Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndonjë shpresë për t’iu bashkuar BE-së, procesi i anëtarësimit duhet të reformohet, të bëhet i bazuar në meritë dhe të ofrojë qëllime të besueshme të përkohshme.
Zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Europian në Ballkan është i mundur vetëm nëse ai është thellësisht transformues. Pa përmirësime rrënjësore të institucioneve dhe ekonomisë, asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk do të anëtarësohet kurrë në Bashkimin Europian.
Aktualisht, procesi i zgjerimit të BE-së nuk është transformues. Ai nuk frymëzon politikanë dhe mijëra nëpunës civilë të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të transformuar vendet e tyre. Kandidatët kryesor dhe ata që mbeten pas janë bllokuar në një cikël vicioz me pritshmëri të ulëta dhe pak reforma.
Procesi i pranimit që s’përfundon kurrë
Vitet e fundit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë punuar shumë. Ata besonin se do të fillonin negociatat e pranimit. Këto dy vende kishin një qëllim të përkohshëm kuptimplotë dhe frymëzues. Mali i Zi, Serbia, Turqia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria – të gjitha këto vende arritën të kryejnë reforma të vështira para se të fitonin statusin e kandidatit ose të fillonin negociatat e pranimit.
Kjo funksionoi sepse ata i panë përpjekjet e tyre si domethënëse. Ishte e qartë se çfarë duhej bërë. Kjo e çoi vendin më pranë qëllimit përfundimtar të anëtarësimit. Dhe kjo varej nga përpjekjet e vetë vendit.
Pas fillimit të bisedimeve, megjithatë, perspektiva e bashkimit zhduket në të ardhmen e largët. Nëse një vend bëhet një anëtar i plotë nuk do të varet vetëm nga përpjekjet e tij. Kjo varet nga gjendja e BE-së në të ardhmen e largët.
“Para ndonjë zgjerimi efikas, ne duhet të dimë se si të reformojmë veten”, tha presidenti Francez Emmanuel Macron tetorin e kaluar, duke shtuar se, “nëse nuk ka një moment zgjimi kolektiv, ne nuk mund të sjellim anëtarë të tjerë, madje edhe në pesë ose dhjetë vite”. Nuk është e qartë nëse dhe kur do të ndryshojë kjo gjë. Kjo do të thotë gjithashtu se edhe pas hapjes së negociatave të pranimit, nuk ka ndonjë qëllim të besueshëm.
Imagjinoni për një moment që të gjithë anëtarët e BE-së të pranojnë të hapin bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa ndonjë ndryshim në mënyrën se si zhvillohen bisedimet e pranimit. Çfarë do të ndodhte? Me shumë gjasa, shumë pak. Pasi kanë punuar shumë gjatë viteve të fundit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria së shpejti do të humbnin vrullin. Reformatorët e tyre do të fillojnë të ndjehen si minj në një rrotë që s’ndalon kurrë së rrotulluari, duke kuptuar se çfarëdo përpjekje që ata të bëjnë, nuk do t’i afrohen ende më shumë anëtarësimit në BE.
Kjo është ajo që ka ndodhur me favoritët. Mali i Zi i filloi bisedimet e pranimit në qershor 2012. Temat e diskutuara ndahen në 33 kapituj. Në tetë vjet, Mali i Zi ka përmbushur kushtet (ose “ka mbyllur”) për tre kapituj. Serbia, që kur filloi negociatat në vitin 2014, ka mbyllur dy kapituj.
Sipas vlerësimeve të Komisionit, midis vitit 2015 dhe 2019, Mali i Zi nuk bëri progres në 23 kapituj, përparoi (pak) në nëntë të tillë dhe eci gabim në një të tillë. Në këtë moment, Mali i Zi është “i avancuar” (shkalla më e mirë) në zero kapituj dhe ka një “nivel të mirë përgatitjeje” në shtatë. Me këtë ritëm, do të duhen dekada të tëra para se Mali i Zi të përmbushë të gjitha kriteret.
Është gjithashtu befasuese që – në të 33 kapitujt – Maqedonia e Veriut sot qëndron afërsisht në të njëjtin nivel me Malin e Zi përsa i takon standardeve të BE-së. Maqedonia e Veriut madje nuk i ka filluar bisedimet e pranimit. Nuk ka hapur ose mbyllur asnjë kapitull. Përqendrimi në hapjen e kapitujve ka çorientuar vëmendjen politike. Ai nuk është tregues i progresit.
Reforma frymëzuese
Sot BE-ja duhet të gjejë konsensus midis anëtarëve të saj për të mbyllur rrethin Maqedoni e Veriut-Shqipëri. Por ajo gjithashtu duhet ta reformojë procesin, ta bëjë atë vërtet të bazuar në merita dhe të ofrojë një qëllim të besueshëm të përkohshëm që frymëzon ndryshim real. Kjo është e mundur nëpërmjet një reforme që mbështetet në sistemin aktual, por bën katër ndryshime thelbësore.
Së pari, procesi do të kishte dy faza: Qëllimi i bisedimeve do të mbetej pranimi i plotë, por faza e parë, si një qëllim i përkohshëm kuptimplotë, do të ishte hyrja në Tregun e Vetëm, i cili mbulon pjesën më të madhe të acquis dhe politikat e BE-së. Bashkimi në Tregun e Vetëm deri në vitin 2025 është një qëllim realist për vendet kandidate nga Ballkani.
Bashkimi në Tregun e Vetëm deri në vitin 2030 duhet të jetë një synim realist për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo duhet të varet vetëm nga ata. Atëherë ata do të gëzonin katër liritë – lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punës – që Norvegjia dhe Islanda i gëzojnë sot.
Së dyti, në vend që të hapni dhe mbyllni kapitujt një nga një, të gjithë kapitujt që lidhen me Tregun e Vetëm do të hapeshin në fillim dhe – pasi të plotësohen kushtet – të mbylleshin të gjithë menjëherë.
Masa kryesore e përparimit do të ishte ndryshimet thelbësore të matura në progres raportet. Kjo kërkon udhërrëfyes cilësorë dhe lista kontrolluese për secilin kapitull, të kombinuara me vlerësime të rregullta bindëse nga Komisioni.
Së treti, sundimi i ligjit do të bëhej vërtet tepër thelbësor: Të gjitha kushtet që kanë lidhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut do të duhej të përmbusheshin plotësisht përpara se çdo vend të mund të hynte në Tregun e Vetëm. Kushtet e sundimit të ligjit do të ishin po aq të nevojshme për hyrjen në Tregun e Vetëm sa do të ishin edhe për anëtarësimin e plotë dhe monitorimi i këtyre do të duhej të ishte akoma më i rreptë.
BE-ja duhet të zhvillojë mënyra të reja për të vlerësuar fushat kryesore të sundimit të ligjit. Këto mund të përfshijnë monitorimin gjyqësor të rasteve të zgjedhura të rëndësishme, vlerësime të thelluara të shfaqjes së korrupsionit, monitorimin sistematik të transmetuesve kombëtarë dhe vlerësime të thella të kontrollit parlamentar të shërbimeve të sigurisë.
Së katërti, nëse ndonjë vend shkel seriozisht të drejtat themelore të njeriut ose dëmton pavarësinë e gjyqësorit, pezullimi i procesit të anëtarësimit do të duhej të ishte i mundur me një shumicë të thjeshtë të anëtarëve të BE-së. Pezullimi duhet të ketë efekte reale, duke përfshirë ngrirjen e fondeve të para pranimit. Dhe rifillimi i bisedimeve duhet të jetë gjithashtu i mundur me një shumicë të thjeshtë.
Çfarë e pret Ballkanin Perëndimor?
Kryerja e reformave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Tregun e Vetëm dhe për t’u anëtarësuar në BE ka qenë dukshëm e dobishme për ekonomitë periferike. Duke marrë parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve, Lituania kaloi nga 37 për qind e GDP-së mesatare të BE-së për frymë që ishte në vitin 1999, në 81 për qind në vitin 2018. Gjatë së njëjtës periudhë, Rumania shkoi nga 26, në 66 për qind.
Maqedonia e Veriut sot është në nivelin që ishte Lituania në vitin 1999. Bosnja dhe Hercegovina sot është në nivelin që ishte Rumania në vitin 1999. Vendet mund të ndryshojnë. Politika e zgjerimit mund të ketë një ndikim të madh. Për këtë, ajo duhet të jetë e besueshme, e bazuar në merita dhe serioze. Ka ndodhur më parë. Mund të ndodhë përsëri.
Të gjithë anëtarët e rinj të BE-së nga Europa Lindore u anëtarësuan në Tregun e Vetëm kur u anëtarësuan në BE. Austria, Finlanda dhe Suedia u bënë fillimisht anëtare të Tregut të Vetëm dhe më pas – pasi e lejuan rrethanat politike – u bënë anëtare të plota të BE-së.
Të gjithë ata në Ballkanin Perëndimor që duan që vendet e tyre të transformohen, të përfitojnë nga politika të mira mjedisore, të kenë rregulla të qarta në prokurimin publik dhe të shikojnë një të ardhme më të begatë, duhet ta mbështesin këtë.
Anëtarësimi në Tregun e Vetëm nuk është një alternative për anëtarësimin në BE. Ai qëndron në rrugën drejt anëtarësimit. Dhe është mënyra e vetme e besueshme dhe kuptimplote drejt këtij qëllimi.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.