Një nga burrat që organizoi sulmet terroriste në Vjenë dhe u qëllua për vdekje nga policia ishte një islamik me origjinë nga Maqedonia e Veriut, njoftoi ministri i brendshëm austriak.
Ministri i brendshëm austriak Karl Nehammer tha të martën se një nga burrat që organizoi sulmet në Vjenë ishte një 20-vjeçar simpatizant i Shtetit Islamik, i lindur në Vjenë, por me shtetësi austriake dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
“Vrasësi është një shtetas 20-vjeçar austriak me dy shtetësi. Emri i tij është Kujtim S.”, tha Nehammer në një deklaratë për shtyp.
“Autori ishte i armatosur me një brez shpërthyes dhe një pushkë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar për të kryer këtë sulm të tmerrshëm ndaj qytetarëve të pafajshëm”, shtoi ai.
Sulmet në qendër të Vjenës të hënën u organizuan në disa vende pothuajse njëkohësisht nga njerëz që duket se ishin sulmues të armatosur mirë. Nga kjo ngjarje mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën 17 të tjerë. Policia qëlloi për vdekje njërin nga sulmuesit.
Redaktori i gazetës Falter në Vjenë, Florian Klek, shkroi në Tëitter të hënën në mbrëmje se sipas gjetjeve të tij, një nga burrat ishte një mbështetës i Shtetit Islamik me origjinë etnike shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Ai “lindi në vitin 2000, ishte 20 vjeç, lindi dhe u rrit në Vjenë dhe ka rrënjë shqiptare. Prindërit e tij janë nga Maqedonia e Veriut nuk ishin të dyshuar kur bëhet fjalë për Islamizmin”, tha Klek.
Ai tha se burri ishte i njohur për shërbimet austriake të antiterrorizmit si një njeri që ishte përpjekur disa herë pa sukses në të kaluarën që të udhëtonte në Siri dhe të luftonte për grupet islamike atje.