Lajm20 May 2020

Bashkëpronari i Air Albania, Sinan Idrizi akuzohet për mashtrim në Turqi

Një nga biznesmenët më të famshëm në Turqi ka dorëzuar kallëzim penal në Stamboll kundër Idrizit për një mashtrim me vlerë 3.2 milionë euro për blerjen e një kompanie koncesionare në Shqipëri. 

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Aksioneri i Air Albania, Sinan Idrizi. Foto: Facebook.

Biznesmeni shqiptar Sinan Idrizi, i njohur si sponsor i skuadrës së Flamurtarit dhe partneri i përzgjedhur nga qeveria shqiptare për pronësinë e kompanisë ajrore, Air Albania, u akuzua të martën për mashtrim nga Adnan Polat, një nga biznesmenët më të famshëm turq dhe zëvendëspresident i skuadrës së futbollit Gallatasarajt, në lidhje me marrjen e një shume prej 3.2 milionë eurosh në vitin 2017 nën premtimin e blerjes së kompanisë koncesionare GFI Albania, bëri të ditur media turke të mërkurën.

Gazeta Hyriet, një nga më të mëdhatë në Turqi, raporton se Idrizi ka refuzuar të kthejë paratë e marra për blerjen e kompanisë, e cila nuk është realizuar.

GFI Albania është një kompani koncesionare e dhënë nga qeveria e Partisë Demokratike në vitin 2013 për të vendosur një pigment identifikues në naftën që qarkullon në Shqipëri dhe për kryerjen e kontrolleve në pikat e furnizimit me karburant, me supozimin se një teknologji e tillë do të luftojë kontrabandën e naftës.

I pyetur nga BIRN, Vangjel Birbo, një nga administratorët e GFI, tha se nuk kishte dijeni për ngjarjen dhe se nuk kishte pasur asnjë kontakt me Idrizin për shitjen e biznesit.

Idrizi nuk iu përgjigj një telefonate dhe një SMS-je të dërguar nga BIRN për koment deri në publikimin e shkrimit.

Më vonë Idrizi foli për Tema TV ku i hodhi poshtë akuzat. “Pala tjetër ka qenë e e paaftë të përmbushë detyrimet e saj financiare,” deklaroi Idrizi. “Ai mund të ketë bërë padinë e tij, unë kam bërë padinë time”.

Sinan Idrizi u shfaq në skenën mediatike shqiptare disa vite më parë si sponsor i klubit “Flamurtari” të Vlorës, një skuadër futbolli nën pronësinë e Bashkisë Vlorë, zona elektorale e kryeministrit Edi Rama.

Në vitin 2018, Idrizi u shpall nga qeveria e Edi Ramës si pala shqiptare në kompaninë Air Albania, një investim i përbashkët politik i Ramës dhe presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Burimet financiare të Idrizit, si në rolin e sponsorit të Flamurtarit ashtu edhe në rolin e aksionerit të Air Albania, mbeten mister. Idrizi nuk rezulton të ketë pasur aktivitet të qenësishëm biznesi në Shqipëri më parë, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Kallëzimi në Stamboll do të duhet të hetohet nga prokuroria turke.