Avokatja e Popullit Lora Vidoviç thotë se presionet dhe kërcënimet nuk do ta ndalojnë atë që të trajtojë revizionizmin historik shqetësues që përpiqet të relativizojë krimet fashiste të kryera në Luftën e Dytë Botërore.
Detyrat e Avokates së Popullit në Kroaci Lora Vidoviç janë rritur vitet e fundit.
Përveç punës normale të Avokatit të Popullit për advokimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, ajo tani po lufton një trend në rritje drejt revizionizmit historik që minimizon krimet e kryera nga lëvizja fashiste ustashe e Luftës së Dytë Botërore në Kroaci.
Ustashët qeverisën të ashtuquajturin Shteti i Pavarur Kroat, NDH, nën kujdesin nazist dhe italian nga viti 1941 deri në vitin 1945. Gjatë asaj kohe ata vranë dhe përndoqën gjerësisht hebrenjtë, serbët, romët dhe kroatët e majtë.
Duke lënë në hije fakte dhe duke mohuar provat e vërtetuara historikisht, grupet revizioniste kanë hyrë në mediat kryesore në Kroaci, duke bërë që Vidoviç të publikojë një dokument zyrtar mbi relativizimin e krimeve të ustashëve në nëntor.
Në të, ajo i lutet politikanëve të mos i falin këto akte dhe të merren fort me çështjen e përdorimit të sloganit ustash “Za dom spremni”, ose “Gati për Atdhe”.
Përdorimi i këtij slogani ka qenë subjekt debati publik për vite me radhë. Një forcë paraushtarake, Forca e Mbrojtjes Kroate, HOS, e përdori atë gjatë luftës për pavarësisë në vitet 1990, për shembull.
HOS u inkorporua në Ushtrinë Kroate në vitin 1992 – pavarësisht nga përdorimit të simboleve ustashe dhe emërtimit të disa njësive sipas emrave të komandantëve të tyre.
Organet shtetërore lejuan gjithashtu shoqatën e saj të veteranëve të regjistrojë një stemë që përmban fjalët “Za dom spremni”.
Vidoviç kritikon këtë dhe akte të tjera të lejuara.
“Problemi me simbolet e paligjshme është se ata mohojnë shkallën e krimeve të kryera në emër të NDH-së dhe kështu mohojnë të kaluarën plot me urrejtje dhe dhunë kundër pakicave, romëve, serbëve dhe hebrenjve,” tha ajo për BIRN.
“Në këtë mënyrë, ata inkurajojnë gjuhën e urrejtjes që çon në diskriminim dhe dhunë kundër anëtarëve të këtyre grupeve,” shtoi Vidoviç.
Në nëntor 2016, veteranët e HOS-it ngritën një pllakë me fjalët “Za dom spremni”, kushtuar luftëtarët e tyre të rënë në fshatin Jasenovac, pranë ish-kampit të përqendrimit të ustashëve.
Reagimi i vetëm nga qeveria kroate ishte krijimi i një këshilli ekspertësh për të shqyrtuar çështjen.
Vidoviç tha se zyra të cilën ajo drejton vendosi vendosi në dokumentin e saj se slogani – pavarësisht se tolerohet prej vitesh – ishte “në kundërshtim me kushtetutën, madje edhe gjatë Luftës për Atdhe” – duke iu referuar termit zyrtar për luftën e pavarësisë së Kroacisë nga ish-Jugosllavia.
“Rekomandimi i Dokumentit të Dialogut është se një përjashtim mund të bëhet vetëm në mënyrë rigoroze për të nderuar ata Mbrojtës (veteranë të luftës së viteve 1990) të cilët vdiqën nën atë stemë me atë slogan,” kujton ajo.
“Edhe pse ky përjashtim është subjekt polemikash, për mendimin tim, nuk do të kishte probleme të mëdha me të, nëse çdo gjë tjetër jashtë këtij përjashtimi do të ndiqej penalisht dhe do të sanksionohej.”
Legjislacioni në Kroaci nuk e përjashton shprehimisht përdorimin e sloganit “Za dom spremni” – ndryshe nga situata në Gjermani, ku përdorimi ose shfaqja e simboleve naziste është plotësisht e ndaluar.
Por Këshilli i Avokatit të Popullit u shpreh se shteti ka mekanizma të mjaftueshëm ligjorë për të sanksionuar përdorimin publik të sloganit.
Ai tha gjithashtu se kjo çështje duhej të trajtohej në mënyrë specifike, edhe pse organet shtetërore nuk kanë arritur të miratojnë ndonjë rregullore të tillë, vuri në dukje Vidoviç.
“Ka kaluar pothuajse një vit që nga miratimi i Dokumentit të Dialogut dhe është vërtet një disavantazh i madh që zbatimi i rekomandimeve të tij nuk ka filluar ende,” tha ajo.
Ajo vuri në dukje se Ministria për Administrimin e Shtetit e Kroacisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të zyrës së saj lidhur me këtë çështje.
Vidoviç tha se të dy gjykatat më të ulëta dhe organet shtetërore përdorin faktin se ligji nuk ndalon në mënyrë eksplicite sloganin “Za dom spremni” “si një justifikim për ta trajtuar atë si të lejuar”.
Një rast të cilit Vidoviç i është referuar në deklaratat e mëparshme për mediat ka përfshirë këngëtarin nacionalist të ekstremit të djathtë Marko Perkoviç “Thompson”.
Në maj, gjykata e magjistratëve në qytetin Slunj e liroi atë nga akuzat lidhur me përdorimin e sloganit “Za dom spremni” në këngën e tij të luftës të vitit 1991 Bojna Cavoglave, (Cavoglave Battalion) gjatë një koncerti që ai organizoi në Slunj në gusht 2017.
Vendimi i gjykatës së shkallës së ulët u bë përfundimtar për shkak se policia vendore nuk e apeloi vendimin në gjykatën më të lartë të magjistraturës.
Por Vidoviç këmbëngul se pretendimet se slogani është i ligjshëm janë “në kundërshtim me qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese që pa dyshim ka vendosur se Kushtetuta e Republikës së Kroacisë tregon qartë se Kroacia bashkëkohore nuk është pasardhëse e NDH-së dhe se Kushtetuta nuk është neutral në vlerë dhe se demokracia e bazuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut është i vetmi model që ajo pranon”.
Ajo shtoi: “Fatkeqësisht, edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme, jo të gjitha organet shtetërore veprojnë në përputhje me to.”
Por ajo thekson se “çdo rajon policie që nuk paraqet një apel për një vendim të shkallës së parë për një vendim lirimi nga akuzat në lidhje me përdorimin e ndonjë simboli të NDH-së vepron në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Vidoviç ka marrë kërcënime të shumta si rezultat i deklaratave të saj publike mbi sloganin e ustashëve dhe mbi revizionizmin historik, por ato nuk e kanë dekurajuar atë.
“Detyra e Avokatit të Popullit është të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të flasë për fenomenet që i kërcënojnë ata, dhe kërcënimet nuk mund të më ndalojnë ta bëj këtë,” tha ajo.
“Kam raportuar disa nga kërcënimet në polici dhe do të vazhdoj të bëj punën time profesionale, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet,” vuri në dukje ajo, duke besuar se policia do t’i gjurmojë ata që dërguan kërcënimet.
Politikanët e krahut të djathtë e kanë kritikuar gjithashtu punën e saj gjatë viteve të fundit.
Vidoviç nuk beson se njerëzit që i dërgojnë kërcënimet kanë lidhje me ata. Por ajo mendon se politikanët nuk kanë bërë gjithçka në fuqinë e tyre për “të ndryshuar atmosferën shoqërore në të cilën relativizimi i krimeve të kryera në NDH u bë i pranueshëm”.
Një çështje tjetër në fushën e të drejtave të njeriut që shqetëson tani Vidoviçin është kriza e emigrantëve dhe e refugjatëve, me shumë OJQ lokale që raportojnë incidente keqtrajtimi dhe dhune kundër tyre.
“Unë jam sidomos e shqetësuar që Ministria e Punëve të Brendshme nuk zhvillon hetime adekuate për këto ankesa, por thjesht pretendon se nuk ka prova për to,” tha ajo.
“Ne gjithashtu kemi njoftuar parlamentin për të gjithë këtë, si dhe për faktin se kur ne (zyra e Avokatit të Popullit) bëjmë vizita të pa njoftuara tek emigrantët, na privohen informacionet nga organet shtetërore,” tha ajo.
Edhe pse Ushtria Kroate po patrullon kufijtë porozë të vendit, Vidoviç thekson se të drejtat e emigrantëve dhe refugjatëve duhet të respektohen.
Në raportimin e saj mbi të drejtat e njeriut, Vidoviç u përplas fillimisht me qeverinë në vitin 2016, kur parlamenti, i dominuar nga partitë e qendrës së djathtë, hodhi poshtë raportin e saj vjetor mbi të drejtat e njeriut.
Situata me parlamentin është përmirësuar që atëherë. Deputetët e pranuan raportin e saj për vitin 2017 dhe ajo pret të njëjtën gjë edhe për raportin e vitit 2018.
“Rritja e nivelit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut është një proces dhe sot situata është sigurisht më e mirë sesa në vitin 2016,” tha ajo.
“Ndryshimet ndonjëherë nuk janë aq të mëdha sa të dallohen lehtë, por ndryshimi shoqëror kërkon kohë,” përfundoi ajo.