Opinion6 Mar 2019

Bashkëpunimi rajonal është çelësi për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës

Teknika të përmirësuara hetimore dhe të mjekësisë ligjore nënkuptojnë se është ende e mundur gjetja e 12,000 personave që u zhdukën gjatë luftërave ballkanike, por bashkëpunimi mes qeverive është thelbësor në mënyrë që familjet të mund të mësojnë më në fund fatin e të afërmve të tyre të zhdukur.

Autor: Kathryne Bomberger BIRN
Printo

Billbordi i personave të zhdukur në Prishtinë, Kosovë në vitin 2014. Foto: BIRN

Në 20 vitet e fundit, qeveritë në Ballkanin Perëndimor kanë qenë në gjendje të japin llogari për më shumë se 70 për qind të 40,000 njerëzve që u zhdukën në fund të konflikteve në ish-Jugosllavi. Pothuajse 28,000 janë gjetur, gjë që është një arritje e pashembullt pas një konflikti në shkallë të gjerë kudo në botë.

Përqindja e lartë e njerëzve që janë gjendur tregon qartë se procesi i personave të zhdukur i miratuar në Ballkanin Perëndimor – dhe i kryesuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) – funksionon.

Ai ia ka dalë mbanë duke përdorur një qasje të trefishtë – duke krijuar legjislacion dhe institucione për të mbështetur procesin në një periudhë afatgjatë, duke zhvilluar një rrjet shoqatash efektive familjare që mund të mbrojnë të drejtat e tyre dhe duke përdorur teknologji moderne ADN-je, e  mbështetur nga kapacitetet e sistemeve të avancuara të të dhënave.

Aftësia e shkencës forensike është zgjeruar vazhdimisht që kur ICMP fillimisht e drejtoi procesin e identifikimit masive të ADN-së në vitin 2001.

Vetëm javën e kaluar, Instituti i Personave të Zhdukur në Bosnje dhe Hercegovinë qe në gjendje të informonte një anëtar familjeje se tre të afërm të tij ishin identifikuar, në këtë rast duke përdorur një teknikë të re revolucionare të njohur si Massively Parallel Sequencing (MPS).

Kjo ishte hera e parë që MPS-ja, e cila është duke u zhvilluar në sistemin laboratorik të ICMP-së në Hagë, është aplikuar me sukses për të identifikuar eshtrat njerëzore nga Ballkani Perëndimor.

Teknika bën të mundur arritjen e rezultateve në raste shumë sfiduese, ku teknologjitë aktuale kanë dështuar dhe gjithashtu mundëson identifikimin e tyre midis të afërmve më të largët. Kjo ofron shpresë të re për familjet që janë ende në pritje për të mësuar fatin e të dashurve të tyre.

Ndërsa pranojmë atë që është arritur, është e rëndësishme të kujtojmë se 12,000 persona rezultojnë ende të zhdukur në rajon – përpjekja për gjetjen e të zhdukurve nuk ka marrë fund ende. Puna duhet të vazhdojë.

Zhvillimet teknologjike ofrojnë shpresë, por po ashtu edhe angazhimi i vazhdueshëm i vendeve të rajonit për të ecur përpara me strategjitë e tyre përkatëse të personave të zhdukur dhe gjithashtu – kjo është e rëndësishme – vazhdimi i bashkëpunimit me njëri-tjetrin.

Deklarata e përbashkët e nënshkruar në Londër në qershor 2018 nga krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, duke ripërtërirë angazhimin e tyre për të bashkëpunuar në përpjekjet për të gjetur ata që rezultojnë ende të zhdukur, ishte një hap shumë i rëndësishëm.

Kjo u pasua nga nënshkrimi i një Plani Kuadër për zbatimin e Deklaratës së Përbashkët. Nëntorin e kaluar, në selinë e ICMP-së në Hagë, përfaqësuesit e Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë u bashkuan për të nënshkruar Planin Kuadër dhe zyrtarisht u zotuan të punojnë së bashku si Grupi Rajonal i Personave të Zhdukur.

Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për të mbështetur një proces të suksesshëm.

Ai mbështetet në tri shtylla. E para është nevoja operacionale për të shkëmbyer informacione – pasi nuk është e pazakontë që varret klandestine të ndodhen në një vend, familjet e të zhdukurve janë në një vend tjetër dhe të dhënat që lidhen me kërkimin janë në një vend të tretë.

E dyta është solidariteti i thellë që ekziston midis familjeve të të zhdukurve në të gjitha shtetet dhe komunitetet, pasi ata që kanë ndarë përvojën tronditëse të humbjes së një njeriu të dashur  kanë një lidhje të përbashkët.

E treta është zbatimi i një qasjeje jodiskriminuese që përfshin të gjitha palët e interesuara në proces. Familjet e të zhdukurve nuk kërkojnë mbështetjen e autoriteteve si një privilegj, por si një të drejtë: qeveritë kanë një detyrim ligjor sipas ligjit ndërkombëtar dhe vendas për të bërë gjithçka që është e mundur për të gjetur të zhdukurit dhe për të ruajtur të drejtën e të mbijetuarve për të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimet.

Mund të duket se, me kalimin e kohës, shanset për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur zvogëlohen. Sidoqoftë, futja e teknikave të përmirësuara hetuese dhe të mjekësisë ligjore nënkupton që është e mundur gjetja e varreve klandestine dhe identifikimi i njerëzve të varrosur në to, edhe pasi kanë kaluar më shumë se dy dekada.

Mbështetja e të drejtave të familjeve të të zhdukurve nuk është një çështje vetëm për familjet, por ajo ndikon në shoqërinë në tërësi. Kur mbështeten të drejtat e grupeve më të prekshme në shoqëri, mbështeten të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Unë besoj se është një shenjë pozitive që përsa i takon çështjes së personave të zhdukur, qeveritë në rajon e kanë kuptuar këtë dhe po punojnë në mënyrë aktive për të përmbushur angazhimet që ata kanë bërë.

Kathryne Bomberger është drejtoreshë e përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Ajo do të vizitojë këtë javë rajonin për t’u takuar me krerë qeverish dhe zyrtarë përgjegjës për gjetjen e personave të zhdukur, për të diskutuar hapat për të lehtësuar vënien në zbatim të Planit Kuadër që u nënshkrua nëntorin e kaluar.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.