Lajm3 May 2020

BIRN fiton Çmimin e Lirisë së Shtypit nga organizata Reporterët pa Kufi

Për të festuar ditën e lirisë së shtypit të Dielën, grupi aktivist Reporterët pa Kufi, kapitulli i Austrisë, i dha çmimin e vet vjetor Rrjetit Ballkanik për Gazetari investigative për meritat në gazetarinë e pavarur në Ballkan.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Foto ilustruese Ivana Dervishi/BIRN

Zyra e Vienës e Reporterëve pa Kufi shpalli se rrjeti BIRN ka marrë çmimin për gazetari investigative kurajoze në Europën Lindore dhe Jug-Lindore dhe për përkushtimin e treguar për luftën për të drejtat e njeriut, demokracisë dhe drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës.

Çmimi nderon gjithashtu themeluesen e BIRN Gordana Igric, e cila shërbeu si drejtoreshë rajonale e organizatës deri në Maj 2018 për punën e saj në krijimin e rrjetit.

“Ne jemi të nderuar nga njohja nga kolegët tanë nga Austria. Çmimi vjen në një kohë kritike për rajonin tonë, ku media shpesh pengohet nga ndikimet politike apo të biznesit dhe nuk ka burimet e nevojshme për të raportuar nga përtej kufijve të vendit,” deklaroi drejtoresha e rrjetit BIRN, Marija Ristic.

“Çmimi na jep ne më shumë motivim për të vijuar me raportimin e pakompromis pavarësisht sulmeve të vazhdueshme kundër gazetarëve tanë,” shtoi Ristic.

“Ne jemi gjithashtu të lumtur për nderimin e treguar për themeluesen tonë, Gordana Igric, e cila pati vizionin për një rrjet rajonal të lirë dhe shtroi rrugën për breza të rinj gazetarësh dhe redaktorësh për të mbrojtur vlerat e të drejtave të njeriut dhe demokracisë,” shtoi ajo.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative u krijua në vitin 2004 si një rrjet organizatash nëpër Ballkan për të promovuar lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike.

Rrjeti BIRN ka organizata me bazë në vendet respektive në Shqipëri, Bosnjë dhe Herzegocinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Serbi. Ajo ka edhe prani editoriale në Bullgari, Kroaci, Republika Çeke, Greqi, Hungari, Moldavi, Mali i Zi, Poloni, Slovaki dhe Ukrainë.

Struktura e BIRN mundëson kombinimin e ekspertizës vendore me bashkëpunimin rajonal.

Çmimi i Lirisë së Medias – Një Sinjal për Europën, jepet çdo vit nga dega austriake e Reporterëve pa Kufi, një organizatë ndërkombëtare që mbron lirinë e informimit.