Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar një marrëveshje në Samitin Digjital Rajonal për të ulur të gjitha tarifat roaming brenda dy vjetësh, sipas konceptit “Roaming si në shtëpi”.
Ministrat e Telekomunikacionit të Ballkanit Perëndimor nënshkruan një marrëveshje të enjten në Beograd për të hequr gradualisht të gjitha kostot e tarifave roaming në rajon.
Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia do të harmonizojnë për të herë të parë çmimet e telefonatave, mesazheve dhe gigabajtëve.
Ministri i Kosovës për Zhvillim Ekonomik Valdrin Lluka tha për BIRN se marrëveshja do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i këtij viti, me tarifa të reduktuara. Prej 1 korrikut 2021, të gjitha tarifat duhet të hiqen nën konceptin “Roaming si në shtëpi”.
Marrëveshja synon të lehtësojë komunikimin në rajon dhe të harmonizojë tregun e telekomunikacioneve.
Nga 1 korriku, thirrjet telefonike do të kushtojnë 19 cent/minutë, një SMS do të kushtojë 6 cent dhe një megabajt internet do të jetë 2.5 cent.
Deri më tani, shpenzimet për shërbime të tilla ishin shumë më të larta, duke u rritur në 2.5 euro për minutë për thirrjet në rajon.
Në vitin 2014, BIRN raportoi se kostoja e tarifave roaming në Ballkan ishte deri në gjashtë herë më e lartë se kostoja në Europën Perëndimore, sipas studimeve në atë kohë.
Përpjekjet e mëparshme për të hequr tarifat roaming përfshinin vetëm vende të veçanta, por jo të gjithë rajonin dhe u komplikuan nga mosmarrëveshja e Serbisë me Kosovën mbi statusin e saj si shtet i pavarur.
Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi arritën një marrëveshje për uljen e çmimeve të telefonatave me jashtë në vitin 2014. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, ata i ulën tarifat roaming me deri në 80 për qind në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2015, siç raportoi BIRN.
“Ne kemi një marrëveshje për katër shtete, por, nëse duam të përfshijmë të gjithë Ballkanin Perëndimor, kjo gjithashtu nënkupton edhe Shqipërinë plus Kosovën. Sigurisht që këtu ka një konotacion politik lidhur me statusin e Kosovës. Nëse marrëveshja e nënshkruar përfshin vetëm katër vendet e sipërpërmendura, atëherë kjo praktikisht do të thotë se tarifat roaming do të hiqen në verën e vitit 2021,” tha në nëntor 2018 Ministri i Telekomunikacionit i Serbisë, Rasim Ljajiç.
Në maj 2018, në Samitin e Sofjes, Bashkimi Europian caktoi 30 milionë euro për investime në këtë aspekt, si pjesë e një axhende digjitale për Ballkanin Perëndimor, për të lëvizur ekonomitë e rajonit drejt digjitalizimit.
Samiti i Sofjes midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që synon të përmirësojë lidhshmërinë dhe sigurinë, premtoi hapa konkrete për të forcuar bashkëpunimin në rajon.
Gjatë samitit, vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord për të ulur kostot roaming mes tyre dhe BE-ja u zotua të zhvillojë një plan për të ulur kostot roaming midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.