Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha surprizoi shqiptarët të enjten kur njoftoi se udhëheqësi historik i demokratëve, Sali Berisha, nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të kësaj partie. Berisha e akuzoi Bashën se është peng i “presionit korruptiv Rama-Soros”.
Basha shpalli përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar në një deklaratë për ndjekësit e tij në Facebook të enjten, një ditë para mbledhjes së parlamentit të ri të premten. Ai deklaroi se ky ishte një vendim i vështirë për të por se ai duhej ta bënte për hatër të frymës proeuropiane dhe proamerikane të demokratëve. Ai e cilësoi Berishën një njeri të ndershëm që ka punuar gjithmonë për Shqipërinë por për shkak se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur atë “person të përfshirë në korrupsion madhor,” ai nuk ka rrrugë tjetër veçse ta përjashtojë atë.
Berisha u emërtua person i korruptuar nga Uashingtoni në maj, si pjesë e përpjekjeve të Admsinistratës Biden për të luftuar korrupsionin në vendet aleate. Berisha është deklaruar i pafajshëm për akuzat dhe ka aluduar se vendimi i Uashingtonit është pasojë e lobingut të kr.yeministrit Edi Rama. Berisha akuzon gjithashtu miliarderin filantropist George Soros si armik të vet.
“Për të shmangur çdo keqkuptim […] kam vendosur që deri në përfundimin e kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështjeje në rrugë gjyqësore, zoti Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit paramentar të Partisë Demokratike,” deklaroi Basha.
Sipas tij, “kjo do të shmangë keqpërdorimin e çështjes nga kushdo për të dëmtuar interesat e demokratëve dhe të Partisë Demokratike.”
Berisha e kritikoi ashpër vendimin duke e cilësuar atë të pavlefshëm dhe në shkelje të statutit të partisë. Ai tha se Basha me këtë vendim “dorëzoi sovranitetin e PD-së” ndërsa kërkoi dorëheqjen e tij.
Në mbrëmje, Basha mblodhi grupin e deputetëve që do të ulen nesër në parlament. Disa politikanë të opozitës e kritikuan vendimin e Bashës por shumica dërrmuese nuk e kundërshtoi dhe as nuk e mbështeti publikisht.
Berisha, 77 vjeç, ka kontrolluar Partinë Demokratike që nga themelimi i saj 30 vjet më parë dhe ia ka dalë në të gjitha rastet të përjashtojë prej saj të gjithë kundërshtarët e tij. Ai vijon të ketë mbështetës të shumtë mes demokratëve por nëse ai do t’ia dalë të destabilizojë Bashën, kjo mbetet për t’u parë.
Kjo duket se është edhe goditja më e fortë politike e Bashës që kur ai u shfaq në vitin 2005 si delfin i Berishës.