Blog4 Jan 2018

Baballarët e rinj sfidojnë stereotipat e vjetër të televizionit

Programet televizive kanë një qasje paragjykuese ndaj rolit ta baballarëve në familjet, të cilat baballarët po i sfidojnë si të pavërteta.

Autor: Adam Jezard Weforum.org
Printo

Foto ilustruese e një babai në Tiranë nga Ivana Dervishi/BIRN

“Baballarët janë argëtues, mamatë janë për punë,” thonë nënat në filmat për fëmijë të Diznejt.

Si me shaka, baballarët paraqiten si prindër “të këqij” që mungojnë, ndërsa nënat janë punëtore dhe përkujdesëse.

Por për shumëkënd që është rritur në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, ideja se mamatë bëjnë gjithçka në shtëpi ndërsa baballarët punonin ka kaluar me kohë. Statistikat kudo në glob tregojnë se gratë po angazhohen gjithnjë e më shumë në vendet e punës, ndërsa baballarët ndërmarrin më shumë punë shtëpie.

Ndërsa regjisorët dhe reklamuesit janë shfaqur të ngadaltë për ta kapur këtë trend, kërkimet nga Diznej mund të ndihmojnë tashmë për të ndryshuar paraqitjen në ekran të baballarëve.

Lamtumirë “baba i keq”?

Baballarët janë stereotipizuar për të paktën një brez, sipas Ana Hill, kryesueses së marketingut të Diznej, e cila lançoi kërkimin e bazuar me biseda me 160 baballarë në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Spanjë dhe Suedi.

Studimi zbuloi se familjet nuk i përshtaten stereotipit të baballarëve në mungesë apo baballarëve të mbingarkuar me punë, por zbuloi atë që e quajti “nxitje emocionale” të lidhur me prindërimin e baballarëve modernë e përshkruar si një dëshirë për t’u lidhur me fëmijët e tyre përmes argëtimit, mbrojtjes dhe ndihmës.

“Nuk duhet t’i stereotipizojmë ata, gjë që mendoj e kemi bërë për të paktën një brez,” tha Hill. “Baballarët po bëhen më shumë burra të shtëpisë dhe dhënës të kujdesit. Ata janë një burim i mbrojtjes, rehatisë, entuziastmit për familjet e tyre. Ndaj mendoj se është e rëndësishme që të tregojmë histori të reja”.

Stereotipat e “babait të keq” nga Z. Banks te Meri Popins, te Mufasa te Mbreti Luan dhe Dart Vader te Lufta e Yjeve janë shfaqur në shumë filma të Diznej.

Ndërkohë një kërkim nga Universiteti Birgham Young (BYU) në SHBA zbuloi se 40% e sjelljeve të baballarëve në programe televizive për 9 deri në 14 vjeçarë mund të konsiderohen qesharakë ose tallës.

Ndryshim i pushtetit

“Por,” thotë BYU “ajo që të hap vërtet sytë është përgjigjja në ekran e fëmijëve ndaj baballarëve të tyre… 50% e saj është negative. Aktorët fëmijë shpesh shihen të reagojnë me baballarët e tyre skenikë duke i shpërfillur, tallur, kritikuar verbalisht dhe joverbalisht, duke iu larguar dhe duke shprehur zemërim.

Çdo 3.24 minuta, një baba sillet si klloun,” shtoi raporti i BYU. “Kjo sjellje, veçanërisht në programet e Diznej është bërë normë deri në atë masë sa prindërit thonë se nuk duan t’i lënë më fëmijët të shohin kanalin”.

BYU shton se ndërsa humori ishte dikur i dobishëm për të bërë “të fuqishmin” në marërdhëniet e shtëpisë “të pafuqishëm”, sot kjo balancë në ekran ka ndryshuar.

Shaka me baba apo shaka e keqe?

Numri i herëve që një mama tregonte një shaka në kurriz të babait u rrit nga 1.8 herë në episod në vitet 1950 në 4.29 herë për episod në vitin 1990, zbuloi një studim i vitit 2001 nga Universiteti i Masaçusets Amherst, duke thënë: “Ai që bën batutën zakonisht ka më shumë pushtet dhe status sesa ai që tallet”.

Mamatë në programet e sotme shpesh inkorporojnë detyrat e punës me prindërimin, ndërsa baballarët dikur autoritar portretizohen si të paaftë në rolet tradicionale mashkullore dhe detyrat më parë të përcaktuara si të grave, për shembull gatimi.

Ndërkohë, reklamuesit dhe profesionistët e marketingut po bëjnë ndryshime që ia atribuojnë “stileve të jetesës së të rinjve” duke i portretizuar baballarët në një dritë më pozitive, megjithëse ata po reflektojnë ndryshimet që gradualisht kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit.

Ndryshimet shoqërore

Reklamuesit dhe ata që merren me marketingun janë larg kontaktit me familjet moderne, sipas një sondazhi për baballarët të Saatchi & Saatchi  ku thuhet se mënyra si portretizohen nuk reflektojnë rolet e baballarëve modernë.

Kompanitë po përqafojnë reklamimin pozitiv për baballarët, ndërsa Diznej ka premtuar të heqë dorë nga stereotipi gjinor i baballarëve të këqij.

Kërkime të tjera sugjerojnë se media mund të ketë një ndikim të thellë te të rinjtë dhe se më shumë duhet bërë për të shfaqur në rrethana reale të rriturit në ekran gjë që do t’i sillte përfitime fëmijëve dhe familjeve dhe mbase do të ndalonte një diskriminim të tillë.

Ndryshime përfituese

Efektet përfituese të promovimit të baballarëve në një dritë më të mirë janë të shumta. Për shembull, reklamuesit mund të bëhen më të hapur ndaj imazheve më pozitive të prindërimit gej, ndërsa burrat që kalojnë më shumë kohë me fëmijët mund të ndihmojnë në nxitjen e diversitetit të vendit të punës duke i lejuar gratë të ndjekin karrierat.

Por ata që kanë më shumë gjasa të fitojnë janë fëmijët. Një studim zbuloi se mamatë dhe baballarët po kalojnë më shumë kohë me fëmijët sesa bënin prindërit në vitet 1970.

Megjithatë, ndërsa ata nga prejardhje më të arsimuar kalojnë më shumë kohë në aktivitete të tilla si punët e shtëpisë, prindërit pa arsim të lartë kanë më pak gjasa të kalojnë kohë duke mësuar.

Stereotipat mund të luajnë një rol këtu, gjithashtu. Siç raportoi studimi i vitit 2001 Amherst, baballarët e klasës së mesme dhe më të lartë kanë më shumë gjasa të shfaqen si të zgjuar “mbase për shkak të paragjykimeve të mëdha kundër klasës punëtore në televizione lidhur me sistemin e bazuar te reklamuesit që favorizon ata që kanë të ardhura më të larta”.

 

Marrë me autorizim nga Weforum.org