Reportazh12 Jan 2021

Banorët e Nënshkrodrës nën ankthin e përsëritur të përmbytjeve

Rreth 1900 hektarë janë nën ujë në zona të ndryshme të Shkodrës prej një jave, ndërsa banorët thonë se përjetojnë të njëjtën situatë prej vitesh me kultura bujqësore dhe infrastrukturë që dëmtohet.

Autor: Anila Dushi BIRN Tiranë
Printo

Toka të përmbytura në Shkodër. Foto:LSA

Gregor Pema, do të ishte një nga personazhet më të njohura në vend nëse njerëzit do tu kushtonin vëmendje personazheve që shfaqen me këmbët nën ujë në fushën e Obotit në Shkodër, thuajse një herë në 2 vjet.

Për vite me radhë Pema, i cili shërben si kryeplak i Obotit shfaqet në televizor dhe media sa herë në zonë ka përmbytje. Për të dhe për banorët e tjerë të Nënshkodrës, kjo është një rutinë e dhimbshme dhe pa zgjidhje.

“Toka bujqësore, me prodhime të cilës ne jetojmë tani është nën ujë. Ujësjellësi nuk punon dhe po na rrezikohet edhe gjëja e gjallë pasi ushqimin për të e ka dëmtuar uji”, i tha Pema BIRN të hënën.

Arat e Obotit, në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër janë prej ditësh nën ujë. Ujësjellësi i fshatit po ashtu ishte përmbytur dhe jashtë funksionit. Sipas të dhënave zyrtare të bashkisë Shkodër janë 1900 hektarë sipërfaqe totale e përmbytur, nga të cilat shumica foragjere ose rreth 1145 hektarë, grurë  95 hektarë, bimë dekorative 80 hektarë dhe 7 hektarë pemtore. Problemet më të mëdha janë shënuar në fshatrat Obot, Shirq, Ganjollë, Banks-Rrjolli dhe në lagjen Livande në Shkodër.

Banorët, të mësuar me përmbytjet,  jetojnë me frikën e mbushjes së liqeneve të HEC-eve mbi Drin, hapja më shumë e portave të të cilëve do të përkeqësonte situatën. Pema i tha BIRN se e vetmja gjë pozitive ishte fakti që shkarkimet e hidrocentralit të Vaut të Denjës kishin qenë deri tani të pakta.

Në një njoftim, të martën, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, e cila menaxhon kaskadën e Drinit, njoftoi vijim të shkarkimeve në portat e prodhimit të energjisë dhe atë të shkarkimit me rreth 1100 metra kub për sekondë. KESH thotë se situata është nën kontroll, ndërsa niveli i liqenit të Vaut të Denjës ka rënë prej 9 janarit kur filluan edhe shkarkimet.

Komiteti i Emergjencave Civile që u mblodh në 11 janar, e cilësoi situatën nën kontroll, ndërsa premtoi ndërhyrje të menjëhershme në infrastrukturën e dëmtuar.

Por për banorët dëmet në kulturat bujqësore janë bërë. “Do kërkoja shteti të të ketë kujdes më shumë me shkarkimet se ne na dëmton shumë. Aktualisht 70% e tokës është nën ujë”, thotë Pema.

Gregor Pema, banor i fshtatit Obot. Foto:Anila Dushi

Ndërkohë përmbytjet kanë krijuar probleme shtesë. Ujësjellësi Oblika 1, me të cilin furnizohet Oboti, është si pasojë e përmbytjeve jashtë funksionit. Ujësjellës Kanalizime Shkodër njoftoi se kishte furnizuar me ujë të pijshëm banorët e fshatit.

Rruga që lidh fshatin Obot me Oblikën dhe rrugën nacionale Shkodër- Muriqan kalohet prej ditësh vetëm me mjete të larta dhe varka ndërsa uji është i pranishëm në tokat dhe rreth banesave.

Për shkak të kësaj në shërbim të banorëve janë venë edhe 5 mjete të ushtrisë, tre kamionë dhe dy varka, për të mundësuar daljen e banorëve prej fshatit për furnizim me ujë dhe transportin e nxënësve që ndjekin shkollat e mesme në Oblikë apo Shkodër.

Të përmbytur janë edhe banorët në Dajç, por ndërsa Oboti përmbytet nga shkarkimet e hidrocentralit, në Dajç përmbytja vjen nga mosfunksionimi i kanaleve kulluese dhe nga ndërhyrjet në shtrim rrugësh.

Pjetër Maçi banor i fshatit thotë se ka 15 centimetra ujë në oborrin e banesës së tij ndërsa shton se përmbytja nuk ka ardhur nga Lumi Drin, por nga mosfunksionimi i rrjetit kullues. “Kur është bërë rruga është bllokuar kanali dhe uji nuk ka ku shkon dhe ne izolohemi prej tij”, tha Maçi.

Ai tha se pavarësisht kërkesave për të ndërhyrë askush nuk i kishte dëgjuar dhe as i kishte pyetur. “Nuk jemi afër Drinit, por uji i shiut nuk ka ku shkon dhe na bllokon”, thotë ai.

Gjovalin Gjokaj, një tjetër banorë i fshatit, thotë se ka nën ujë ushqimin e bagëtive  dhe pemët. “Kur na ka përmbytë lumi Drin si në 2011, jemi njësoj të gjithë dhe është rreziku ynë, por ne sivjet po na mbyt jo Drini, por reshjet se uji nuk ka ku kalon”, tha Gjokaj.

Ai tha se nëse reshjet vazhdonin uji do t’i hynte në shtëpi, ndërsa akuzoi se ata po vuanin nga papërgjegjshmëria.

Administratorit i njësisë administrative Dajç, Gjovalin Darragjati, tha se situata po monitorohet dhe uji sipas hidrometrit në Dajç, shënon kuotën 6.42 m, pak centimetra mbi kuotën maksimale prej 6.30 m.

Po ashtu për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar një segment rruge në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatin Shirq me Darragjatin.

Probleme janë shfaqur dhe në fshatin Ganjollë në njësinë administrative Gur i Zi ku vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit.

Sipas banorëve janë 30-40m që lumi Drin ka marrë nga fillimi i reshjeve, pasi në këtë zone nuk ka argjinaturë.

Shkarje dherash dhe gërryerje prej lumenjve malorë Kir, Gjadër, ke edhe në fshatra të tjerë të zonës. Dalja e lumenjve nga shtrati ka dëmtuar edhe sistemin elektrik. Ndërkohë rritja e nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, ka përkeqësuar situatën në lagjen e Livadeve në periferi të Shkodrës dhe në Dobraç.

Ujësjellësi i Nënshkodrës, i cili konsiderohet i rrezikuar dhe është përmbytur më herët,  është në gjendje pune dhe sipas përgjegjësit Alfred Pepnika. Deri tani nuk ka evakuime të popullsisë apo gjësë së gjallë, por bashkia Shkodër njoftoi se ka në gatishmëri 200 shtretër në konvikte , në rast se do jetë e nevojshme evakuimi i banorëve të zonave me prani të ujit.