Ekonomistët e kanë mirëpritur vakët thirrjen për një bashkim të ri doganor në Ballkan, duke thënë se destabiliteti rajonal dhe marrëveshjet e dobëta të biznesit janë problem më i madh sesa mungesa e tregtisë së lirë.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç kohët e fundit lajmëroi se planet për të krijuar një treg të ri të lirë dhe bashkim doganash në Ballkan ishin mbështetur nga BE-ja pas një samiti të liderëve në Ballkan të mbajtur në Sarajevë javën e shkuar.
“Unë do t’i përkushtohem kësaj dhe uroj që do të mund të ndikoj për ta bërë [bashkimin] të ndodhë, gjë që do të ishte një lehtësim”, tha Vuçiç për median më 19 mars, duke shtuar se ideja është mbështetur nga BE-ja.
Sipas Vuçiç, bashkimi do të ulë kostot operacionale për kompanitë vendore me shtatë për qind dhe do të sjellë rritje të investimeve, teksa kjo do ta kthente Ballkanin në tregun më tërheqës për 20 milionë njerëz.
Ekonomistët thonë se ndërsa kjo mund të sjellë disa përfitime, ideja nuk do të sjellë shumë përfitime se të tashmet të cilat parashikohen në kushtet e Lidhjes së Europës Qendrore për Tregti të Lirë, CEFTA.
Ekonomistët thonë se qëllimi kryesor – bërja e rajonit më tërheqës për investitorët – zor se do të arrihet, pasi së pari çdo vend në rajon do të duhet të bëhet konkurrent në të gjitha fushat e biznesit, ndërkohë që një nga parakushtet kryesore do të ishte stabiliteti politik.
Debati mbi një bashkim të ri doganor rajonal filloi në mes të shkurtit, kur kryeministri serb Vuçiç ia prezantoi idenë kancelarit austriak Christian Kern gjatë vizitës së tij në Beograd.
Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi në Sarajevë më 16 mars, liderët e Ballkanit deklaruan se e kishin diskutuar këtë ide dhe se do të fillojë të punojë mbi një propozim për një qasje të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Johnnes Hahn, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, e mbështeti gjithashtu idenë, e cila ka lindur në një kohë të tensioneve politike në Ballkan, ndërsa tha se kjo do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit.
“Tregu i përbashkët ka potencialin e krijimit të 80.000 vendeve pune! Por kjo nuk është vetëm për ekonominë. Tregu i përbashkët do të forcojë dhe të nxisë integrimin në BE”, postoi Hahn në Tëitter më 16 mars.
Vendet e rajonit tashmë kanë qenë anëtarë të Lidhjes së Europës Qendrore për Tregti të Lirë, CEFTA, një marrëveshje tregtare e themeluar 27 vjet më parë për të lehtësuar tregtinë e lirë mes vendeve jo anëtare në BE në Europën Juglindore dhe përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE.
Që nga viti 2007, nënshkrues të marrëveshjes së CEFTA janë Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova.
Duke shënuar 10-vjetorin e anëtarësimit të Serbisë në CEFTA, Rasim Ljajiç, ministri serb i tregtisë vuri në dukje se gjatë më shumë se një dekade, Serbia pothuajse kishte dyfishuar tepricën e saj tregtare me fqinjët nga 1.1 miliard euro në 2.1 miliardë euro, ndërsa eksportet u rritën nga 1 miliard euro në 2.8 miliardë.
Për secilin nga vendet anëtare në CEFTA, ndërsa tregu i BE-së është më i rëndësishmi, partneri i dytë më i madh janë vendet e CEFTA.
Rreth 60 për qind i këmbimit të përgjithshëm të jashtëm të Serbisë është me vendet e BE-së dhe rreth 15 për qind me anëtarët e CEFTA-s.
Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar i Serbisë me jashtë në vitin 2016 arriti në 30 miliardë euro, sipas zyrës së statistikave në vend. Partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë ishin Gjermania [4.4 miliard] dhe Italia [4.1 miliardë].
Konkurrenca në CEFTA
Kryetari i Dhomës Serbe të Tregtisë, Marko Cadez, i tha të përjavshmes NIN më 2 mars se një treg i ri i lirë dhe një bashkim i ri i doganave do të sillte një nivel më të lartë të integrimit ekonomik sesa thjesht një zonë e tregtisë së lirë.
“Bashkimi doganor do të përfshinte jo vetëm regjimin pa doganë, por edhe tarifën e përbashkët doganore dhe politikën e njëjtë të tregtisë së jashtme me vendet e tjera, që do të thotë bashkim i të gjitha instrumenteve të përdorura për të bërë tregti me vendet jashtë unionit,” tha Cadez për NIN.
Megjithatë, ekspertët thonë se një bashkim i tillë do të jetë i vështirë për t’u zbatuar realisht dhe efektivisht do të veprojë si konkurrent për marrëveshjen CEFTA.
“Pjesa e Ballkanit Perëndimor që nuk ka hyrë në BE nuk ka një qarkullim të më mirë kapitali si dhe një treg të vetëm për mallrat dhe shërbimet,” tha për BIRN Milan Kovaçeviç, ekonomist.
“Por pengesa më e madhe është tensioni politik që ekziston mes vendeve”.
Ai beson se është shumë më e rëndësishme për rajonin që të ketë lehtësim të tensioneve politike, më tepër se sa të formohet një model i ri bashkëpunimi ekonomik që konkurron me CEFTA-n.
“Kalimi në bashkim doganor në një kohë kur marrëdhëniet politike mes disa vendeve janë tensionuar, dhe ndërsa ka shumë hapësira për tregti pa doganë, jo vetëm me vendet e CEFTA – pasi Serbia ka marrëveshje të tilla me BE-në, Turqinë, Rusinë – duket si një ide e papërfunduar dhe e paqartë,” tha Kovaçeviç.
Mahmut Bushatlija, një këshilltar i investimeve të huaja, tha se marrëveshjet e tregtisë mund të kontribuojnë për ta bërë tregun më tërheqës për investitorët, por nuk mund të zëvendësojnë kushtet e tjera që janë po aq të rëndësishme për tërheqjen e tyre.
“Një treg tërheqës është ai që ka konkurrencë në të gjitha segmentet e biznesit, ligjit, drejtësisë, edukimit,” tha Bushatlija.
Pak përfitime të mundshme
Pengesat më të mëdha për funksionimin e marrëveshjes CEFTA janë barrierat jo-tarifore që shpesh pengojnë lëvizjen e qetë të mallrave.
Serbia ka pasur probleme të tilla me Maqedoninë, e cila pengoi importin e grurit dhe miellit nga Serbia për të mbrojtur prodhuesit vendas.
Bosnja, nga ana tjetër, ka futur taksa më të larta të akcizës për importin e birrës. Kosova ka vite që takson më shumë për përdorimin e materialeve të huaja të ndërtimit në territorin e saj.
Milan Prostran, një analist biznesi i specializuar në bujqësi, thotë se prishja e barrierave jo-tarifore që mbrojnë prodhimin vendas është i vetmi përfitim që vjen nga bashkimi i ri.
“Hapi i vetëm përpara në krahasim me atë që ekziston tashmë brenda CEFTA-s do të ishte nëse ky bashkim i ri doganor bazohet në parimin e tregtisë së lirë të plotë, pa mundësinë e futjes së ndalesave. Ndryshe, nuk e di se çfarë përfitimi tjetër të ri mund të sillte,” tha për BIRN Prostran.
Ai e përshkroi anëtarësimin në CEFTA si në thelb një “mësim” mbi tregtinë e lirë, në mënyrë që vendet e Ballkanit të bëhen gati për të vepruar në një treg konkurrues brenda BE-së.
“Kur bëhet fjalë për sektorin e ushqimit, Serbia nuk ka konkurrencë brenda CEFTA-s; ne jemi të parët në atë hapësirë dhe nuk ka asnjë presion për t’u bërë më konkurrues. Në këtë kuptim, bashkimi i ri nuk do të ndryshojë asgjë,” paralajmëroi ai.