Analize29 Aug 2018

Ballkani i trembet ngadalësimit të investimeve prej krizës në Turqi

Qeveritë në Ballkan tremben se rënia e vlerës së lirës do të nxisë eksportet turke, por investimet shtetërore dhe private në rajon mund të pakësohen.

Autor: BIRN BIRN
Printo

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në një takim me mbështetësit e tij. 18 gusht 2018. (AP Photo/Burhan Ozbilici)

Lufta tregtare e Turqisë me Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Europian dhe rënia dramatike e vlerës së lirës ka shqetësuar tregjet për rrezikun e përhapjes së ndikimit edhe më gjerë.

Por, ndërkohë që Europa dhe bankat e saj kanë fuqinë t’i rezistojnë sfidave, ekonomitë e brishta të Ballkanit kanë arsye për të qenë nervoze.

Ekonomistët thonë se ndërsa eksportet turke në Ballkan mund të rriten, të shkaktuara nga rënia e çmimeve dhe tkurrja e tregut për mallrat turke diku tjetër, telashet financiare të vendit mund të frenojnë investimet turke – shtetërore dhe private – në një rajon që Ankaraja po përpiqet ta kultivojë.

Monedha kombëtare e Turqisë ka rënë me rreth 40 për qind këtë vit, një rënie që i atribuohet shqetësimit të investitorëve rreth stilit gjithnjë e më autokratik të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, emërimit të dhëndrit të tij si ministër i ekonomisë dhe pavarësisë në rënie të bankës qendrore.

Rënia është përshpejtuar ndjeshëm që kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më 10 gusht për dyfishim të tarifave për shkak të një mosmarrëveshje mbi fatin e pastorit amerikan, AndrewBrunson, i cili mbahet prej gati dy vjetësh në Turqi për akuza terrorizmi të cilat ai i mohon.

Erdogan ka qenë sfidues, duke deklaruar pas tarifave të SHBA: “Nëse ata kanë dollarin, ne kemi Zotin tonë! I sfidojmë!”

Ndërkohë Turqia u përgjigj njëlloj, duke dyfishuar tarifat për produktet amerikane, përfshirë ato elektronike, automjetet, duhanin, pije alkoolike dhe orizin.

Në Ballkan, eksportet turke po rriten me shpejtësi – rreth 22 për qind në pesë muajt e parë të vitit 2018, duke i sjellë vendit rreth 4 miliardë dollarë, sipas Asamblesë Turke të Eksportuesve.

Një përkeqësim i mëtejshëm i marrëdhënieve me Perëndimin mund të vazhdojë këtë prirje dhe madje sipas analistëve mund të rrisë ritmin.

Lideri i Turqisë, Erdogan ka kërkuar prej një kohe të gjatë të kultivojë lidhjet me ish-tokat osmane, duke e vendosur Turqinë në konkurrencë me Rusinë dhe BE-në për Ballkanin.

Mësimet e historisë

Një dyqan këmbimi valutor në Stamboll. Foto: (AP Photo/Lefteris Pitarakis)

“Duke qenë se shumë analistë po parashikojnë një ngadalësim ekonomik në Turqi, mund të ketë nxitje më të madhe për autoritetet turke që të vënë më shumë theks te marrëdhëniet tregtare me vendet e rajonit [Ballkanit],” tha për BIRN Oya Dursun-Ozkanca, profesor i shkencave politike në Kolegjin Elizabethtoën në SHBA.

Gozde Kilic-Yasin, një ekspert për marrëdhëniet turke-ballkanike në Ankara, tha: “Kjo situatë i ka inkurajuar bizneset turke të eksportojnë sepse prodhimet turke tani janë shumë më të lira dhe Ballkani është vendi më i mirë për ta, për shkak të marrëdhënieve politike ekzistuese dhe lehtësirave të tregtisë si dhe kostos së ulët të logjistikës”.

Megjithatë, eksportuesit e Ballkanit mund ta kenë të vështirë të shesin prodhimet e tyre në tregun turk, pasi ato tani do të kushtojnë më shumë.

Politikëbërësit në Ballkan po shohin me nervozizëm se si po ndikojnë telashet në shtetin turk dhe investimet private në vendet e tyre.

Projektet në rrezik përfshijnë ndërtimin e autostradës Beograd-Sarajevë, të cilën Turqia është zotuar ta ndihmojë me financim.

Departamenti turk i Thesarit thotë se investimet e përgjithshme turke në Ballkan në vitin 2011 ishin 879 milionë dollarë amerikanë.

Por investimet janë rritur me shpejtësi në vitet e fundit. Raporti i vitit 2018 i Ministrisë turke të Ekonomisë tregoi se investimet e vendit në Ballkan u rritën në 2.43 miliardë dollarë amerikanë në 2017.

I njëjti raport e përmend Bullgarinë si përfituese të 697 milionë dollarëve amerikanë në investimin turk, Shqipërinë 610 milionë dollarë amerikanë, Bosnje-Herzegovinë me 226 milionë dollarë amerikanë dhe Kosovën me 201 milionë dollarë.

“Situata është serioze,” tha ministri serb i tregtisë Rasim Ljajiç për TV rajonal N1 më 22 gusht.

“Na është garantuar nga shteti turk se ato marrëveshje dhe plane për të cilat kemi pritur investime nuk do të ndalen”, tha ai. “Kjo mund të jetë gjëja më e rëndësishme në këtë moment.”

Por shumica e analistëve thonë se rrjedha e parave turke në Ballkan ka gjasa të ngadalësohet.

“Mund të presim një rënie të ndjeshme në ndihmë dhe investime të Turqisë në vendet e Ballkanit, si dhe në aktivitetet e bankave shtetërore turke që operojnë në rajon”, tha për BIRN, Kerim Has, një ekspert i politikës së jashtme turke në Universitetin Shtetëror të Moskës.

“Kjo ndodhi në krizat financiare të viteve 1994 dhe 2001, kur autoritetet politike turke nuk arritën të përmbushin qëllimet e tyre në Ballkan”, shtoi ai.