Një email i publikuar nga komunikimi i ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton, filantropi Soros i kërkoi diplomacisë amerikane t’i bëjnë presion Berishës dhe Ramës të ndalojnë përplasjet në rrugë pas përleshjeve të dhunshme të 21 janarit 2011.
Filantropi George Soros i dërgoi një email sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton më 24 janar 2011 ku i kërkoi që të ndërhynte në krizën shqiptare duke bërë presion mbi Berishën dhe Ramën për t’u tërhequr nga retorika e përplasjes dhe protestat me synimin e shmangies së trazirave të mëtejshme pas përleshjeve të 21 janarit 2011 në të cilat katër protestues humbën jetën dhe dhjetëra protestues dhe policë mbetën të plagosur.
Emaili me temë: “Rebelimi në Shqipëri” shpjegonte situatën e krijuar pas përleshjeve si “serioze” dhe që kërkonte “vëmendje në mënyrë urgjente nga nivelet më të larta të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.
“Ju mund ta dini se një demonstratë e opozitës në Tiranë të premten përfundoi me vdekjen e tri njerëzve dhe me shkatërrimin e pronës. Ka shqetësime serioze për përleshje të mëtejshme të lidhur me një kundër-demonstratë të organizuar nga partia në pushtet të mërkurën dhe një protestë tjetër të Opozitës dy ditë më vonë për të përkujtuar viktimat,” shkruan Soros në emailin e tij. (Viktima e katërt, Aleks Nika, vdiq më vonë nga plagët e marra më 21 janar).
“Perspektiva e dhjetëramijëra njerëzve që hyjnë në rrugë në një klimë sakaq të ndezur politike parashikon gjë të keqe për rikthimin e rendit publik dhe për procesin delikat demokratik të vendit,” shkruan më tej Soros.
Soros i këshillon Clinton të marrë dy masa të menjëhershme, të ushtrojë presion mbi Berishën dhe Ramën në mënyrë që ata të ndalojnë demonstratat e mëtejshme publike dhe të ulin tonalitetin e retorikës së tyre publike si dhe të emërojë një zyrtar të lartë Europian si ndërmjetës për situatën.
“Ndërsa unë jam i shqetësuar në lidhje me retorikën e përdorur nga të dyja palët, unë jam veçanërisht i shqetësuar mbi veprimet e kryeministrit,” thotë Soros.
Duke analizuar situatën, Soros thotë gjithashtu se “ka shenja se kontrolli i Edi Ramës mbi njerëzit e tij po dobësohet, gjë që mund të sjellë më shumë dhunë.”
Soros rekomandonte që SHBA-të dhe BE-ja të punonin në bashkëveprim mbi këtë çështje por për shkak të aspiratave të Shqipërisë për integrim në Europë, BE-ja duhej të merrte udhëheqësinë. Ai rekomandonte emërimin e një ndërmjetësi të tillë si Carl Bildt, Martti Ahtisaari ose Miroslav Lajcak.
Emailet e Clinton u bënë publike në SHBA pasi ish-sekretarja e Shtetit, aktualisht kandidate për presidente në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, u vu nën kritika nga konkurrentët republikanë për përdorimin e emailit të saj privat për komunikimet publike. Duke bërë të ditur se përdorimi i emailit privat nuk lidhej me dëshirën për të fshehur diçka më të rëndë, Clinton kërkoi që korrespondenca e saj të publikohet. (Emaili i plotë i Soros për Clinton mund të lexohet këtu)
Diplomati sllovak Miroslav Lajcak, në atë kohë, drejtor për Ballkanin Perëndimor, Rusinë dhe Fqinjësinë Lindore në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, erdhi në Tiranë për të bindur palët të ulnin tensionin.
Protesta e 21 janarit 2011 qe kulmimi i nje proteste të gjatë nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, e cila kërkonte hetim mbi rezultatet zgjedhore të vitit 2009, të cilat u fituan me rezultat të ngushtë nga Partia Demokratike, e cila hyri në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim për të krijuar një shumicë të thjeshtë parlamentare.
Arsyeja tjetër e protestës qe publikimi i një videoje që zbulonte korrupsionin në qeverinë Berisha, video e regjistruar nga ministri i Ekonomisë në atë kohë Dritan Prifti i cili shfaqet duke diskutuar për mitëmarrje, punësime të paligjshme dhe ndikim të paligjshëm në një proces gjyqësor me kreun e partisë së vet Ilir Meta.
Katër protestues mbetën të vrarë: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Prokuroria hapi hetime dhe ngriti akuzë ndaj dy punonjësve të gardës së Republikës, forcës ushtarake përgjegjëse për mbrojtjen e institucioneve kryesore të shtetit. Agim Llupo dhe Ndrea Prendi u akuzuan për vrasje me paramendim. Të dy u dënuan nga gjykata e Apelit me përkatësisht 3 vjet dhe 1 vit burg për vrasje nga pakujdesia dhe dolën të lirë pasi u konsiderua se e kishin ezauruar këtë masë dënimi në arrest shtëpie. Rekursi i prokurorisë në Gjykatën e Lartë pret shqyrtimin.
Ilir Meta dha dorëheqjen në atë kohë, ndërsa mori pafajësinë nga Gjykata e Lartë, e cila deklaroi se videoja e përgjimit nuk përbënte provë.
Meta nënshkroi një marrëveshje parazgjedhore me Edi Ramën më 1 prill 2013 dhe fitoi zgjedhjet bashkë me të në qershor 2013 kur mori edhe postin e kreut të Kuvendit të Shqipërisë.