Dosje të zhdukura, fletë hetimi të grisura përtokë dhe dëmtimi i kamerave të sigurisë ishte gjithçka mbeti pas grabitjes së paprecedentë të Prokurorisë së Durrësit, ndërkohë që hetuesit thonë se autorët “e dinin mirë se çfarë po kërkonin”.
Dosje të zhdukura si dhe dhjetra fletë hetimi të grisura më dysh e të flakura përtokë u konstatuan nga oficerët e policisë gjyqësore mëngjesin e së enjtes, pas sinjalizimit për bastisjen e paprecedentë të Prokurorisë së Durrësit.
Në mesditë, hetuesit e çështjes-të ndihmuar edhe nga të dërguar të Prokurorisë së Përgjithshme ende nuk kishin përfunduar inventarin e dosjeve të zhdukura nga zyra e prokurorit të Task-Forcës Afrim Shehu dhe e oficerit të policisë gjyqësore që bashkëpunon me të.
“Duket se kanë punuar për një kohë të gjatë aty. Kanë marrë materialet që u duheshin dhe ato që i kanë quajtur të pavlera i kishin grisur dhe lënë në tokë,” tha për BIRN një pjestar i grupit të hetimit në kushtet e anonimitetit.
Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se ambientet e Prokurorisë së Durrësit ishin sulmuar nga persona të paidentifikuar, të cilët sipas saj kanë përdorur mjete të forta për të hapur derën e zyrës së serverit-ku fillimisht kanë dëmtuar pajisjet e kamerave të sigurisë.
Prokuroria e Durrësit ka regjistruar një procedim penal për ngjarjen e rëndë, me dyshimin se grabitja është kryer nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal. Gjithashtu, prokuroria ka regjistruar edhe veprat penale të “ndërhyrjes në sisteme kompjuterike” dhe “zhdukja ose humbja e fashikullit [të hetimit].
Bastisja e Prokurorisë së Durrësit dhe zhdukja prej saj e dosjeve të hetimit ndodh rreth dy javë pas vjedhjes ende pa autorë të postës së këtij institucioni-ngjarje kjo e ndodhur më 8 maj. Të dhënat e siguruara tregojnë se autorët dyshohet se kanë vjedhur dosje në hetim, materiale të serverit, regjistrime të kamerave të sigurisë por edhe kartat hyrëse dhe dalëse të personelit të Prokurorisë.
Një burim nga grupi i hetimit i tha BIRN se autorët kanë hyrë nga dera e pasme e Prokurorisë, e më pas janë ngjitur në katin e pestë të institucionit- aty ku janë dhe zyrat e drejtorit të task-forcës në këtë Prokurori. Sipas tij, “autorët e dinin mirë se çfarë kërkonin”.
Sipas organit qendror të akuzës, dyert janë hapur me dhunë.
“Është konstatuar se këta persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyre të oficerëve të policisë gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur gjate orëve të vona të natës, kur Godina e Prokurorisë ruhej nga punonjësit e policisë private,” thuhet në njoftimin për shtyp.
Afrim Shehu është një ndër hetuesit më të vjetër të Prokurorisë së Durrësit. Përveç drejtimit të zyrës së task-forcës, ky prokuror kohët e fundit ka pasur nën hetim çështjen e falsfikimit të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit. Katër ish-zyrtarë të Komunës së Ishmit u arrestuan si të dyshuar për abuzim me tokat në këtë çështje, ndërkohë që gjashtë persona të tjerë janë në hetim për të njëjtën çështje.
Ilir Turja, zëdhënësi i prokurorisë së Durrësit nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN se cilat janë dosjet e humbura. Ndërkohë, burimet thanë se autorët kanë grabitur fillimisht dosjet e prokurorit Shehu dhe të oficerit të policisë gjyqësore që punon me të dhe më pas kanë zbritur në dhomën e serverit, ku edhe atje kanë marrë materiale të tjera.
“Nuk dihet ende se çfarë është marrë por kanë shkatërruar edhe kamerat e sigurisë dhe kanë marrë regjistrimet. Po kështu janë marrë edhe kartat hyrëse dhe dalëse të prokurorëve,” shpjeguan hetuesit.