BE-ja nuk është ideale, por pavarësisht bisedave të zymta rreth së ardhmes së saj, ajo është shumë më mirë se gjithçka tjetër që ne njohim apo kemi provuar deri më tani dhe ka qenë nismëtare e shumë më tepër sukseseve sesa mund të kuptojmë ne.
Në vitin 2010 mora përsipër detyrën e hartimit të një strategjie për zhvillimin e shoqërisë civile dhe rolit të saj në Ballkanin Perëndimor. Pas një procesi gjithëpërfshirës që përfshinte shoqërinë civile, aktivistë, organizata, gazetarë (jo mafien e OJQ-ve dhe të dyshuarit e zakonshëm – kërpudha të pas konfliktit, siç i quaj unë), hartova një strategji. Qëllimi kryesor ishte mbështetja e reformave në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe mundësimi i shoqërisë civile për të luajtur rolin e duhur në procesin e tyre të pranimit.
Nëntë vjet më pas, BE-ja është akoma më e rëndësishme tani sesa ishte atëherë për popujt e Ballkanit Perëndimor.
Strategjia e vitit 2010, në të cilën punova, u fokusua në tri fusha: 1. Zhvillimi demokratik nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mekanizmat mbështetës për qeverisje transparente dhe të përgjegjshme dhe demokraci pjesëmarrëse përmes fuqizimit të qytetarëve; 2. Zhvillimi i qëndrueshëm, për të nxitur reforma të politikave duke siguruar një kalim nga sistemet energjetike të bazuara në lëndë djegëse fosile tek energjia e gjelbër, e rinovueshme dhe demokratike; dhe 3. Puna për ndërtimin e paqes, e cila përfshin dhe u përgjigjet një kompleksiteti mitesh nga e kaluara dhe urrejtjes së shkaktuar nga luftërat e fundit në rajon.
Puna e planifikuar për të trajtuar çështjen e ndërtimit të paqes që në rrënjët e saj: dokumentimin e asaj që ndodhi vërtet në luftërat e viteve 1990 dhe vendosja e njerëzve përballë të kaluarës së tyre dhe ndalimi i mohimit të krimeve të luftës.
Kjo strategji është vënë në zbatim përmes një qasjeje unike “trekëndësh”, të bashkëpunimit të thellë midis grupeve bazë, organizatave dhe gazetarëve investigativë – masave, kapacitetit intelektual dhe nuhatjes.
Është e qartë se shumë njerëz të mëdhenj, institucione dhe ndërhyrje të tjera kanë kontribuar jashtëzakonisht në progresin e rajonit gjatë këtyre viteve. Por ajo për të cilën jam më shumë krenar është se shumë nga institucionet që ishin pjesë e kësaj strategjie u bënë transportuesit kryesorë të vizionit të BE-së për Ballkanin në nivel vendor dhe rajonal në të tria fushat.
Sot, me fondet dhe mbështetjen e BE-së, grupet bazë, organizatat dhe gazetaria investigative në rajon po korrin të gjitha suksese.
Sigurisht që u përballa me shumë skeptikë. “A mendoni se BE-ja do të ekzistojë ende (deri në kohën kur t’i bashkohen vendet e rajonit)”? ishte njëra prej pyetjeve. Një tjetër ishte: “Ndoshta duhet ta rishikoni qëllimin, pasi anëtarësimi në BE nuk është realist.”
Në një moment, dukej sikur këta skeptikë do të fitonin, siç po fitonin radikalët nga të dyja anët, ultra-nacionalistët e krahut të djathtë dhe ekstremistët e krahut të majtë.
Lavdi Zotit, ky imazh i ftohtë – në të cilin Angela Merkel e Gjermanisë dukej e braktisur dhe e vetme në përpjekjet e saj për të mbështetur vizionin e BE-së kundër mohuesëve të saj – ndryshoi pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian.
Kancelarja Merkel ishte dhe mbetet heroina e Europës dhe udhëheqësja më e guximshme në skenën botërore. Ajo qëndroi e vetme dhe mbrojti vlerat më të çmuara të njerëzimit, duke ndihmuar njerëzit në situatat e tyre më të vështira, si refugjatët ashtu edhe emigrantët. Për më tepër, Merkel ia doli ndërsa ishe e rrethuar nga shumë liderë të tjerë meshkuj, të cilët në heshtje shikonin, me përbuzje ose duke qeshur, atë që ata mendonin se ishte “naiviteti” i saj.
Në mendjet e tyre të kufizuara, ishte e pamundur që qeveria gjermane të mbetej e paprekur në një BE të bashkuar fuqimisht teksa ajo i zgjaste dorën miliona sirianëve që e braktisnin vendin e tyre për shkak të regjimit sirian, rusëve dhe të gjithë të tjerëve që përpiqeshin të gllabëronin Sirinë.
Megjithatë, ajo ia doli mbanë. Qeveria gjermane mbeti e paprekur, radikalët nuk ia dolën dot mbanë dhe partitë neo-naziste nuk arritën të krijonin një imazh të emigrantëve dhe refugjatëve si njerëz të këqij. BE-ja ia doli mbanë jo vetëm të mbronte vlerat e saj themelore demokratike, por ka bërë shumë më tepër për të avancuar politikat e paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Pas zgjedhjeve parlamentare të BE-së në muajin maj, E Gjelbra është ngjyra e re e Parlamentit Europian. Lufta kundër ndërhyrjes ruse në SHBA duket se ka qenë në dobi të Bashkimit Europian; BE-ja i ka mbyllur hapësirën ndërhyrjeve ruse. Ndërkohë, Brexit ka përfunduar si turpi i shekullit XXI, triumfi i vetëm atyre që mendojnë se rruga për të ecur para qëndron te izolimi dhe këmbëngulja në sovranitetin e ngurtë në një botë të globalizuar.
BE-ja nuk është ideale, por është shumë më e mirë se gjithçka tjetër që ne njohim apo kemi provuar deri më tani. për të përmendur disa suksese, ajo është lidere në marrëveshjen mbi klimën dhe në reduktimin e emetimit të gazrave; ka ndihmuar për të zgjidhur me sukses mosmarrëveshjen afatgjate me Greqinë në lidhje me emrin e Maqedonisë; po vazhdon të mbajë marrëveshjen me Iranin; dhe është financuesja më e madhe e paqes dhe prosperitetit në botë.
BE po përballet gjithashtu edhe me sfidat brenda saj, gjë që nënkupton kompletimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kancelarja Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron ndërhynë me të drejtë për të parandaluar ndarjen katastrofike të Kosovës që po përgatitej nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi.
Bisedat e tyre sekrete, të lehtësuara nga ish-komisionerja e BE-së për çështjet e jashtme dhe të nxitura nga lobistët, po hapnin rrugë për një marrëveshje që nuk do t’i shërbente askujt, përveç Vuçiçit dhe Thaçit. Nëse do të rezultonte e suksesshme, ajo marrëveshje do të hapte derën për ndarjen e Republikës Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë do të ishte në favor të Thaçit, i cili jeton me frikë se një ditë do të paditet për krimet e luftës të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Një aktakuzë e tillë do të vinte nga Gjykata Speciale e Kosovës, e cila u votua edhe nga deputetët e partisë së tij në parlament. Por, në një Kosovë me kufij të ripërcaktuar, kjo gjykatë mund të bëhej thjesht e pavlefshme.
Lejimi i hartimit të kufijve përgjatë vijave etnike jo vetëm që do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm për mënyrën se si gjenocidi mund të përdoret për vendet e ndara, por do të kishte dëmtuar shumë vlerat themelore të BE-së, të cilat e përcaktojnë kontinentin europian si një bastion të multikulturalizmit dhe bashkëjetesës në diversitet.
Një BE që do të lejonte diçka të tillë të ndodhte në oborrin e saj do të humbiste të gjithë besueshmërinë e saj për t’u angazhuar kudo tjetër në botë. Ç’është më e rëndësishmja, kush tjetër do të mbetej në botë për t’i ruajtur këto vlera demokratike dhe njerëzore, nëse jo BE-ja?
Ndërkohë që është e vërtetë se në shumicën e vendeve të Ballkanit reformat e vërteta janë të ngadalta, faji për këtë bie mbi elitat politike dhe kalkulimet e tyre në secilin vend. Shumica prej tyre janë sot në pushtet falë korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftërave. Është e vështirë të imagjinohen këto vende teksa kryejnë reforma që do të rezultonin në zhdukjen e këtyre rrjeteve.
Në rastin e Maqedonisë së Veriut, reformat u bënë të mundura vetëm pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme e shtyrë nga një kërkesë popullore për ndryshim dhe falë mbështetjes së plotë të BE-së për sundim të ligjit dhe reforma politike.
Edhe shqiptarët edhe maqedonasit në vend dolën të bashkuar për ndryshim, duke vërtetuar se njerëzit nuk do të votojnë bazuar në vijat etnike kur bëhet fjalë për të ardhmen dhe prosperitetin e tyre.
Tani duhet të ndryshojmë regjimin e Vuçiçit në Serbi, i cili ka ngushtuar hapësirën për mediat dhe shoqërinë civile dhe kontrollon pothuajse çdo pjesë të shoqërisë serbe. Ne gjithashtu duhet të ndryshojmë diktaturën kapëse të Thaçit, e cila kontrollon sistemin e drejtësisë në Kosovë, sektorin privat dhe i ka sjellë institucionet shtetërore buzë shembjes përmes nepotizmit dhe korrupsionit. Këta liderë nuk u zgjodhën nëpërmjet proceseve demokratike. Demokracia në Serbi dhe Kosovë, si dhe në Shqipëri, është peng e krimit të organizuar dhe e rrjeteve të korruptuara.
Kjo sfidë është shumë e madhe për t’u luftuar vetëm nga individët, shoqëria civile apo mediat. Kjo detyrë është e rrezikshme dhe e frikshme, sidomos në mungesë të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe profesional dhe kur kemi të bëjmë me rrjete trans-rajonale dhe trans-ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pra, Ndihma nga BE-ja nuk është vetëm e mirëpritur edhe e dëshirueshme, por është një domosdoshmëri, për të mbrojtur interesin e përbashkët dhe sigurinë e Europës, përveçse për të mbështetur dëshirat e popullit të Ballkanit për t’u bërë qytetarë europianë. Kjo është urgjente, pasi beteja kundër ikjes së trurit po humbet; ekziston një rrezik real që largimi i njerëzve të zgjuar nga vendet e Ballkanit do të krijojë thjesht më shumë hapësirë që injorantët të vazhdojnë të udhëheqin.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.