Lajm16 Apr 2019

Banorët e Sheqit apelojnë vendimin e gjykatës për të lënë hapur fushën e mbetjeve

Banorë të fshatit Sheq në Fier dhe organizata “EDEN” apeluan një vendim të Gjykatës Administrative Vlorë për të lënë hapur fushën e depozitimit të mbetjeve në këtë fshat, të cilën e konsiderojnë të rrezikshme për jetën e tyre.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Tiranë
Printo

Venddepozitimi i mbetjeve urbane në Sheq, Fier. Foto kortezi nga Facebook i organizatës “EDEN”.

Një vendim i Gjykatës Administrative Vlorë, për të mbajtur hapur venddepozitimin e mbetjeve në Sheq të Fierit deri në ndërtimin e projektit tjetër kontravers atë të impiantit të djegies së mbetjeve në Vërri të po kësaj bashkie, ka lënë të pakënaqur banorët dhe organizatën mjedisore, të cilët bënë me dije se do të apelonin.

Organizata “Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim “EDEN” dhe banorë të Sheq, e konsideruan vendimin e gjykatës  të marrë në shkurt të këtij viti, por të zbardhur në fund të marsit “si cënim të dhënies së drejtësisë”.

Ata pretendojnë se megjithëse vetë pala e paditur pranon problemet në fushën e depozitimit të mbetjeve dhe situatën emergjente aty, të cilës nuk i ka dhënë zgjidhje prej vitesh, gjykata nuk i ka marrë në konsideratë provat.

“Gjykata nuk i ka dhënë përgjigje objektit të padisë drejtuar Bashkisë Fier, në asnjë provë të vënë në dispozicion nga bashkia Fier, nuk arsyetohet dhe nuk jepet një plan konkret për mbylljen dhe rehabilitimin e venddepozitimit aktual në mbetjeve në Sheq”, tha për BIRN Lira Hakani përfaqësuese e organizatës EDEN.

Fusha e mbetjeve në Sheq, e përdorur sipas vendimit të gjykatës për 40 vite, është shpallur si emergjencë mjedisore katër vjet më parë, në tetor 2015, nga Këshilli Bashkiak i Fierit. Ajo konsiderohet siç del nga vendimi i gjykatës prej bashkisë dhe Ministrisë së Mjedisit e tejmbushur, jashtë standardeve dhe e rrezikshme.

Megjithëatë ndërsa parashtron këtë situatë gjykatësi Ken Dhima arsyeton se padia e banorëve dhe e shoqatës “EDEN” që kërkon “mbylljen dhe rehabilitimin e plotë dhe të menjëhershëm të venddepozitimit të mbetjeve urbane në Sheq”, është “e pabazuar në prova dhe ligj”.

Gjykatësi arsyetoi se mbyllja duhej të ndodhte pas ndërtimit të impiantit të djegies së mbetjeve në Vërri, një tjetër projekt kontravers ky i kundërshtuar nga banorët e asaj zone. Nga vendimi i gjykatës rezulton se bashkia ka pranuar situatën e emergjencës, ndërsa e ka cilësuar atë si “një nga problemet më të mprehta” të bashkisë.

Nga ana e saj megjithatë bashkia pretendon se do e zgjidhë problemin përmes inceneratorit që është parashikuar të ndërtohet në Vërri. “Një kontratë me shoqërinë “Intergrated technology Ëeste Treatment Fier, sh.p K, me objekt ndërtimin dhe administrimin e trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier, firmosur më 24.10.2016, me Ministrinë e Mjedisit, do të zgjidh problemin,” bëhet e ditur në përgjigjen me email që bashkia Fier i ka kthyer banorëve më 27 shkurt 2018 dhe që citohet si provë në vendimin e gjykatës.

Por banorët dhe organizata “EDEN” vendosën në prill pas zbardhjes së vendimit të apelojnë atë, duke arsyetuar se “Gjykata, nuk ka kryer një hetim të gjithëanshëm dhe të plotë, si dhe nuk i ka dhënë zgjidhje pretendimeve të ngritura nga pala paditëse, duke konkluduar në përfundime që nuk janë të bazuara në dispozitat ligjore dhe nuk kanë lidhje me objektin e padisë, duke cënuar në këtë mënyrë dhënien e drejtësisë”.

Përfaqësuesja e “EDEN” i tha BIRN se ndërtimi i inceneratorit, i cili po ashtu ka hasur në kundërshtimin e banorëve të zonës që preken prej tij, nuk është zgjidhje për problemin në Sheq.

“Vendimi i marrrë nga Gjjykata nuk i ka dhënë zgjidhje problemit të banorëve në afërsi të venddepozitimit. Ndërtimi i një impjanti djegje mbetjesh nuk është një zgjidhje e qëndrushme për banorët e Sheqit, të cilët ende jetojnë mes mbetjeve”, tha Hakani.

Në njoftimin për Apelim organizata dhe banorët thonë se  përndryshe nga sa arsyeton gjykata në vendim “nuk provohet se impianti i incenerimit të plehrave që do të ndërtohet nga koncesionari privat do të cojë në rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve urbane në Sheq, Fier”. Po ashtu sipas tyre kontrata për inceneratorin nuk përmend mbylljen e venddepozitimi, i cili vijon të përdoret nga bashkia edhe pse për të nuk ka leje mjedisore dhe është “në kundërshtim me çdo parashikim ligjor”.

Problemi i menaxhimit të mbetjeve urbane është një nga problemet kryesore në vend, ndërsa qeveria ka ndryshuar disa herë strategji. Në vitin 2014 pasi kishte miratuar më herët një strategji kombëtare e cila mbështetej te riciklimi dhe landfillet qeveria u hapi rrugën ndërtimit të 3 inceneratorëve me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total.

Projektet sidoqoftë kanë hasur kundërshtime ndërsa një investigim gjeti se kontratat për to ishin fitura nga një rrjet kompanish të vogla në ortakëri me njëra tjetrën dhe me pronarë të panjohur në parajsa fiskale.

Lexo më shumë:

Inceneratorët e mbetjeve rrisin kostot dhe djegin parimet e BE-së

Banorët e Fierit protestojnë kundër impiantit të djegies së plehrave

Tirana do t’a paguajë shtrenjtë koncesionin e inceneratorit të plehrave

Raporti i Progresit shqetësohet për planet e qeverisë për incerneratorë