Lajm13 Sep 2021

Bashkia e Durrësit studion rrugë për zhvillimin e plazheve të Kallmit

Admininstrata vendore po studion mundësinë e lidhjes së plazhit të Currilave më një nga akset kryesore rrugore të qytetit.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Plazhi i Kallmit në Durrës | Foto: G. Kabashi

Plazhet e Kallmit, shumë pranë Durrësit, i kanë shpëtuar ndërtimeve pa kriter falë mungesës së një rruge.

Përvoja e zonave të tjera bregdetare, si Golemi në jug të qytetit, apo Shën Pjetri në pjesën veriore të tij, dëshmojnë se përmirsimi i dukshëm i infrastrukturës rrugore ndikoi në zhvillimin me përpjestime negative në këto hapësira, ku ndërtimi pa kriter vazhdon të dëmtojë mundësitë e turizmit.

Kallmi, që përfaqëson 4-5 km vijë bregdetare të një lloji krejtësisht të veçantë, sipas specialistëve është ruajtur në pjesën më të madhe të tij për shkak të rrugës që e përshkon, e cila  nga Currilat në Porto Romano vazhdon të ruajë parametrat e viteve 1990.

Por çfarë pritet të  ndodhë me plazhet intime prej shkëmbinjsh e zhavorresh që kanë pamjen e një riviere në pjesën shhqiptare të detit Adriatik?

Bashkia e Durrësit ka hapur tashmë një tender për studimin e një aksi rrugor për të cilën flitet prej kohësh, dhe që duhet të bashkojë rrugën “Aleksandër Goga”, në krahun lindor të kodrave të qytetit, me atë të Currilave në bregdet.

Qëllimi themelor për të shkurtuar distancën dhe  për të lehtësuar lëvizjen e automjeteve në të dy anët e qytetit, nuk mund të shmangë zgjatjen e saj drejt veriut, pikërisht në bregdetin ende të pacënuar të  Kallmit.

4-5 km e zonës kodrinore, të cilat u janë rikthyer pronarëve të viteve 1930, aktualisht vizitohen nga një numër i kufizuar i plazhistëve, por me siguri një numër shumë më i madh se sa ai i atyre që kishin të drejtën të lëviznin në këtë zonë gjatë periudhës komuniste.

Zona kodrinore mjaft e thepisur drejt detit, në vitet 1960 u mboll me pemë ulliri, ndërsa në dhjetëvjeçarin që pasoi vendin e gjelbërimit e zonë bunkerët e pafund, që rrezikun e pushtimeve imagjinare e shikonin nga deti.

Thuajse i gjithë bregdeti, jo më larg se sa 3 km nga qendra e Durrësit, u kthye në zonë ushtarake, pa asnjë mundësi hyrjeje.

Pas vitit 1990 krejt zona u çmilitarizua, ndërsa nga tunelet u hoqën me jo pak vështirësi teknike një arsenal armatimesh dhe municioni luftarak.

Vitet e fundit u shkatërruan edhe kupolat e bunkerëve që popullonin kodrat deri në vijën e ujjit.

Riviera me plazhe të vegjël  dhe shkëmbinj prej zhavorresh të ngjeshur brenda në det mundi të marrë frymë lirisht, por gjithçka ndaloi aty.

Bashkia ende nuk ka paraqitur një plan të detajuar për të ardhmen e zonës, ndërsa familjet durrsake trashëgimtare të pronave përpiqen të shfrytëzojnë sezonin turistik për të ofruar shërbimet për të gjitha ata që ndërmarrin rrugën herë prej kalldrëmi e herë prej çakulli që të çon drejt plazheve krejtësisht të veçantë.

Rruga e ardhshme që bashkon zemrën e qytetit me zonën e Currilave do të jetë me siguri një shanc mjaft i mirë për të rritur numrin e turistëve në Kallm.

Pa harruar rrezikun që mund të sjellin ndërtimet e paplanifikuara në një nga zonat ende të ruajtuara në bregdetin e Durrësit.