Lajm17 Jan 2019

BIRN thirrje Putinit të lirojë gazetarët

Ndërsa Vladimir Putini viziton Beogradin, gazetarët e BIRN e kanë shfrytëzuar këtë rast për t’i bërë thirrje liderit të Kremlinit të lirojë gazetarët e burgosur në Rusi dhe të respektojë të drejtat e njeriut.

Autor: BIRN BIRN Beograd
Printo

Foto: BIRN.

Gazetarët e BIRN-it në Serbi vendosën pankarta duke i kërkuar presidentit rus Vladimir Putin, i cili kishte mbërritur në Beograd, të lirojë gazetarët e burgosur në Rusi dhe të respektojë të drejtat e njeriut.

“Liro gazetarët”, thuhej në një pankartë në serbisht, rusisht dhe anglisht të vendosur në dritaret e zyrës së BIRN, pranë vendit ku mbështetësit e Putinit në Serbi po mblidheshin për një tubim.

Zyra e BIRN gjithashtu vendosi një flamur LGBT, duke i bërë thirrje Putinit të respektojë të drejtat e njeriut dhe LGBT në vendin e tij.

OJQ-të pro-ruse me mbështetjen e Partisë në pushtet Progresive Serbe të enjten organizuan një tubim masiv në mbështetje të presidentit rus, i cili po takohej me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në qytet.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 58 gazetarë janë vrarë në Rusi që nga viti 1992. Komiteti gjithashtu tha se ishte në dijeni se aktualisht në Rusi ka katër gazetarë të burgosur.

Grupet e të drejtave gjithashtu kritikojnë Rusinë lidhur me trajtimin e saj të njerëzve LGBT, të cilët përballen me presion rutinë, kërcënime dhe dhunë.

Në raportin e tij të fundit, Human Rights Watch, HRW, theksoi se një ligj kundër të ashtuquajturës propagandë homoseksuale kishte ndimim negativ te personat LGBT dhe gjithashtu edhe tek të rinjtë.

Presidenti rus po takon homologun e tij serb për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh, duke theksuar ngrohtësinë mes dy vendeve sllave.

Serbia dhe Rusia janë aleatë të afërt diplomatikë. Rusia ka mbështetur Beogradin në refuzimin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Beogradi ka refuzuar të kritikojë ose sanksionojë Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë dhe aneksimin e njëanshëm të Krimesë.