Dy eurodeputetë u përpoqën të ulin Partinë Demokratike në opozitë me dy partitë kryesore në qeveri për të gjetur një kompromis për zhvillimin e zgjedhjeve me pjesëmarrjen e opozitës, por bisedimet duket se u ndërprenë ende pa nisur pasi opozita dhe maxhoranca vijuan të qëndrojnë larg kompromisit.
Dy anëtarë të Parlamentit Europian, David McAllister dhe Kurt Fleckenstein nga Gjermania u përpoqën pa sukses që të ndërmjetësojnë mes Partisë Demokratike në opozitë dhe Partisë Socialiste e LSI mbrëmjen e të martës në lidhje me krizën e krijuar nga refuzimi i Partisë Demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, por bisedimet duket se u mbyllën ende pa nisur. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi pas takimit se bisedimet ngecën për shkak se qeveria refuzoi kërkesën e tij për “qeveri teknike” ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se ai vijon të jetë i hapur për bisedime pa kompromis por vetingu “nuk negociohet”.
Partia Demokratike ka ngritur një çadër në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ka refuzuar të regjistrohet për të garuar në zgjedhjet e parakohshme të Kavajës më 7 maj dhe në zgjedhjet parlamentare të përcaktuara për në 18 qershor. Opozita pretendon se e ka të pamundur të garojë për shkak se qeveria refuzon të zbatojë procesin e dekriminalizimit si dhe thotë se përdorimi i parave të kanabisit të mbjellë në përmasa të paprecedent gjatë vitit të kaluar në fushatë zgjedhore e bën të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve normale. Opozita kërkon një “qeveri teknike”, gjë që refuzohet në mënyrë kategorike nga qeveria.
Qeveria argumenton nga ana e saj se qëllimi i vërtetë i protestës së opozitës është bllokomi i procesit kyç të vetingut dhe sabotazhi i procesit të reformës në drejtësi në tërësi ndërsa argumentet për zgjedhjet janë vetëm një alibi për të ndaluar vetingun. Sipas një prej shumë kompromiseve të arritura gjatë negociatave të vitit të kaluar për miratimin e reformës në drejtësi, opozita ka detyrë funksionale në krijimin e komisionit të vetingut. Por opozita e ka bojkotuar aktivitetin parlamentar prej muajsh duke sjellë efektivisht bllokim të zbatimit të reformës në drejtësi.
*Korrektim. Një variant i mëhershëm i këtij lajmi iu referua eurodeputetit David McAllister si deputet nga Holanda kur në fakt ai është nga Gjermania. Kërkojmë ndjesë për gabimin.