I zgjedhuri i parë i Gjykatës Kushtetuese u betua në Presidencë, por vazhdimësia e tij në postin e ri do të varet nga vendimi final i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi u betua si i zgjedhuri i parë i Gjykatës Kushtetuese mbrëmjen e së premtes në Presidencë, ndonëse vazhdimësia e tij në postin e ri do të varet nga vendimi final i vetingut.
Sipas Ceremonia e betimit u zhvillua para presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe në prani të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura si dhe ambasadorëve dhe përfaqësuesve të vendeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Besnik Muçi ishte renditur i treti nga një listë prej 4 kandidatësh të verifikuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por Meta e argumentoi zgjedhjen e tij me respektimin e balancës gjinore dhe me faktin se ishte i vetmi magjistrat.
Muçi, i cili ka mbaruar studimet në vitin 1995 dhe ka punuar për 20 vjet si prokuror, arriti të kalojë shkallën e parë të vetingut në vitin 2018. Megjithatë, vendimi u apelua dhe ai po përballet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me kërkesën për shkarkim të Komisionerit Publik.
Sipas Komisionerit Publik, Muçi nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm pasurinë e tij me burim të pjesshëm disa hua nga familjarët, ndërkohë që ai vetë solli prova shtesë për të vërtetuar se të afërmit kishin të ardhura të ligjshme.
Besnik Muçi është i zgjedhuri i parë i katër listave me kandidatë, të përgatitura nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, respektivisht dy për Presidentin dhe dy për Kuvendin. Ndërkohë që një thirrje e pestë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese është e hapur, një vendim i mundshëm negativ nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të zvarriste sërish planet për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.