Lajm12 Nov 2017

Bisedimet e Kretës mbyllen me vendimin për vijimin e bisedimeve

Një konferencë dyditore diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë e zhvilluar në ishullin e Kretës në Greqi përfundoi me premtimin për vijimin e bisedimeve në një raund tjetër në Shqipëri, por pa ndonjë marrëveshje konkrete.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati dhe ai i Greqisë Nikos Kotzias. Foto: MFA.gov.al

Konferenca e shumëpritur dyditore mes Shqipërisë dhe Greqisë e zhvilluar në ishullin e Kretës këtë fundjavë u mbyll pa asnjë marrëveshje konkrete por dy ministrat e jashtëm lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën premtuan se një raund tjetër bisedimesh do të zhvillohet së shpejti në Shqipëri ku mund të “hidhen hapa konkretë” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

“Punë e konsiderueshme u krye gjatë bisedimeve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive”, shkruhet në deklaratën e përbashkët për shtyp.

“Të dyja palët njohën rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe ranë dakord se hapa të mëtejshëm janë të nevojshme të ndërmerren në mënyrë që të arrihet në pasoja pozitive në bazë të vlerave dhe normave Europiane, në përfitim të të dy vendeve dhe popujve të tyre”, vijon më tej deklarata.

“Bisedimet përbënë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të mundshme ndaj problemeve të vjetra do të vijojnë. Në këtë dritë, u ra dakord që ministrat të takohen sërish në periudhën e ardhshme në Shqipëri, për të vlerësuar progresin e arritur dhe për të vendosur për hapa të mëtejshme konkretë përpara.”

Bisedimet u zhvilluan në nivelin e Ministrave të Jashtëm mes Ministrit Ditmir Bushati të Shqipërisë dhe Nicolaos Kotzias të Greqisë. Të shtunën, jashtë konferencës, Kotzias lëshoi një deklaratë veçmas ku theksoi se “Greqia dëshiron të shohë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian”.

Bisedimet, të cilat u kryen pa praninë e medias, u shoqëruan me spekullime të konsiderueshme mediatike në Shqipëri, përfshirë raportime për arritje të marrëveshjes për ligjin e luftës apo për ndarjen e shelfit kontinental, dy çështje që kanë mbajtur disi të tensionuara marrëdhëniet mes të dy vendeve prej shumë kohësh. Por pavarësisht spekulimeve, deklarata e përbashkët për shtyp nuk përmban listën e çështjeve të diskutuara.

Shqipëria dhe Greqia kanë mosmarrëveshje mbi ndarjen e shellfit territorial në zonën detare mes bregut të Shqipërisë së jugut dhe ishujve grekë të Korfuzit dhe Ereikousas, çështjen e popullsisë së shpërngulur shqiptare nga zona e Çamërisë si dhe çështjen e Ligjit të Luftës, një ligj i miratuar në Greqi në vitin 1941 dhe që vijon teknikisht të mbetet në fuqi pavarësisht se të dy vendet kanë nënshkruar një “Traktat Miqësie” që në vitin 1996. Greqia nga ana e saj shpreh shqetësime të vazhdueshme mbi të drejtat e minoritetit grek në Shqipërinë e jugut. Pak javë më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj të ri mbi të drejtat e minoriteteve, ligj që i jep bashkive që kanë prani të një minoriteti, të përdorin si gjuhë komunikimi zyrtar gjuhën e minoritetit përkatës kur ky minoritet përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë.

Çështja më problematike gjatë viteve të fundit ka qenë trajtimi nga ana e qeverisë shqiptare të popullsisë minoritare të bregdetit të jugut të Shqipërisë. Qeveria aktuale ka kryer disa aksione për shembje ndërtimesh pa leje ose për shembje ndërtimesh me leje përkundrejt shpërblimeve dukshëm poshtë vlerës së tregut. Popullsia e zonës dhe Greqia kanë protestuar në mënyrë të vazhdueshme për atë që e konsiderojnë “vjedhje të pronave të tyre”. Qeveria thotë se synon të zhvillojë zonën.

Çështja më e vështirë është ajo e ndarjes së shelfit kontinental. Shqipëria dhe Greqia arritën një marrëveshje të shumëkritikuar në Shqipëri në vitin 2009, por marrëveshja u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pak më vonë, duke krijuar një rrugë pa krye mbi këtë çështje. Sipas një kabllogrami të diplomacisë amerikane të publikuar në vitin 2011 nga organizata Ëikileaks, Greqia i bëri presion Shqipërisë të pranonte një marrëveshje të disfavorshme në ndarjen e detit në shkëmbim të ratifikimit nga ana e Greqisë e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Shqipëria e pranoi marrëveshjen, por më pas, presioni mediatik dhe një kërkesë nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, sollën rrëzimin e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese.