Tërheqja katastrofike e Perëndimit nga Afganistani ka intensifikuar në Evropë një ndjenjë pasigurie në lidhje me të ardhmen e NATO-s dhe marrëdhëniet transatlantike më gjerësisht. Por nëse ankthi do të nxisë veprim, kjo nuk është e sigurt.
Ka arsye të mira për të qenë kritikë ndaj tërheqjes amerikane nga Afganistani. Nëse imazhet e afganëve të dëshpëruar që mblidheshin në aeroportin e Kabulit nuk do të ishin aq tronditëse, sulmi vdekjeprurës mbi turmat e grumbulluara me siguri do të ishte i tillë. Fundi kaotik dhe poshtërues i një lufte jopopullore, me pasojat e saj të tmerrshme humanitare, ishte rezultati i një sërë llogaritjesh të gabuara politike nga një sërë liderësh amerikanë.
Në Evropë, kolapsi i shpejtë i qeverisë afgane të mbështetur nga Perëndimi ka shkaktuar një valë akuzash. Por kthimi i talebanëve në pushtet ka intensifikuar gjithashtu një ndjenjë pasigurie tashmë në rritje në lidhje me të ardhmen e NATO-s dhe marrëdhëniet transatlantike më gjerësisht. Megjithatë, nëse ankthi do të nxisë veprimin, kjo mbetet ende e pasigurt.
Për Bashkimin Evropian reflektimi mbi gjeopolitikën është një sëmundje kronike. Zakonisht e çon në deklarata të forta dhe vizione shpresëdhënëse për autonomi strategjike – një ide që qarkullon që nga vitet 1990 por që ka marrë valencë të re në vitet e fundit.
Herë pas here, këto vizione frymëzojnë thirrje të ashpra për reforma, me Francën që zakonisht kryeson. Por thirrje të tilla janë zbehur shpejt. Mosmarrëveshja midis shteteve të BE-së, dhe më e rëndësishmja, midis shteteve anëtare të NATO-s – e nxitur pjesërisht nga një neveri kulturore ndaj shpenzimeve të mbrojtjes – ka qenë një pengesë e pakapërcyeshme.
I tillë ishte fati i forcave të BE-së: forca në madhësinë e një batalioni, të përbëra nga njësi nga shtete të ndryshme anëtare, duke iu përmbajtur Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së. Pavarësisht arritjes së “aftësisë së plotë operacionale” në 2007, ato nuk u pozicionuan kurrë, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme.
Deri më tani, raundi aktual i reflektimit duket se po ndjek një model të ngjashëm. Para se avionët e fundit të evakuimit të largoheshin nga Kabuli, liderët evropianë po bënin thirrje të reja për autonomi strategjike. Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, tha se tërheqja duhet të jetë një “thirrje zgjimi”, duke e nxitur BE-në të “investojë më shumë në aftësitë e saj të sigurisë dhe të zhvillojë aftësinë për të menduar dhe vepruar në terma strategjikë. ”
Rrëzimi i qeverisë së Afganistanit sigurisht që jep më shumë shtysa për ta bërë këtë. Në fund të fundit, siç vuri në dukje Borrell, koha dhe natyra e tërheqjes nga Afganistani u përcaktuan ekskluzivisht nga Shtetet e Bashkuara. Me fjalë të tjera, pavarësisht premtimeve të tij për të rinovuar angazhimet ndërkombëtare të Amerikës dhe marrëdhëniet e saj me aleatët, presidenti Joe Biden duket se po vazhdon kthesën e brendshme të vendit.
Larg të ndjerit të emocionuar për Biden-in, siç ishin në fillim të presidencës së tij, evropianët tani duket se po pajtohen me faktin se Amerika nuk mund të rimarrë rolin e saj drejtues në skenën botërore, derisa të shërojë plagët e saj të brendshme. Administrata Biden po ndjek një “politikë të jashtme për klasën e mesme”, të ankoruar fort në një sferë të brendshme thellësisht të ndarë. Dhe, me shumë pak njerëz në radhët e saj që përkrahin rritjen e angazhimit ndërkombëtar, kjo nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti.
Por, ndërsa vendimmarrja e njëanshme e Biden për Afganistanin duhet të japë frymë të re në thirrjet për një shkëputje më gjithëpërfshirëse strategjike nga SHBA-ja, kjo nuk e shpëton BE-në nga përgjegjësia për tërheqjen simbolike. Aleatët evropianë të Amerikës kishin shumë mundësi për të kundërshtuar planet e tërheqjes së administratës Biden, jo më pak në samitin e NATO-s në qershor. Ata nuk e bënë këtë.
Megjithatë, edhe nëse do ta kishin bërë, liderët evropianë nuk do të kishin aftësitë për të mbështetur qëndrimin e tyre. Forcat evropiane nuk mund të mbanin hapur as aeroportin e Kabulit pa mbështetjen e SHBA-së. Nuk ka më asnjë iluzion: BE-së i mungon kapaciteti për të projektuar një vizion të pavarur strategjik. Vullneti i dobët politik – i cili, ndër të tjera, ka çuar në alokimin e shumë pak burimeve financiare – është arsyeja kryesore.
Çështja varet nga llogaritjet e liderëve të BE-së – dhe atyre të elektoratit të tyre – në lidhje me vlerën e perceptuar dhe çmimin aktual të pavarësisë strategjike. Variabli i vërtetë është vlera, perceptimet e së cilës ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë Evropën. Çmimi është padyshim rreth 818 miliardë dollarë në vit. Ky është ndryshimi midis buxhetit prej 1 trilion dollarësh të NATO-s dhe asaj që BE-ja shpenzoi për mbrojtjen në vitin 2019.
Tani për tani, kjo është një kosto që BE-ja nuk mund ta mbulojë: buxheti i saj 2021-2027 cakton vetëm 13 miliardë euro (15.3 miliardë dollarë) për sigurinë dhe mbrojtjen. Për të arritur autonominë e vërtetë strategjike, bllokut do t'i duhet të mbledhë shumë më tepër vullnet politik në vitet e ardhshme. Dhe kjo mund të jetë e mundur në një kohë kur liderët e BE-së përballen me perspektivën e një vale tjetër migrimi dhe me rishfaqjen e Afganistanit si një strehë terrori – zhvillime që do të testonin sigurinë kufitare të Evropës, stabilitetin politik dhe kapacitetin e saj për misione humanitare.
Gjithsesi, autonomia e vërtetë strategjike mbetet më shumë një ideal afatgjatë sesa një objektiv i realizueshëm afatshkurtër. Për fat të mirë, BE-ja mund të arrijë një autonomi më të madhe krahas – dhe përmes – rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me SHBA-në. Pavarësisht përqendrimit të Amerikës në çështjet e saj të breëndshme, të dyja palët kanë qartazi interesa të përbashkëta strategjike. BE-ja duhet ta ketë prioritet t'i kujtojë SHBA-së këtë dhe ta largojë vendin nga kursi i saj izolues.
Kjo imperativ duhet të informojë përpjekjet e vazhdueshme të BE-së për të hartuar udhërrëfyesin e saj të sigurisë dhe mbrojtjes, e njohur si Busulla Strategjike, disa detaje të të cilës janë dhënë. Dhe ajo sigurisht që duhet të formësojë veprimet e BE-së para dhe gjatë Samitit të NATO-s në qershorine ardhshëm në Madrid, ku do të nxirret një Koncept i ri Strategjik – një dokument dikur i klasifikuar që tani azhurnohet çdo dekadë për të pasqyruar qëllimet dhe objektivat e përgjithshme të organizatës.
Megjithatë, si përfundim, Evropa nuk mund ta konsiderojë veten si një lojtar të fortë në fushën e politikës dhe jashtme dhe me ndikim gjeopolitik që të përputhet me fuqinë e saj ekonomike, nëse nuk rregullon përparësitë e saj buxhetore. Nëse evropianët do ta tolerojnë diçka të tilllë, kjo mbetet ende për t'u parë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. European Strategic Autonomy After Afghanistan