Lajm9 Jun 2021

BE përgënjeshtron parlamentin, IPA nuk rekomandoi mbylljen ndaj gazetarëve

Zyra e Delegacionit Evropian në Tiranë përgënjeshtroi të mërkurën një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë që pretendonte se vendimi kontrovers për të hequr të drejtën e gazetarëve për të ndjekur seancat në komisione është produkt i rekomandimeve të BE-së.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Gazetarët në protestë kundër bllokimit të aksesit për të mbuluar punimet e Komisioneve Parlamentare. Foto: Vladimir Karaj.

Bashkimi Evropian përgënjeshtroi haptazi një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë, e cila justifikonte rregulloren e re kontroverse që i mbyll dyert gazetarëve, me “rekomandimet e BE-së”. Përplasja e paprecedentë erdhi pasi gazetarët protestuan të mërkurën kundër rregullores që i heq atyre të drejtën për të qenë të pranishëm në seancat dëgjimore të komisioneve parlamentare apo të seancave plenare dhe i detyron të qëndrojnë të izoluar në një dhomë të quajtur “neësroom” për të ndjekur seancat përmes sistemeve audiovizive.

“Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian  për Shqipërinë,” deklaroi Kuvendi pas protestës së gazetarëve, duke pretenduar se kjo është një praktikë e disa vendeve evropiane.

“…në Parlamentin Europian gazetarët nuk mund të jenë të pranishëm në  mbledhjet e komisioneve, përveçse kur marrin autorizim paraprak të drejtuesit të mbledhjes. Në Suedi, Francë, Austri, Estoni, gazetarët nuk mund të jenë të pranishëm në sallën e komisionit, përveçse në rastet kur bëjnë kërkesë të veçantë dhe pasi marrin një miratim paraprak nga kryetari i Komisionit ose Zyra e medias,” deklaroi Kuvendi duke mbështetur vendimmarrjen e saj. Por ndryshe nga kuvendi, zyra e Delegacionit Evropian në Tiranë ka një qëndrim tjetër.

“Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale,” deklaroi Delegacioni në Facebook.

“Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014,” shton deklarata.

Byroja Parlamentare kontrollohet aktualisht nga socialistët dhe mbështetësit e tyre. Ata vendosën më 2 qershor të ndryshojnë rregulloren e marrëdhënieve me mediat, duke mënjanuar mediat shtetërore TVSH dhe ATSH, të njohura gjerësisht si mjete propagandistike, të kenë akses të pakufizuar në parlament ndërsa për gazetarët e mediave të tjera, rojet e sigurisë u autorizuan nga rregullorja t’i shoqërojë ata nga dera për te një zyrë në bodrum dhe nga kjo zyrë në bodrum për te dera.

Vendimi i byrosë u kritikua si një ERTV-izim i Kuvendit të Shqipërisë, një kopje e praktikës kontroverse të kryeministrit Edi Rama për të mos lejuar asnjë kameraman përveç kameramanëve të tij në konferencat e rralla për shtyp si dhe për të shpërndarë pamje të gatshme të kuruara nga propagandistët e tij në media.