Komisioni Europian tha se do të mbante një qëndrim neutral për vendimin e Sllovenisë për të referuar Kroacinë në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian përsa i takon mosrespektimit të saj për një vendim gjyqësor mbi kufirin e tyre detar.
Komisioni Europian do të qëndrojë neutral dhe nuk do t’i bashkohet Sllovenisë në padinë e saj të lajmëruar kundër Kroacisë përpara Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian, tha të hënën në Bruksel zëdhënësi i Komisionit Margaritis Schinas.
“Komisioni do të vazhdojë të veprojë si një ndërmjetës i ndershëm në gjetjen e një zgjidhjeje miqësore dhe mendojmë se zgjidhja duhet të gjendet në bisedimet e këtyre dy vendeve anëtare,” tha Schinas.
Sllovenia paraqiti një letër ankese kundër Kroacisë fqinjë në Komisionin Europian më 16 mars, pasi Kroacia refuzoi të zbatonte një vendim arbitrimi për mosmarrëveshjen e tyre kufitare në Detin Adriatik.
Sllovenia akuzoi Kroacinë për shkeljen e Politikës së Përbashkët të Peshkimit të BE-së duke dërguar eskorta policie për të ruajtur peshkatarët në ujërat e kontestuara dhe për të mos lejuar inspektorët sllovenë të hipnin në anijet e tyre.
Siç raportoi BIRN, letra e paraqitur nga Sllovenia përmbante 100 faqe të shkeljeve të dyshuara të së drejtës europiane që Sllovenia thotë se rrjedhin nga refuzimi i Kroacisë për t’iu bindur vendimit të gjykatës së arbitrazhit.
Sipas procedurës, përpara se një shtet anëtar i BE-së të fillojë procedimet gjyqësore kundër një anëtari tjetër, ai duhet fillimisht ta referojë çështjen në Komision.
Komisioni pastaj ka tre muaj për t’u përgjigjur. Kishte tre opsione: Komisioni mund të mbështeste Slloveninë dhe të merrte përsipër padinë; ai mund të mbështeste Kroacinë; ose mund të qëndronte neutral.
Kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar, shkroi në Twitter të hënën se vendi i tij do të vendoste të enjten, më 21 qershor, nëse do ta padiste vetë Kroacinë përpara Gjykatës së Drejtësisë të BE-së.
“Jam shumë i shqetësuar për @Komisionin_BE-së, ky është një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e #BE-së. Natyrisht, vendimet politike përmbysën argumentet ligjore,” shkroi Cerar në një tjetër postim.
Marrëdhëniet midis dy fqinjëve përkeqësuan në qershor 2017 kur Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë vendosi në favor të Sllovenisë për një mosmarrëveshje territoriale për ujërat në Adriatikun verior.
Por Kroacia ka refuzuar ta respektojë vendimin. Ajo u tërhoq nga procesi i arbitrazhit, duke pretenduar se procesi ishte komprometuar nga bisedat e përgjuara telefonike në korrik 2015 midis Jernej Sekolec, një gjykatës slloven në Gjykatën e Arbitrazhit, dhe Simona Drenik, përfaqësuesi i Sllovenisë në Gjykatë.