Lajm29 Jun 2019

Betejë për brava, përplasje dhe protesta paqësore në ditën para zgjedhjeve

Në orët para zgjedhjeve të debatueshme për pushtetin vendor, mbështetësit e opozitës kanë organizuar protesta në qytete të ndryshme ndërsa në bashki të ndryshme policia arrestoi punonjës bashkiakë që po ndërronin bravat e shkollave që pritet të përdoren si qendra zgjedhore.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Mbështetësit e opozitës protestuan para qendrave rajonale të administrimit zgjedhor në Peshkopi, Bulqizë, Laç e qytete të tjera ndërsa policia arrestoi punonjës të bashkive Mallakastër e Pogradec pasi i gjeti duke ndërruar bravat e disa shkollave, të cilat janë planifikuar për t’u përdorur për qendra votimi.

Në qytetin e Peshkopisë mbrëmjen e së premtes disa qindra mbështetës të opozitës u përplasën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Mëngjesin e të shtunës, policia e Dibrës njoftoi se ka arrestuar 12 persona dhe ka shpallur në kërkim 39 të tjerë si të dyshuar për sulmin nga “KZAZ nr. 19”, zyra vendore e administrimit zgjedhor për Dibrën.

Në Vlorë, një numër mbështetësish të Partisë Demokratike pritën me protestë kryeministrin Edi Rama të premten në mbrëmje, i cili gjendej në qytetin bastion të partisë së vet për mitingun përmbyllës të një fushate elektorale në të cilin partia e tij nuk ka konkurrentë.

Opozita ka njoftuar se do të zhvillojë protesta në të gjithë Shqipërinë dhe se policia është njoftuar për to. Policia nga ana e saj i ka shkallur protestat të paligjshme dhe në shkelje të kodit zgjedhor.

Lexo më shumë:

Zgjedhjet njëngjyrëshe të 30 qershorit: 97 kandidatë për 61 bashki

Oficerë të plagosur dhe materjale zgjedhore të djegura pas sulmit në Bushat

Incident misterioz në ish-qendrën zgjedhore 2 në Shkodër

Beteja me bravat

Një numër kryebashkiakësh të opozitës duket se kanë vendosur të luftojnë zgjedhjet e njëanshme të 30 qershorit duke ndërruar bravat e objekteve të ndryshme nën administrimin e tyre, si shkolla e kopshte, për t’i mohuar socialistëve qendrat e votimit të dielën. Nuk është e qartë se sa efektive mund të jetë kjo metodë, por në Pogradec dy punonjës u arrestuan mëngjesin e së shtunës, të akuzuar nga policia për “pengim të zgjedhjeve”, ndërsa në Mallakastër, u arrestuan tre punonjës dhe u shpall në kërkim një nënkryetar bashkie.

Në Shkodër mësohet se vetëm 5 nga shkollat e caktuara si qendra votimi janë të hapura ndërsa të tjerat janë kyçur nga Bashkia Shkodër.

Po në Shkodër, të premten, një numër personash që më pas rezultoi se ishin militantë të Partisë Socialiste, sulmuan pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” ku shqyen duke përdorur leva një derë në ndërtesën që qe planifikuar më parë të përdorej si KZAZ.

Partia Demokratike i denoncoi sulmuesit si militantë të dhunshëm të Partisë Socialiste ndërsa PS e Shkodrës deklaroi se bëhej fjalë për “komisionerë” të cilët, sipas saj, ishin provokuar dhe penguar në “ushtrimin e detyrës”. Ndryshe nga rastet e tjera, policia nuk njoftoi ndalime apo arrestime për këtë incident.