Lajm7 Jan 2016

Bankers ndërpret shpimet e reja, prodhimi bie me 6 për qind

Kompania kryesore e nxjerrjes së naftës në Shqipëri Bankers Petroleum, deklaroi se ka vendosur të ndërpresë shpimet e reja në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës për shkak të çmimeve shumë të ulëta të naftës në tregun ndërkombëtar.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinëz, Fier. Foto: Bevis Fusha/Bankers. Prill 2014

Fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinëz, Fier. Foto: Bevis Fusha/Bankers. Prill 2014

“Si pasojë e çmimeve të paqëndrueshme të naftës edhe në fillim të vitit 2016, Bankers ka zgjedhur të pezullojë aktivitetin e shpimit deri në përmirësimin e çmimeve me qëllim për të mbrojtur forcën e bilancit financiar të kompanisë,” deklaroi Bankers në një njoftim për shtyp.

“Dy sondat shpuese të përdorura përgjatë vitit 2015 janë ndalur përkohësisht në muajin dhjetor. Aktiviteti i shpimit do të rinisë me rritjen e çmimeve, sondat do të qëndrojnë në vend dhe do të jenë të gatshme për të rinisur aktivitetin në një të ardhme të shpejtë”, vijon më tej deklarata.

Çmimet e naftës në tregun ndërkombëtar kanë rënë nga mbi 130 dollarë për fuçi që qenë në shtator 2013, në më pak se 35 dollarë për fuçi sot. Çmimet e naftës janë aktualisht në nivelin më të ulët që nga viti 2004. Nafta shqiptare është e rëndë dhe e cilësisë së keqe dhe rrjedhimisht, ajo shitet më lirë se sa Brent, çmimi referencë i bursës së Londrës. Aktualisht, Bankers e eksporton naftën shqiptare përkundrejt një çmimi të barabartë me 77 për qind të Brent.

Gjatë vitit 2015, Bankers arriti të prodhojë mesatarisht 19,384 fuçi naftë në ditë (një fuçi është e barabartë me afërsisht 159 litra), me rënie 6 për qind kundrejt mesatares prej 20,690 fuçish në ditë gjatë vitit 2014. Bankers thotë se rënia është shkaktuar pjesërisht jo vetëm nga pakësimi i investimeve, por edhe nga një përmbytje në tetorin e kaluar që bllokoi prodhimin në disa puse.

Çmimi i naftës së shitur nga Bankers ra në tremujorin e katërt 2015 në 33.6 dollarë për fuçi, nga 77 dollarë që shitej në vitin 2014. Rrjedhimisht edhe të ardhurat e kompanisë janë përgjysmuar gjatë vitit 2015, duke sjellë mes të tjerash, rënie të përgjithshme të eksporteve dhe rënie të të ardhurave të buxhetit të shtetit nga renta minerare.

Bankers pati shënuar prodhimin më të lartë të naftës në të gjithë dekadën që ka punuar në fushat naftëmbajtëse të Shqipërisë më 2014, duke arkëtuar $583 milionë dollarë si të ardhura. Të dhënat financiare për vitin 2015 nuk janë ende të disponueshme, por të ardhurat vlerësohen se janë përgjysmuar.

Formacionet gjeologjike ku gjendet nafta shqiptare janë shumë të fragmentarizuara, gjë që kërkon shpime të shumta dhe të vazhdueshme për të ruajtur prodhimin, i cili në puset ekzistuese mund të reduktohet me deri në 30 për qind në vit. Rrjedhimisht, në mungesë të shpimeve të reja, prodhimi mund të bjerë më tej.

Përveç ndalimit të shpimeve të reja, kompania bëri të ditur se do të vlerësojë normën e kthimit të të gjitha puseve dhe mund të vendosë të ndërpresë prodhimin në puset anësore.