Emigrantë dhe refugjatë vazhdojnë të grumbullohen në kufirin turk me Greqinë, ndërsa liderët e BE-së shprehin mbështetje për Athinën kurse grupet e të drejtave të njeriut kërkojnë një reagim humanitar.
Numri i emigrantëve që përpiqen të largohen nga Turqia për në Greqi ka vazhduar të rritet pasi Turqia javën e kaluar njoftoi se do t’i lejonte ata të largoheshin për në Europë.
Të mërkurën autoritetet turke në Edirne akuzuan rojet kufitare greke për hapje zjarri ndaj një grupi prej gjashtë refugjatësh që po përpiqeshin të kalonin kufirin, duke i plagosur të gjashtë, njëri prej të cilëve vdiq më vonë në spital.
Turqia tha se po hapte kufirin, duke anuluar një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në, pasi 34 ushtarë turq vdiqën në një sulm ajror të qeverisë siriane të mbështetur nga Rusia në enklavën e rebeluar të Idlibit në veri të Sirisë.
Ankaraja më pas njoftoi se nuk mund të pranonte më refugjatë dhe do të lejonte që shumë prej 3.7 milionë refugjatëve të vlerësuar në vend të largoheshin, në atë që u pa si një lëvizje për t’i bërë presion Europës që të mbështesë konfrontimin e saj të armatosur në Siri.
Dhjetëra mijëra emigrantë tani janë duke pritur në kufirin turk dhe në portet e Detit Egje, me shpresën për të hyrë në Europë.
Greqia dhe BE-ja kanë thënë se nuk do t’i lejojnë ata të kalojnë kufirin dhe Greqia ka forcuar sigurinë në zonat kufitare, duke dërguar atje më shumë njësi të ushtrisë dhe policisë. Greqia ka akuzuar Ankaranë se po i përdor refugjatët “për të bërë shantazh”.
Liderët e BE-së vizituan kufirin grek të martën dhe shprehën mbështetje të fortë për qëndrimin e ndërmarrë nga Athina.
“Përparësia jonë kryesore është të sigurohemi që të mbahet rendi në kufirin e jashtëm të Greqisë, i cili është edhe kufiri i Europës”, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Ne kemi ardhur këtu sot për të dërguar një deklaratë shumë të qartë të solidaritetit dhe mbështetjes europiane për Greqinë”, shtoi ajo.
Ajo premtoi gjithashtu 700 milionë euro ndihmë për Greqinë për menaxhimin e emigracionit.
Megjithatë, grupet për të drejtat e njeriut i kanë kërkuar BE-së të përqendrohet më shumë në aspektin humanitar dhe të lehtësojë vuajtjet në kufi.
“Refugjatët që kërkojnë mbrojtje nuk duhet të trajtohen si një kërcënim sigurie, me taktika dhe gjuhë ushtarake. Ne jemi të alarmuar për gjuhën histerike dhe të papërshtatshme të liderëve politikë. Kjo nuk është luftë, ky nuk është një pushtim”, shkroi Këshilli Europian për Refugjatët dhe të Dëbuarit, ECRE.
Greqia tha më herët se kishte mbyllur kufirin e saj me Turqinë dhe i kishte pezulluar të gjitha kërkesat për azil për një muaj.
Human Rights Watch, HRW, tha se nuk kishte asnjë bazë ligjore apo justifikim për këtë vendim.
“Ndarja më e madhe e përgjegjësisë midis shteteve të BE-së, respektimi i së drejtës për të kërkuar azil dhe garantimi që njerëzit trajtohen në mënyrë njerëzore duhet të jenë shenjë dalluese e çdo reagimi të BE-së”, tha Lotte Leicht, drejtoreshë e BE-së në HRW.
Të hënën – para raporteve të fundit të viktimave nga Edirne – një djalë sirian vdiq pasi varka në të cilën ai ishte u përmbys jashtë ishullit Grek të Lesbosit.
BBC të hënën tregoi pamjet e rojave greke në afërsi të Lesbosit ndërsa përpiqeshin të ndalnin një varkë me emigrantë duke hapur zjarr mbi ujërat përreth saj dhe kështu duke e detyruar atë të mos afrohej më, duke rrezikuar kështu jetën e atyre që ishin në bord.
“E gjithë dhuna ndaj personave që kërkojnë mbrojtje dhe kontrollet kufitare që nuk janë në përputhje me ligjin e BE-së dhe atë ndërkombëtar, duhet të dënohen dhe të ndëshkohen në vend që të mbështeten nga institucionet dhe agjencitë e BE-së”, tha ECRE.
Në mars të vitit 2016, Turqia dhe BE-ja arritën një marrëveshje sipas së cilës Ankaraja ra dakord të mos lejonte largimin e emigrantëve drejt Europës, në këmbim të 6 miliardë eurove ndihmë.
Turqia ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur shkeljen e marrëveshjes, përpara se ta anulonte atë javën e kaluar. Ankaraja thotë se BE-ja e la të vetme Turqinë dhe nuk i dha paratë e premtuara.
Asnjë marrëveshje e re midis Turqisë, Greqisë dhe BE-së nuk është arritur ende, pasi Bullgaria u përpoq dhe nuk arriti të ndërmjetësonte një takim krize.
Numri i njerëzve që përpiqen të kalojnë kufirin drejt Greqisë është shumë i diskutueshëm. Shifrat e qeverisë greke thanë se, të martën, të paktën 24,000 persona ishin ndaluar të kalonin kufirin nga Turqia që nga e shtuna. Turqia pretendon se më shumë se 130,000 emigrantë kanë dalë tashmë nga Turqia drejt Greqisë.