Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë deklaroi të mërkurën se parlamenti aktual nuk duhet të zgjedhë kryetarin e ri të bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive ndërkohë që socialistët kanë në plan të votojnë sot, ku pretendenti kryesor, Armela Krasniqi, njihet si pjesë e stafit të kryeministrit Edi Rama.
Socialistët kanë në plan të votojnë sot në Kuvendin e Shqipërisë zgjedhjen e kryetarit të ri të bordit të AMA, një garë në të cilën pretendentja kryesore është Armela Krasniqi, ish-zëdhënëse e Partisë Socialiste dhe pjesë e stafit të kryeministrit Edi Rama. Kjo është mbledhja e fundit e parlamentit të vjetër, i cili zyrtarisht shpërndahet sot për t’i lënë vendin në shtator parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë i bëri thirrje socialistëve mëngjesin e sotëm që të tërhiqen nga plani që ekspertët e lirisë së shprehjes e kanë quajtur “kapje të bordit të AMA”, një institucion që ligjërisht duhet të jetë i pavarur politikisht.
“Ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me emërimin gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar,” thuhet në njoftimin e BE-së, publikuar në rrjetin social Tëitter.
“Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente & me legjitimitet të njohur nga të gjithë,” thuhet në deklaratë.
Autoriteti i Medias Audiovizive licencon dhe i heq licencat televizioneve, radiove dhe platformave të transmetimit dixhital si dhe mbikëqyr pjesërisht përmbajtjen e televizioneve dhe radiove për çështje të etikës. Ky është institucioni të cilin Edi Rama dëshiroi por nuk ia doli t’i japë fuqinë të mbikëqyrë publikimet në internet, me fuqi për të urdhëruar heqjen e materjaleve të publikuar dhe për të vendosur gjoba me vlerë prej mijëra eurosh.
Mungesa e pavarësisë së AMA, i cili është një institucion që gjerësisht plotësohet nga persona me përkatësi të qartë politike, ishte një nga argumentet e Komisionit të Venecias për të hedhur poshtë ligjin e miratuar nga socialistët dhe të bllokuar nga presidenti. Socialistët nuk kanë lëvizur përpara me këtë ligj por as nuk e kanë tërhequr zyrtarisht atë dhe ai vijon të mbetet në axhendën parlamentare.