Opinion9 Jan 2017

Ballkani 2017: Ekonomitë do të përparojnë pavarësisht tensioneve politike

Shumica e shteteve të Ballkanit do të jenë në gjendje ekonomike paksa më të mirë në fund të këtij viti krahasuar me janarin – megjithatë tensionet politike në rajon vazhdojnë të ziejnë.

Autor: Marcus Tanner BIRN Londër
Printo

Mostar. Bosnje-Hercegovinë. Foto: Pixaby.

Mostar, Bosnje-Hercegovinë. Foto: Pixaby.

Çfarë ka rezervuar Babagjyshi për vendet e Ballkanit këtë vit? Disa dhurata të mira – por disa të këqija gjithashtu. Ekonomitë duket se do të fitojnë shpejtësi në 2017 teksa rritja në eurozonë përmirësohet ngadalë dhe konsumi i brendshëm rritet.

Ngjarjet më pak të këndshme fillojnë me konfliktin e mundshëm civil brenda disa vendeve – Bosnje, Maqedoni dhe Mal të Zi – si dhe me përkeqësimin e marrëdhënieve midis disa vendeve të tjera – Kosovës dhe Serbisë dhe Serbisë e Kroacisë, si fillim.

Një rritje e influencës ruse mund të rezultojë një faktor përçarës, gjithashtu, duke kënaqur disa vende – Serbinë – ndërsa alarmon të tjera, si Rusinë.

Dy dolli për ekonominë

Ka arsye për t’u gëzuar paksa rreth ekonomive në rajon në 2017. Shumica e bankave po parashikojnë norma rritjeje prej rreth 3 për qind për Bosnjen, Malin e Zi, Serbinë, Kroacinë dhe Rumaninë.

Disa bëjnë vlerësime më të ulëta, por panorama e përgjithshme është një rajon që vazhdon të rikuperohet pas viteve stanjacioni dhe recesioni – dhe duke u rikuperuar më shpejt se shumica e ekonomive në Eurozonë, ku rritja deri në 2 për qind do të shihej me zili.

Dilema me të cilën do të përballen qeveritë e rajonit do të jetë rezistimi i tundimit për kapitalizmin e rritjes së parashikuar duke shtuar shpenzimet publike, siç po bën tashmë Rumania.

Balancimi i kërkesës së punëtorëve për paga më të larta – që do të fuqizonte konsumin – gjë e mirë – ndërsa nuk shtohet borxhi në proporcione të menaxhueshme – diçka e keqe – do të jetë një sfidë.

Ndërsa pagat e ulëta dëmtojnë ekonominë duke ulur konsumin, pengesa tjetër e madhe e një rikuperimi të qëndrueshëm janë nivelet e larta të papunësisë në pjesë të rajonit. Kjo duket se ka pak gjasa të ndryshojë në 2017.

Shifrat e të papunëve në Ballkan janë të dyshimta për shkak të përmasës së ekonimisë së pataksuar, “gri”. Duke pasur këtë në mendje, norma e papunësisë në Serbi qëndron në rreth 20 për qind, e Maqedonisë në 23 për qind, e Malit të Zi në 18, e Kroacisë në 17 dhe e Bosnjës në 40 për qind.

Megjithatë, efekti i zmadhimit i krijuar te të dhënat e papunësisë prej ekonomisë “grip” tregon se situata e punës në Ballkanin Perëndimor mbetet shumë më keq sesa në anën lindore të gjysmë-gadishullit. Norma e papunësisë në Bullgari është një shifër modeste prej 10 për qind dhe e Rumanisë vetëm 7 për qind.

Për më tepër, është e vështirë të shohësh shifrat e Ballkanit Perëndimor të ulen shumë, përveçse të para në aspektin e emigracionit.

Emigracioni largon të rinjtë ambiciozë dhe të aftë – personat e fundit që këto vende duhet t’ia lejojnë vetes t’i ikin – dhe lë pas të sëmurët, të moshuarit dhe të papunët.

Politika e konfrontimit

Ndërsa ekonomia lë vend për optimizëm në 2017, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për skenën politike në rajon.

Në tre vende, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi mosmarrëveshjet e rrezikshme mes qeverive të ngulitura dhe lëvizjeve të fuqishme opozitare duket se do të vazhdojnë këtë vit me pasoja destabilizuese dhe shkatërruese.

Në Maqedoni veçanërisht, ku besimi mes dy blloqeve është tani jo-ekzistues, kaosi civil është një mundësi. Por politika në Kosovë është bërë gjithashtu e dhunshme dhe shqetësuese, duke u bërë më konfrontuese dhe më e përqendruar në rrugë – kurrë diçka e mirë. Po aq shqetësuese, zgjedhjet në Maqedoni dhe Malin e Zi në 2016 kanë dështuar të zgjidhin gjë, duke ngritur pyetje nëse zgjedhje të tjera do të ndihmojnë. Në Serbinë fqinje, qeveria mbetet paranojake dhe e paduruar, pavarësisht se ka kontroll të fortë mbi të gjitha nivelet e pushtetit. Bosnja mbetet po aq e polarizuar sa gjithnjë në lidhje me partitë me bazë etnike.

Një atmosferë nervoze, konfrontuese dhe e vërtitur rreth konspiracioneve në të gjitha këto vende vetëm sa e gërryen gatishmërinë e qeverive për të toleruar liritë civile, lirinë e medias dhe një sektor të pavarur OJQ. OJQ-të janë sulmuar vazhdimisht në Maqedoni dhe Serbi tashmë, por jo vetëm atje.

Tensione rajonale

Marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit janë gjithashtu një shkak për t’u shqetësuar – dhe mund të përkeqësohen në 2017.

Arrestimi në Francë bazuar te mandatarrest serb i politikanit kosovar Ramush Haradinaj do të shtojë tensionet mes Serbisë dhe ish-provincës së saj, duke shuar shpresat për pajtim dhe duke penguar hapësirën e qeverisë së Kosovës për dialog me Beogradin.

Qeveria në Prishtinë do të jetë më pak e gatshme – ose do ketë më pak mundësi – të zbatojë marrëveshjet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët me Serbinë në çështje si Lidhja e Komunave Serbe.

Marrëdhëniet e këqija të Serbisë me Kroacinë kanë pak gjasa të përmirësohen. Marrëdhëniet e Serbisë me Bosnjen mund të përkeqësohen ndërsa serbët e Bosnjës shtyjnë më tej për pavarësi.

Në vitet e fundit, synimi i përbashkët i sigurimit të anëtarësisë në BE mbajti nën kontroll tensionet rajonale teksa secila qeveri u përpoq ta paraqiste veten si fqinje model.

Megjithatë, me zgjerimin e BE-së në stanjacion për vitet e ardhshme dhe me daljen e Britanisë nga blloku, aftësia e BE-së për të influencuar ngjarjet në Ballkan po bie.

Rezultati i zgjedhjeve të fundit presidenciale në Bullgari dhe Moldavi tregoi se paraqitja si “kandidat perëndimor” nuk është më një garanci fitoreje.

Rusia dhe Islamikët

Mosmarrëveshjet dhe ndarjet brenda dhe midis vendeve në rajon do të krijojnë hapësirë që faktorë të jashtëm të bëhen më me ndikim. Rusia qartazi shpreson të shohë fundin – një ditë – të qeverisë pro-Perëndimore në Malin e Zi. Kjo do të forcojë lidhjet e saj me Serbinë.

Aftësia e Rusisë për të vendosur axhenda politike në vendet pro-Perëndimore Si Kroacia, Shqipëria dhe Kroacia është e vogël ose in-ekzistente. Ajo mund të shkaktojë telashe në Bosnje dhe Kosovë, megjithatë, duke inkurajuar serbët vendas të kërkojnë tepër.

Serbët e Kosovës janë të kufizuar se janë të paktë në numër, por serbët e Bosnjës janë në një ligë tjetër, ndaj qëllimet e Moskës për to mund të jenë të rëndësishme.

Terrorizmi islamik nga ana tjetër, frika e madhe e Europës Perëndimore, ka pak gjasa të shkaktojë shqetësime të mëdha në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht pranisë në disa vende me komunitete të mëdha myslimane.

Teksa Shteti Islamik tërhiqet në Irak dhe Siri, agjencitë perëndimore të inteligjencës parashikojnë një rritje në sulmet hakmarrëse të “ujqërve të vetmuar” në vende të rëndësishme Perëndimore. Ndërsa Parisi, Londra, Berlini, Stambolli dhe metropole të tjera mbeten në vijë të parë, shanset që Beogradi, Zagrebi, Prishtina dhe Bukureshti të preken janë të paktëta.

 

Opinionet e shprehura në rubrikën e komenteve janë të autorëve dhe jo domosdoshmërisht përkojnë me pikëpamjet e BIRN.