të Madhe ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij të punës nga Shkodra drejt shtëpisë ndërsa në mjet ka qenë dhe babai i tij Xhelal Hasanaj 74 vjeç dhe bashkëshortja 28 vjeç.

Ndërsa makina ndodhej aksin rrugor nacional Shkodër- Han i Hotit, në Dobraç, rreth 2 km larg qytetit të Shkodës, pranë vendit ku ndohet shtatorja e 5 Herojve të Vigut, një person me  motor ka qëlluar me armë zjarri ndaj mjetit të Policisë Bashkiake, duke plagosur Hasanaj dhe babain e tij.

“Rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik,  një person i paidentifikuar që qarkullonte me  motomjet,  ka qëlluar  me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë Bashkiake Malësia e Madhe”, thuhet në njoftimin e policisë, ndërsa bëhet me dije se në kërkim të autorit ishin vënë forca të policisë locale dhe Forcate Ndërhyrjes së Shpejtë.

Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës, ku po marin ndihmë mjekësore. Ngjarja ndodhi në një zonë me lëvizje, pasi pranë vendit të atentatit ndodhet një treg shumice.

Policia tha se motivet e ngjarjes ishin ende të paqarta, por po hetohej nëse Hasanaj ishte qëlluar për shkak të detyrës.