Lajm14 Jun 2021

Basha rizgjidhet në krye të PD mes akuzave për ‘garë farsë’

Lulzim Basha fitoi një mandat të tretë në krye të Partisë Demokratike me 80% të votave, në një proces të ngutshëm zgjedhor që prodhoi shumë akuza dhe asnjë surprizë.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i PD, Lulzim Basha pas votimit më 13 qershor 2021. Foto: LSA.

Rivalët e Bashës në garën partiake ishin Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Në votimet e së dielës morën pjesë rreth 54 për qind e listës prej 75 mijë anëtarësh aktivë të Partisë Demokratike.

Kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana deklaroi të hënën se Basha u shpall fitues me 80% të mbështetjes nga demokratët. I dyti u rendit Agron Shehaj me mbi 14% të votave, i pasuar nga Edit Harxhi me 2.3% dhe Fatbardh Kadilli me 1.9%.

Zgjedhjet e brendshme në PD u zhvilluan më pak se dy muaj nga tronditja e e humbjes së tretë radhazi të zgjedhjeve parlamentare, që u mbajtën më 25 prill.

Përballë zërave në rritje për dorëheqje, Basha nuk e pranoi humbjen dhe i konsideroi zgjedhjet si ‘masakra më e madhe elektorale e aleatëve Rama-Doshi”. Rivalët e tij fajësojnë Bashën për humbjen e zgjedhjeve parlamentare.

Ndërsa akuzat për zgjedhjet e 25 prillit vazhdojnë, Partia Demokratike dështoi të ofronte një standard të ndryshëm në garën e saj të brendshme.

Të dielën, kandidatja Edit Harxhi denoncoi pengimin e themeluesve të PD-së në votime me preteksin se nuk kishin qenë aktivë në fushatë elektorale, ndërsa kandidati Agron Shehaj tha se vëzhguesit e tij po pengoheshin që të monitoronin procesin. Shehaj bëri thirrje që procesi të mos kthehej në një farsë elektorale.

Në një konferencë për mediat të hënën, kandidati Fatbardh Kadilli i konsideroi zgjedhjet në parti më keq se ato parlamentare.

“Kishte pabarazi në këtë garë. Kishte një kryetar që nuk lëshoi zyrën. Deputetë dhe kryetarë degësh që nuk mbajtën distancën për të mos ndërhyrë në proces,” tha Kadilli.

Krahasimin me zgjedhjet parlamentare e bëri dhe një tjetër kundërshtar i Bashës, ish-presidenti Bujar Nishani, i cili i quajti zgjedhjet në parti si një “maskaradë elektorale”.