Lajm28 Jul 2020

Autoritetet serbe kërkojnë të dhëna bankare për grupet e të drejtave, mediat investigative

Një departament i ministrisë së financave të Serbisë, i ngarkuar me luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, u ka kërkuar bankave të dorëzojnë të dhëna për transaksionet e dhjetëra individëve dhe OJQ-ve të njohura për punën e tyre për të drejtat e njeriut, transparencën dhe denoncimin e korrupsionit.

Autor: Milica Stojanovic BIRN Beograd
Printo

Një pjesë e listës së OJQ-ve që për të cilat janë kërkuar të dhëna bankare. Foto: Youtube.com/Newsmax Adria

Gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Serbi kanë akuzuar qeverinë se po përpiqet t’i mbyllë gojën kritikëve të saj, pasi doli se Administrata e ministrisë së financave për Parandalimin e Pastrimit të Parave ka kërkuar qasje në të dhënat bankare që datojnë nga 1 janari 2019, për 20 individë dhe 37 OJQ, duke përfshirë një sërë medias investigative dhe organizatash për të drejtat e njeriut.

Urdhri u publikua fillimisht nga TV Newsmax Adria Serbia. Ai citon nevojën “për të përcaktuar nëse organizatat dhe individët e listuar kanë ndonjë lidhje me financimin e terrorizmit apo pastrimin e parave”.

Lista përfshin Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, Qendrën për Gazetari Investigative të Serbisë, CINS, Rrjetin për Raportimin e Krimit dhe Korrupsionit, KRIK, Shkollën e Gazetarisë Novi Sad, Nismat Qytetare, YUCOM , Qendrën për Politikë të Sigurisë në Beograd, Komitetin e Helsinki për të Drejtat e Njeriut dhe Fondin për të Drejtën Humanitare.

Individët përfshijnë një sërë punonjësish të BIRN, drejtorin e CINS, Branko Cecen, kreun e TV Newsmax Adria Serbia dhe ish-redaktorin e BIRN, Slobodan Georgiev, dhe gazetarët Biljana Stepanovic dhe Vukasin Obradovic. Është përmendur gjithashtu edhe Vuk Jeremiç, një politikan i opozitës.

Cecen tha për TV Newsmax Adria Serbia se qeveria, e udhëhequr nga Partia Progresive e presidentit Aleksandër Vuçiç, “po merrej me kritikët e saj”. Zeljko Radovanoviç, kreu i Administratës për Parandalimin e Pastrimit të Parave, tha se administrata po kryente thjesht “veprimtari të rregullta”.

“Kriminalizim i njerëzve”

Nismat Qytetare, e cila u themelua nga aktivistë kundër luftës në vitin 1996 për të promovuar vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, i bëri thirrje qeverisë që “të ndalojë menjëherë shfrytëzimin e mekanizmit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit me qëllim që të kanosë organizata, media dhe individë që veprojnë si kontrollues të qeverisë”.

Ligji, thotë ajo, i lejon autoritetet të kërkojnë të dhëna bankare vetëm në rast se dyshon se një individ ose një organizatë është e përfshirë në pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit.

“Përballja me organizatat dhe mediat kritike në këtë mënyrë është një abuzim i mekanizmit ligjor dhe burimeve shtetërore”, tha ajo.

Milos Nikoliç, kreu i klubit Libertarian – Libek, i cili është gjithashtu në listë, u shpreh i habitur, duke e përshkruar sektorin joqeveritar në Serbi si një nga më transparentët në vend.

“Shumë nga këto organizata marrin grante duke marrë pjesë nëpër thirrje”, tha ai për BIRN. “Ata nuk mund të shpenzojnë fonde jashtë veprimtarive të përshkruara; ka kontrata që e rregullojnë këtë marrëdhënie, shpesh me specifikime shumë të sakta buxhetore të kostove”.

“Nuk e kuptoj se si një organizatë si Libek ose organizata të tjera nga ajo listë që operojnë sipas ligjit, mbajnë regjistra financiarë dhe kanë shumë vite arritje në fushën e punës edukative dhe kërkimore pas tyre, mund të ngrenë dyshime për pastrim parash dhe financim terrorizmi.”

Georgiev, drejtuesi i TV Newsmax Adria Serbia, tha se kjo lëvizje ishte “një mënyrë për të kriminalizuar njerëz”.

“Njerëzit duhet të kuptojnë se kjo është ajo që bën Administrata për Parandalimin e Pastrimit të Parave kur heton kriminelët, kështu që ne tani na kanë futur në të njëjtin kazan si kriminelët”, tha ai për N1 TV.

“Administrata për Parandalimin e Pastrimit të Parave ka të njëjtin donator si BIRN – Komisionin Europian. Kështu që unë shtroj një pyetje: ‘A do të hetojë edhe veten Administrata për Parandalimin e Pastrimit të Parave?’ Kjo është e tmerrshme.”